Bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën është e drejtë kombëtare

Bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit  me Kosovën është e drejtë kombëtare  

Nga  Skënder Sadri KAPITI, Durrës

Ata të cilët janë kundër bashkangjitjes së Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore   me Kosovën   janë  edhe kundër  Bashkimit Kombëtar pasi Bashkimi kombëtar do të thotë bashkim  i të gjitha  trojeve shqiptare, ku troje shqiptare janë edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

 Me  bashkimin  e tyre me  Kosovën  nuk bëhet ndarja e Kosovës por bëhet Bashkimi i Kosovës, pasi Kosova pa Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin është e ndarë, prandaj ato duhet t’i bashkohen Kosovës ,trungut prej së cilës shovinizmi serbo-sllav i shkëputi,  gjë të cilën ashtu sikurse edhe shumë ngjarje e histori të tjera po  themi se nuk i dinë, por edhe , edhe  bëjnë sikur nuk i dinë  disa nga ata politikanë, pushtetarë, shtetarë , opinionistë, analistë e media nga Shqipëria të cilët flasin dhe shprehen kundër  këtij bashkimi por që kurrë  shumica e po këtyre për të mos thënë  se të gjithë  ata  as nuk duan  Bashkim Kombëtar.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë pa qenë  Lugina e Preshevës  e bashkuar me Kosovën do ta lë Preshevën, Medvegjen dhe Bujanocin përfundimisht jashtë Bashkimit Kombëtar pasi nuk do të jetë më  mundësia për rishikim, korigjim apo ndryshim kufijsh që të bashkohej pastaj Lugina me shtetin  shqiptar të bashkuar.

Në Shqipëri  filloi të flitet  për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja.

Askujt mos t’i duket habi se përse politika ,opinionistët dhe mediat në Shqipëri, shumica e tyre  nuk e duan Bashkimin e Preshevës me Kosovën.

Arësyeja kryesore është kjo: se politika e Tiranës  nuk e do Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por  bashkimi i shqiptarëve do të jetë i pashmnangshëm duan apo nuk duan ata shqipfolës të cilët haptazi por edhe me hipokrizi janë dhe punojnë kundër Bashkimit .  Politika e Tiranës me shumë finesë punon në mënyrë të tillë që ta provokojë, nxisë  dhe ta bëjë si veten e saj edhe politikën e Prishtinës , pra që ta infektojë edhe atë me indiferencën dhe me neglizhencën  ndaj Bashkimit Kombëtar.

Koha, patriotët dhe populli shqiptar si dhe aleatët e shqiptarëve, SHBA-të,  nuk kanë  për t’i pyetur më politikën dhe politikanët shqiptarë , por vullnetin dhe të drejtën e shqiptarëve për shtetin e tyre të bashkuar.

Politika e Tiranës ne pergjithesi  me djallëzinë e saj dhe me hipokrizi nuk është e vështirë për ta lexuar e kuptuar se ajo ka punuar dhe punon me qëllim që të rritet distanca kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nxjerrë vonesa, pengesa dhe bllokime e “indiferenca” në marrëdhëniet ekonomike, në dogana ku fakt real është  së fundi edhe vendosja e taksës së rrugës së Kombit  si një kufi e barrierë mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe jo më shumica  nga politika  e Tiranës si pozitë dhe opozitë të jetë e interesuar  dhe se dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e jo më Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën.

Bashkimi Kombëtar do të bëhet kundër vullnetit të kësasoji  politike ,pa i pyetur këta të tillët, do të bëhet për inat të tyre sepse atë do ta bëjnë shqiptarët  dhe aleatët e shqiptarëve . Politika dhe politikanët e kundër bashkimit kombëtar duke e ditur këtë fakt bëjnë tjetrën përpjekje, bëjnë  atë që:   në këtë Bashkim Kombëtar Kosova të jetë sa më e vogël me popullsi dhe me territore, pasi politika e Tiranës si gjithmonë ka akoma edhe sot vetëm interesin e vet për pushtet dhe jo atë kombëtar. Bashkimi kombëtar është sfidë dhe ndëshkim për politikën dritëshkurtër, për politikën e interesit personal  dhe të pa interesuar për atë publik dhe kombëtar.

Shqipëria dhe Shteti politik shqiptar i Shqipërisë as si Mbretëri, as si Komunizëm dhe as si Demokraci asnjëherë ,kurrë deri me sot nuk kane  kërkuar Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Shqipëria kurrë nuk ka luftuar me Serbinë, dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë shumë ,shumë pak të informuar  dhe të painteresuar  për  krimet, genocidin dhe barbarinë  mbi 100 vjeçare serbe në Kosovë prej të cilave kanë pësuar kosovarët.

