Bedri Tahiri: Latif Berisha- emër që na nderon

Fjalë e lexuar në Orën e madhe letrare garuese “FJALA E GURIT”, organizuar nga Klubi “Latif Berisha”, në 86-vjetorin e lindjes së Prof. Latif Berishës

Bedri TAHIRI

Latif Berisha- emër që na nderon

Të nderuar krijues dhe artdashës!

Të flasësh para Jush që ligjëroni me gjuhën e hyjnive e me mençurinë e muzës Kaliopë, është sa krenari aq edhe përgjegjësi.

Të respektuar të pranishëm!

Klubi ynë letrar mban një emër që na nderon dhe përpiqemi ta nderojmë. Emrin e profesorit, poetit, studiuesit, humanistit e mbi të gjitha njeriut të mirë, të atij që e deshi Mitrovicën të pandarë, të të madhit e të pavdekshmit Latif Berisha (1931-1999).

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmet në Vushtrri e në Prishtinë. Fillimisht, më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t’i botojë në revistën letrare “Jeta e Re“. Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive “TUFA“. Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë që studionin në Beograd. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës “Silvira Tomazini”.

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës “Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe“.

Që nga viti 1965 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi) në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku pata fat ta kem edhe unë profesor. Prej vitit 1984, punoi në projektin “Skënderbeu në letërsinë shqipe“, të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Prof. Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna. Gjatë viteve ’90, ai u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. U dallua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës. Ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë Prof. Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit, shkencës, kulturës etj. qe shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë. Përveç vëllimit poetik “Tufa” ka lënë edhe shumë studime, vështrime, trajtesa, të cilat kolegët  Isak Shema, Nuhi Rexhepi e Sali Bashota ia botuan në librin “Vepra“.

Emri i tij shkëlqen në shumë shkolla e institucione dhe është nderuar me shumë Mirënjohje e Falënderime. Në vitin 2009, familjes së tij iu ka ndarë Medalja e Artë e Pavarësisë.

Edhe në si klub letrar, në 86 vjetorin e lindjes së tij, organizuam këtë orë modeste letrare, të parën me karakter garues e që mëtojnë ta bëjmë tradicionale, për ta përkujtuar e nderuar të pavdekshmin Prof. Latif Berisha.

Lavdi jetës dhe veprës së Tij!

Faleminderit për vëmendje e çaste të bukura poetike!

Vushtrri, 28 qershor 2017

*  *  *

Falënderim

Falënderoj Kryesinë e Klubit “Latif Berisha” të Vushtrrisë që, sot, më 28 qershor 2017, në orën e madhe letrare me karakter garues, organizuar në 86-vjetorin e lindjes së Prof. Latif Berishës, më nderoi me çmimin special “Pena e fjalës”. Ky çmim shumë i vlefshëm për mua, më motivon dhe më obligon edhe më shumë në punën time krijuese. Kjo më emocionoi dhe më ktheu tej prapa, në nëntorin e vitit 1979, kur Prof. Latif Berisha, si anëtar komisioni, ma uroi diplomimin në Fakultetin e Filologjisë. E pata profesorin më të çmuar dhe idol në jetë, por edhe isha student i adhuruar i Tij!

Kryetarja e Klubit “Latif Bersha”, poetja Ermirë Jusufi duke e ndarë Çmimin special “Pena e fjalës”