Brexit, « Zëri i popullit është zëri i Zotit »

rm-Në çaj bahçeNga Reis Mirdita

Metodat dhe retorika frikësuese mbi qytetarin britanik arrinin në kufijtë e krimit psikologjik por kjo nuk ndikoi në vendimin e popullit krenar. Ky frikësim ndoshta do të kishte sukses ndokund tjetër por britanikët me votën e tyre e karikaturizuan këtë shtypje gjer në alivanosje politike të proeuropianëve. Më kot nuk u tha në lokucionin latin se: „Zëri i popullit është zëri i Zotit“.

Kjo votë, jo vetëm që ndërroi qëndrueshmërinë e kapitalizmit abuzues europian mbi popujt më të dobët e më të varfër por edhe u dha guxim për një lëvizje krejt shteteve të abuzuara ekonomikisht dhe politikisht drejt pavarësimit individual socio-politik.

BE që nga nisja e krijimit të kupolës me tendenca të kamufluara dominuese ndaj njëri tjetrit e sidomos ndaj shteteve që i la jashtë gjirit të saj, iu rrek “rrezikut” të shpërbërjes që në esencë nuk çon shumë peshë për më të fortit në këtë bashkësi të cilët ndoshta llogarisin të vjelin e mjelin sa më gjatë e pse jo përgjithmonë shtetet (popujt) jo të pëlqyeshëm për ta. Tejzgjatjet për çdo imtësi që në të shumtën nuk kanë të bëjnë me ndonjë prapambeturi në baza humane apo demokratike e juridike për pranimin e vendeve të caktuara në radhë të parë gjeografikisht europiane, e zbulon qartazi politikën e të fortëve në qëllimet e tyre të përfitimit dhe mposhtjes së “të tjerëve”. Vet e ruajnë me xhelozi identitetin e tyre kombëtar por me kushtet e tyre që imponohen për t’u pranuar në mesin e tyre, janë shkelje drastike e elementit kombëtar të kandidatëve që nuk ndalen në lutjet e tyre për hyrje në “familjen e madhe europiane”. Pse a nuk këmbëngulë Europa në shkëputjen e marrëdhënieve me Rusinë?! Pse a nuk kërkon Europa shkëputjen nga identiteti kombëtar?!!! Pse a nuk bënë dallime të turpshme në cilësimin e popujve të merituar për anëtarësim, për pranim në bisedime, e të tretëve, premtime për heqje të vizave?! Do të thoni se nuk ka këtu diskriminim ose së paku, padrejtësi imorale ndaj vet popujve europianë?

Së fundmi, është një mrekulli votimi i popullit britanez për dalje nga ky labirint koklavitjesh ligjore, ekonomike dhe kakofonisë së pranimit e mospranimit në radhët e veta. Kjo votë kundër sikur i zgjoi jo vetëm “eurofobët” por edhe klasën racionale e realiste të kundërshtarëve të BE. Nuk do mënd se së shpejti, duke filluar nga shtetet skandinave, Austria, mëtej Greqia, Spanja e pse jo edhe “shtyllat” si Franca dhe Gjermania të ballafaqohen me referendume “à l’anglaise”!

Flitet se Anglia po pëson fiasko por sot akoma e bursa londineze humbi 7% kurse po në të njëjtën kohë Bursa e Parisit shënoi humbje prej 10%, pa i radhitur qendrat tjera ku humbjet rrotullohet rreth 11%. Fiasko për kë?