Politika e Tiranës ka parë gjithmonë vetëm interesin e ngushtë personal të saj, dhe jo vetëm politika por as edhe shoqëria shqiptare në Shqipëri nuk ka pasur dijeni se ku ndodhen dhe se a ka shqiptarë dhe a janë troje shqiptare  Presheva, Bujanoci dhe  Medvegja.  Kjo është e vërtetë dhe e vërteta duhet thënë edhe tani pasi është më se i nevojshëm edhe sot ndërgjegjsimi kombëtar i shqiptarëve të Shqipërisë  të cilët i kanë borxh historik Kosovës, Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë ,të Malit të Zi dhe të Çamërisë pasi janë rezistenca, qëndresa dhe sakrificat mbinjerëzoire të tyre prej të cilave erdhi Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.

Shqiptarët e Shqipërisë akoma janë indiferent dhe mosmirënjohës për këtë fakt pasi ata nuk kanë pësuar vetë nga  krimet dhe genocidi sllavo-grek dhe as nuk është se kanë bërë ndonjë luftë apo sakrificë të madhe as luftarake, as politike dhe as diplomatike  për të drejtat kombëtare të shqiptarëve  në trojet e tyre jashtë Shqipërisë, dhe prandaj nuk përbën çudi fakti i një farë edhe serbo e grekofilizmi politik, kulturor, mediatik ,fetar  e intelektual të hapur e të fshehur që jo pak ka në Shqipëri.

Vetëm kur doli në skenë UÇPMB, Ushtria  Clirimmtare e Preshevës ,Medvegjës dhe Bujanocit nga Shqipëria filluan të dëgjohen shprehjet  e çudisë : “pse, paska shqiptarë edhe atje”?!

Shteti shqiptar asnjëherë  nuk ndërtoi as platformë, as strategji dhe nuk pati përkushtimin e duhur dhe serioz  politik, diplomatik ,ekonomik e ushtarak për  çështjen shqiptare. Madje nga shteti shqiptar i Shqipërisë edhe te shqiptarët e trojeve etnike shqiptare dhe në diasporë është eksportuar dhe u është dërguar edhe atje politika përçarëse  dhe ngatërrestare e Tiranës duke dëmtuar edhe unitetin kombëtar të tyre në preferenca e dasira të dëmshme  politike e ideologjike  zogiste,enveriste, berishiste, nanoiste etj.

Për Preshevën aq shumë u interesua edhe  politika aktuale e Tiranës sa që qeverisja Rilindja Socialiste   propozoi nja 50 mijë euro “ndihmë” për maternitetin e Preshevës.

Para disa ditësh Presidenti i Kosovës z. Thaçi citoi mundësinë e bashkimit të Luginës me Kosovën, dhe menjëherë pati reagime kundër idesë së Bashkimit të Luginës me Kosovën edhe nga politikanë të Tiranës, por pikërisht nga ata të cilët kurrë nuk kanë përmëndur dhe as nuk kanë kontribuar aspak për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, madje nga PD , Deputetët e saj braktisën edhe parlamentin kur ishte  në shqyrtim çështja e miratimit të vënies në dispozicion të NATO-s të aeroporteve të Shqipërisë  për bombardimin e ishJugosllavisë për çlirimin e Kosovës, dhe kur po ishpresidenti shkeli embargon e naftës mbi Serbinë.

Ku ishin dhe pse nuk u dëgjuan kurrë  për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin  as Berisha, as Nano, as Rama, as Nishani e as Meta  këta  farë burreshtetas “patriotë” të mëdhenj si  edhe të tjerë  “filosofistë” e opinionistë si Ngjela,  Kokëdhima  etj., dhe madje   as edhe  nga ata  “meritorë” të tjerë  të cilët u dekoruan me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë për meritën e   “bërjes së asgjëje për Kosovën” , por vetëm për faktin se ishin dhe janë politikanë dhe miq, shokë  e bashkëpunëtorë  politik e biznesesh të njëri-tjetrit.

Për Luginën po flasin tani pikërisht ata që  nuk dinë asgjë dhe nuk kanë asnjë pikë  njohurie, ndjesie e respekti ,përgjergjshmërie e ndjesie humane e vëllazërie  dhe këta janë jopak politikanë  shqiptarë  të cilët kundërshtuan me lloj lloj alibirash e fantazirash injorante dhe papërgjegjshmërie duke u shprehur kundër bashkimt të Luginës me Kosovën.

Politika dhe politikanët e Tiranës kanë bërë ndonjë vizitë në Preshevë vetë sa për dukje ku kanë marrë respektin dhe  pritjen vëllazërore të preshevarëve por në fakt ata  nuk kanë treguar asnjëri prej tyre  interesim e përkushtim për përmirësimin e statusit të lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe humane e kombëtare  të tyre.

Por  nuk po kuptohet se ku i kanë fijet dhe “hallin” edhe opozitarët,  politika,  analistët dhe disa media edhe të Kosovës të cilat deklarohen kundër Bashkimit të Luginës me Kosovën?!

Politikanët e Tiranës janë mjaftuar vetëm me ndonjë pritje disa minutshe nëpër zyrat e parlamentit, të qeverisë e të ndonjë selie politike partiake, dhe vetëm kaq të përfaqësuesve të Preshevës,  dhe  po me vetëm me kaq ka përfunduar edhe patriotizmi siperfaqësor i tyre.

