Çfarë dhe kush po e kërcënon Pavarësinë sot, pas 105 vitesh?!

Çfarë dhe kush po e kërcënon  Pavarësinë  sot, pas 105 vitesh?!

Nga Skënder S.KAPITI

105 vite më parë me 28 Nëntor 1912  patriotët shqiptarë shpallën në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë, duke kurorëzuar kështu ,vuajtet, mundin, aspiratën  dhe sakrificat e brezave për një shtet Sovran dhe të pavarur.

Pavarësia është festa më e madhe kombëtare e një kombi.

Pas fitores së Pavarësisë kombit shqiptar iu hap rruga për zhvillim ,për t’u qytetërur dhe për të prosperuar , pra për konsolidimin dhe për forcimin e kombit, ashtu siç edhe na e la porosi Ismail Qemali se: “koha nuk pret,bota ecën përpara. Mjerë Ne po t’i lëmë kombet e tjera që të na e kalojnë në rrugën e qytetërimit”.

Ne sot duke pasur parasysh atë se çfarë detyre dhe përgjegjësie kombëtare kanë së pari politika, pushteti si dhe shoqëria shqiptare them se  populli sot duhet  të festojë duke protestuar.

Duhet të festojmë  në respekt, për të kujtuar  dhe për të nderuar të gjithë ata patriotë, dëshmorë dhe heronj të çdo kohe dhe të çdo epoke të cilët dhanë jetën dhe sakrifikuan gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë; duhet të festojmë për kombin dhe për Shtetin tonë, por nga ana tjetër duhet  të protestojmë  kundër atyre fenomeneve ,kundër atyre se çfarë po e kërcënojnë Pavarësinë e Shqipërisë si dhe kundër atyre , kundër atyre Kush-ëve të cilët janë autorët dhe përgjegjësit për këtë realitet tejet zhgënjyes prej të cilëve vjen edhe kjo venitje e kësaj feste të madhe.

Pra, pyesim se  a i takon kësaj klase politike shqiptare  të sotme që të rrëmbejë prerogativat e kësaj feste, që  të mburret dhe t’i vetëbëjë vetes së saj  reklama patriotike ?

A kanë moral dhe a u beson kush këtyre politikanëve të korruptuar, të kriminalizuar, të papërgjegjshëm dhe të diskredituar publikisht dhe ndërkombëtarisht si autorët dhe shkaktarët e kësaj gjëndje aspak normale ku e kanë zhytur demokracinë, shtetin, drejtësinë dhe shoqërinë, a u takon këtyre që  të na bëjnë moral patriotizmi dhe kombëtarizmi?

A u takon atyre që të duken  kudo nëpër ceremonira festive të organizuara prej tyre dhe të reklamuara po prej mediave të tyre për të na përrallisur me fjalë e demagogjira patriotizmi dhe kombëtarizmi kur shumica e politikanëve tanë janë etiketuar nga ambasadori amerikan si të majtë dhe të djathtë që kanë kryer  krime të tmerrshme dhe nga ambasadorja e BE-së në Tiranë si njerëz që për shtëpinë  shesin atdheun?

A u takon që të na reklamohen këta politikanë “të mëdhenj”kur ata ishin penguesit dhe që nuk donin miratimin e Reformës në Drejtësi, pra që ishin kundër ndërtimit dhe funksionimit të shtetit ligjor.

Prandaj shqiptarët duhet të festojnë për  pavarësinë por duke protestuar kundër këtyre prej të cilëve kërcënohet ajo.

E njëta gjë vlen edhe për politikanët e Kosovës.

A u takon këtyre politikanëve dhe këtyre pushtetarëve të sotëm që  të duken kudo duke manipuluar dhe spekuluar me patriotizmin dhe me sakrificat e popullit shqiptar për të marrë pak shkëlqim prej tyre, kur kjo klasë politike ka meritën e madhe  që e mban Shqipërinë të fundit në Europë në rrugën e demokracisë, të prosperitetit , të qytetërinmit, të ndërtimit të shtetit ligjor, të konsolidimit dhe të intëgrimit brënda kombëtar  dhe të integrimit europian?

Kundër këtyre dhe kësaj klase politike duhet të protestojnë shqiptarët , kundër këtyre prej të cilëve Shqipëria është në krye të listës së shteteve me korrupsionin më të lartë, me varfërinë dhe me papunësinë më të lartë në Europë, prej këtyre dhe kësaj klase politike shqiptarët edhe rinia shqiptare janë të parat në Botë që kërkojnë largimin nga Atdheu.

Shqiptarët duhet të reagojnë kundër kësaj klase politike dhe kundër këtyre kush-ëve për të cilët nuk është nevoja të pyesim se kush janë ata, pasi duken se  ata janë në majë, lart në piramidën politike, të pushtetit, të drejtësisë dhe të biznesit.

Shqiptarët luftuan dhe e fituan Pavarësinë e Shqipërisë , sakrifikuan për pavarësinë e tokës dhe të atdheut të shqiptarëve ,por prej këtyre që i kemi në krye të shtetit dhe të Republikës shqiptare , dhe për shkak të tyre  Shqipërinë po e quajnë Kanabistan(tokë të kanabisit) diplomatë, personalitete e media prestigjoze botërore.

Prej kësaj klase  politike të papërgjegjshme ligjërisht dhe kombëtarisht , prej krimit, korrupsionit, prej drogës dhe prej padrejtësisë së tyre  po gërryhet dhe rrezikohet kombi dhe sovraniteti kombëtar.

Në sinkron me këtë se çfarë unë paraqita më sipër , si vertetim për këtë realitet vjen dhe Urimi për Pavarësinë e Shqipërisë, urim që  erdhi prej aleatit dhe mikut më të madh të shqiptarëve,prej SHBA-ve, si një thirrje  urimi drejtuar shqiptarëve për luftë dhe suksese në betejën për zbatimin e Reformës në Drejtësi, për luftë  kundër krimit dhe korrupsionit.

Këtë betejë duhet ta fitojnë shqiptarët duke sfiduar klasën aktuale politike e cila është autorja e padrejtësive, e krimit  dhe  korrupsionit të cilat kërcënojnë sovranitetin e individit, të shoqërisë dhe të shtetit.

Duhet ta ndëshkojmë këtë klasë politike ,këtë farë “elite” politike duke e zbritur atë nga lartësia ku është ngritur pa meritë, këtë klasë politike  e cila e ka marrë peng shoqërinë, shtetin dhe pavarësinë, duhet të veprojmë  në mënyrë që ta forcojmë dhe ta konsolidojmë, ta prosperojmë dhe ta forcojmë kombin për të cilin sakrifikuan brezat e së shkuarës.