BEKIM BERISHA E BEDRI SHALA- IKONA TË LUFTËS PËR LIRI

Përvjetorë lavdie

Bedri TAHIRI

BEKIM BERISHA E BEDRI SHALA- IKONA TË LUFTËS PËR LIRI

Të respektuar organizatorë, bashkëluftëtarë, veteranë, invalidë dhe gjithë ju të pranishëm!

Sot, të gjithë sa jemi këtu, në Junik, po ndjehemi krenarë me këtë ceremoni përkujtimore, e cila, mbase, u troket në ndërgjegje të gjithë atyre që u ka marrë koka erë e po i nëpërkëmbin vlerat e shenjta të luftës së lavdishme të UÇK-së.

Përshëndetja e parë, në emër të Drenicës, të Artakollit e të Vushtrrisë së Hasan Prishtinës, shkon për Junikun, i cili gjithmonë ishte bazë e fuqishme kombëtare: me mikpritje, me bujari, me traditë luftarake e me mençuri. Kush nuk e kujton Odën e Junikut, e cila ndante drejtësi nga Drini e deri në Shkodër, Zonën Neutrale, ku për tri vjet vepruan të gjitha çetat e lirisë udhëhequr nga Hasan Prishtina, Azem Galica e Bajram Curri.

Sa i përketë luftës sonë të fundit, ajo as që mund të mendohej pa Junikun. Këtu u pritën e u përcollën qindra e mija luftëtarë të lirisë. Po këtu edhe ranë në Altarin e pavdekësisë dhjetëra luftëtarë, në mesin e të cilëve edhe biri i kësaj ane, Bekim Berisha-ABEJA, i cili mbetet ikonë e luftëtarit të paepur për LIRI. Ai e donte lirinë për të gjithë dhe luftoi edhe në Kroaci e në Bosnjë. Kroatët ia dhanë hakun, ia dhanë gradën Gjeneral trimit me dy fakultete e me dhuntinë e shqiponjës.

Aftësitë e tij luftarake e organizative i barti edhe në Kosovë, duke i dhënë krahë luftës sonë çlirimtare. Ai betejat e para i nisi në Drenicë dhe i përfundoi këtu në Junik. Ai ishte i të gjithëve. Në Drenicë kujtohen përherë veprat e tij madhore. Nuk harrohet Akademia Ushtarake në Açarevë e minahedhësit me topin e konstruktruar nga ai e realizuar nga mjeshtri Hajrë Gashi i Rezallës.

Kur krisi pushka në Gllogjan, në Prekazin e dytë, trimi me flatra dragoi doli këndej dhe nuk e ndali luftën deri më 10 gusht 1998, kur, bashkë me Bedri Shalën,  Elton Zherkën, Përmet Vulën, Bashkim Lekun, Bastri Beqirin etj., ranë për të mos vdekur kurrë, në mbrojtje të Junikut.

* * *

Krahu tjetër i shqiponjës ishte i madhi Bedri Shala i Drenicës. Djaloshi kureshtar mësimet e para i mori në Arllat, ndërsa të mesmet në Drenas. Ishte nxënës i shkëlqyer, por, kur e arrestuan të vëllanë, Shabanin dhe e dënuan për veprimtari atdhetarie, edhe ky u ballafaqua me dhunën serbe. Ai, që atëherë u njoh edhe me shumë veprimtarë si: Fehmi Lladrovcin, Elmi Zekën, Idriz Hysenajn etj. dhe, mori pjesë në të gjitha organizimet asntijugosllave në Drenicë.

Gjurmë të pashlyera në shpirtin e djaloshit sypatrembur lanë demonstratat e 31 janarit 1990 në Drenas, në ballë të të cilave ishte vetë…Në shtëpinë e tyre, më 1 e 2 janar 1992, janë strehuar disa ditë luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së, Adem Jashari, Hamzë Jashari, Rifat Jashari, Sahit Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra etj, të cilët kishin çarë rrethimin në Prekaz.

Meqenëse familja e tij ishte në shenjestër të pushtetit, Bedriu migroi në Danimarkë e paskëtaj në Holandë, por, pa e shkëputur lidhjen me zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë.

Kur plasi lufta e hapur në trojet stërgjyshore, Bedriu la Holandën dhe mësye drejt zjarrit të luftës. Më 6 mars niset për në Shqipëri. Pasi armatoset mirë e mirë, Bedriu bashkë me Xhelal Hajdën, Nexhmedin Morinën, Mehedin Morinën, Halim Shalën (të vëllain), Qerim Kelmedin, Azem Zekajn, Hajzer Çitakun, Musë Dërvishin, Maliq Ndrecajn, Hasan Begonin etj. depërtuan në Jabllanicë (Shqiponjë) të Dushkajës. Pas pak, komandant Ramush Haradinaj e emëron përgjegjës të pikës ushtarake në Gllogjan, ku qëndroi deri më 10 gusht 1998, e pastaj komandant për stërvitjen e rekrutëve…

Më 10 gusht 1998 zhvillohet edhe një betejë për Junikun. Forcat serbe u thyen keq, duke lënë edhe një tank në fushëbetejë. Bedriu i afrohet tankut, duke thënë: “Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë”! Dhe, tamam kur po hynte në tank, një plumb i snajperit serb e godet në krahëror. Në mbrojtje të trupit të tij niset edhe Bekim Berisha, i cili, po ashtu vajti në përjetësi. Atë ditë, në fushën e nderit ranë edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka, Përmet Vula, Bashkim Leku, Bastri Beqiri etj.

Në përkujtim të veprës së tij heroike, Brigada 134 e UÇK-së emërohet “Bedri Shala”. Është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë dhe është nderuar me gradën kolonel.

Nderimi që po u bëhet sot Bekim Berishës- Abesë dhe Bedri Shalës, është nderim për historinë, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Lavdi Bekim Berishës- ABESË!

Lavdi Bedri Shalës dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë, të të gjitha periudhave historike!