Popullsia shqiptare e Luginës është komuniteti më i persekutuar dhe më i diskriminuar në Europë të cilit i rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca nën Serbi.

Pse politika e Tiranës dhe e Shqipërisë deri më sot kurrë nuk u interesuan për liritë dhe për statusin e shqiptarëvëe të Luginës, por politikanët e pushtetarët shqiptarë si në Tiranë edhe në Prishtinë “krenohen” ndërkombëtarisht për liritë dhe të drejtat që kanë serbët dhe komunitetet minoritare të tjera në Kosovë si askund tjetër në Botë.

Pa ndihmën e SHBA-ve kryesisht ,Tirana dhe Prishtina politike vetë, as sot  nuk janë në gjëndje as që ta marrin me luftë Luginën, por nuk kanë  as vullnet  dhe as takat  as që t’i mbrojnë shqiptaret e Luginës ashtu sikurse bën Beogradi për serbët e Kosovës.

Kjo duket haptazi, pasi haptazi  dhe me  shumë, shumë  pak perjashtime   politika dhe politikanët e Tiranës e Prishtinës shprehen madje edhe kundër Bashkimit të Luginës me Kosovën, Bashkim i cili  është zgjidhja më e mirë  dhe e duhura, por  edhe pasi  Bashkimi është e drejta kombëtare e shqiptarëve të Luginës pët tu bashkuar me Kosovën së vilës Lugina i përket  si  pjesë e saj .

Dhe në këtë realitet  çfarë duan, intrigojnë, shpifin dhe pengojnë jo vetëm politikanët e pushtetarët nga Tirana e Prishtina por edhe langojtë opinionistë e mediatikë të cilët shprehen dhe deklarohen kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Pra,  çfarë kërkojnë këta zhurmues të pahajër e rrëmujxhinj mediatik  të cilët nuk kanë bërë asgjë për çështjen kombëtare përveçse  dëm, zhurmë , llafollogji e llapazani shterpë.Thaçi  ka të drejtë kur shprehet për bashkimin e Luginës me Kosovën dhe duhet mbështetur ashtu sikurse nje gjë të tillë ta kërkonte edhe cilido shqiptar dhe jo vetëm politikan .

Kërkesa për bashkimin e Preshevës me Kosovën ka avantazhin e vet të madh pasi së pari ajo e ndërkombtarizon problemin shqiptar dhe ekzistencën e tij në Luginë; së dyti duke kërkuar maksimumin, Bashkimin e Preshevës me Kosovën i cili është shumë i vështirë për t’u arrirë pa pëlqimin e shteteve të fuqishme euroatlantike kryesisht nga SHBA , aleati i madh dhe strategjik i shqiptareve,por ama kjo kërkesë është presion si ndaj  ndërkombëtarve ashtu edhe për serbët sepse u thuhet  drejtpërsëdrejti  dhe u kërkohet me të drejtë se: ju po na flisni shumë dhe po kërkoni   dialog dhe për bashkësi komunash serbe në Kosovë,por që të bëhen këto atëhere duhet që po këto të drejta t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.

Besoj se nuk është shumë e nevojshme për ta argumentuar më tej se Lugina dhe popullsia shqiptare e saj ka të drejtën kombëtare të pamohueshme për të fituar liritë dhe të gjitha të drejtat kombëtare atje si dhe Bashkimin e saj me Kosovën.

Nuk e di se ku e gjejnë justifikimin dhe guximin  ata shqiptarë të cilët ngurrojnë dhe madje edhe shprehen kundër këtij bashkimi. Këta mjeranë e frikacakë që nuk janë në gjëndje për të bërë asgjë, janë si puna e atyre badiavaxhijve  patriotë të cilët flasin klubeve e kafeneve të Tiranës e Prishtinës dhe shkruajnë në ndonjë gazetë e portal si dhe rrahin gjoksa në azil për patriotizëm e atdhe por që nuk kontribuojnë gjë tjetër veçse ngatërresa, fantazira , trille  e pengesa kombëtare.

Kush ëshë kundër dhe kush hesht e nuk është  për Bashkimin e Preshevës me Kosovën ata janë të parturp sepse kjo provon se ata nuk janë fare të interesuar as për shqiptarët e trojet e tjera shqiptare jasht shtetit të Shqipërisë e Kosovës si në Maqedoni, Mal të Zi e në Greqi por u intereson vetëm interesi i vet politik dhe interesi për pushtet të korruptuar .

Kjo shpurë  shqipfolësish  kundra Bashkimit të Luginës me Kosovën është konform dhe në përputhje me “shqetësimin” sllavo-grek të cilët po i tmerron fakti se me Pavarësinë e Kosovës ka filluar zgjidhja e problemit të pazgjidhur akoma në Ballkan, i cili është problemi shqiptar i krijuar 100 vite më parë padrejtësisht  nga  Europa dhe i zbatuar me ndihmën po të Europës  dhe mbajtur i coptuar  nën pushtim  me mizori, krim, terror e genocid nga shtetet fqinje shoviniste antishqiptare.  

Skënder Sadri KAPITI Durrës. Autor i Librit “TRIUMFI I KOMBIT”