“BARDHËSITË E ATDHEUT”, ËSHTË LIBRI MË UNIVERSAL, MË GJITHËPËRFSHIRËS DHE MË I KOMPLETUAR QË ËSHTË BOTUAR DERI MË TANI.

BARDHËSITË E ATDHEUT”, ËSHTË LIBRI MË UNIVERSAL, MË GJITHËPËRFSHIRËS DHE MË I KOMPLETUAR QË ËSHTË BOTUAR DERI MË TANI.

 

BARDHËSITË… PASQYRË E ATDHEDASHURISË

 Afrim Mustafa, „BARDHËSITË E ATDHEUT, Enciklopedia e dëshmorëve të luftërave të UÇK-së 1997 – 2002“, botoi: Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Prishtinë, Radio “Zëri i Sharrit” dhe Shtëpia Botuese “NEWBORN PUBLISHING”, Prishtinë 2014, ISBN: 978-9951-8818-1-4

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Vepra “Bardhësitë e Atdheut”, është radhitur si libër enciklopedik me rëndësi kapitale për autorin, për shoqërinë dhe për historiografinë e Kosovës. Afrim Mustafa, shquhet si mbledhës i kujdesshëm i shënimeve për dëshmoret dhe të rënët në luftë, kurse libri është dëshmi e Luftës së Kosovës dhe luftërave të tjera në hapësirën shqiptare në Ballkan.

Libri “Bardhësitë e Atdheut” është ribotuar disa herë, (shqyrtimi ynë ka të bëjë me një botim të vitit 2014), por secili botim i mëvonshëm është plotësuar dhe është zgjeruar me portrete dhe të dhëna të reja për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, duke e bërë librin një Enciklopedi e sojit të vet, një përkushtim i rrallë për t’i publikuar të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe veteranë e luftëtar të Luftës së Kosovës 1998-1999.

Autori është përkujdesur në aspektin profesional për të angazhuar emra të njohur të luftës, shkencës dhe fesë, me të cilët ka krijuar stafin e librit, një vlerë tjetër universale e cila bartet edhe në brendësinë e librit. Në mesin e këtij stafi janë: Dr. Jakup Krasniqi, Akad. Esat Stavileci, Akad. Pajazit Nushi, Dr. Don Lush Gjergji, Gjen. Kurdisi Lama, Dr. Jahja Drançolli, Dr. Teuta Hadri, Mr. Naim Tërnava etj. Ndërsa diku në brendësi në një faqe të plotë është “Ekipi këshillëdhënës i monografisë”, që kanë ndihmuar autorin për mbledhjen e të dhënave, duke i falënderuar ata publikisht, për vete ka dëshmuar vlerë intelektuale dhe qasje humane.

Libri “Bardhësitë e Atdheut”, hapet me Tri emblemat e UÇK-së të shoqëruara me tekstit e Betimit të cilin e ka bërë ushtari në luftë. Pastaj është fjala e kryerecensentit Dr. Jakup Krasniqi, atëherë kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e në vazhdim janë prezantuar: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Adrian Krasniqi, Xhevë e Fehmi Lladroci, Ismet Jashari, Mujë Krasniqi, Ilaz kodra, Halit Geci, Gursel e Bajram Sylejmani, Salih Çekaj, Ilir Konushevci, Gjylsere Saiti, Bekim Berisha, Hyrë Emini, e shumë të tjerë.

Në parathënien e shkruar nga vet autori, ka vlerësuar kontributin e secilit intelektual, luftëtar dhe veprimtar për kauzën kombëtare duke ua përmendur meritat gjithë secilit. Këtë vlerësim autori e ka bërë edhe për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova për të cilin shkruan: “Pa mëdyshje, një nderim të jashtëzakonshëm me veprimet e TIJ Madhore e Thellëpërkushtuese për Kosovën, për Lirinë dhe për Pavarësinë e saj dhe për gjithë Shqiptarinë, na dha deri në fund të Jetës së tij, Presidenti Historik i Kosovës, Dr. IBRAHIM RUGOVA (1944 – 21 janar 2006). Rugova, Ky Binom i të Mirave Kombëtare, e veçanshëm Kontribuues dhe Ndërtues Unikat i Lirisë së Republikës së Kosovës, do të kujtohet e nderohet përjetë e mot, bashkë me të gjithë ata që dhanë edhe Jetën për Ditët që sot i jetojmë. Emri dhe Vepra e Presidentit Historik janë frymëzim dhe sinonim i unitetit të Veçantë e të Jashtëzakonshëm që reflektoi AI në jetë, në veprim e në punë për Liri, Pavarësi e Sovranitet Gjithëkombëtar…”. Po me këtë elan, po me këtë përkushtim, ua përmend meritat edhe Prof. Dr. Fehmi Aganit, Anton Çettës, Ali Hadrit, Zekiria Canës, Gazmend Zajmit, si dhe ka shkruar për dhjetëra femra-dëshmore të UÇK-së, duke radhitur më pas personalitete të shquara ndërkombëtare të cilët kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës, siç janë: Presidenti Amerikan Bill Klinton (Bill Clinton), bashkë me Hilari Klinton (Hillary Clinton), Medlin Olbrait (Madeleine Albright), Vesli Klark (Wesley Clark), Riçard Hollbruk (Richard Holbrooke), Xhorxh Robertson (George Robertson), Xhemi Shea (Jamie Shea), Barak Obama (Barack Obama), Toni Bler (Tony Blair), Zhak Shirak (Jacques Chirac), Viliam Valker (William Walker), Angela Merkel e shumë të tjerë, të cilët kompletojnë më mirë angazhimin e secilit prej tyre për pavarësinë e Kosovës.

Në libër ka shënime të tjera për personalitete me ndikim, qoftë në aspektin humanitar e liturgjik siç është “Nënë Tereza”, por autori nuk ka ngurruar ti citon e përmend të gjithë shqiptarët që kanë ndikuar në imazhin pozitiv për Kosovën, siç janë sportist e artis të ndryshëm, këngëtar e krijues artesh të cilëve iu janë theksuar meritat për përhapje të imazhit pozitiv për Kosovën. Natyrisht, kjo dyndje kaq e madhe, nuk ka kaluar pa ndonjë defekt, duke mos u pasqyruar drejt dhe saktë, por qëllimi i autorit duket i qartë, ai mbron idenë për të ndërtuar konceptin e librit duke e prezantuar sa ma mirë kontributin e secilit, sepse për të ardhur Vendi Ynë deri këtu, është dashur angazhim i secilit, andaj autori ka bërë përpjekje që ti ketë të gjithë brenda librit të tij.

Një pjesë e madhe e kësaj enciklopedie iu ka kushtuar dëshmorëve, heronjve, dhe luftëtarëve, prezantimi i tyre i nënshtrohen kriterit të alfabetit, për të cilët autori ka bërë edhe shënime biografike të cilat janë shoqëruar edhe me fotografinë e protagonistëve.

Me të njëjtën metodologji, autori ka vepruar edhe me dëshmorët dhe martiret e UÇPMB-së për Kosovën Lindore dhe të rënët në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Afrim Mustafa ka publikuar një listë me Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka dhënë edhe një shpjegim se lista nuk është përfundimtare, për të cilën ka premtuar se do të ndryshohet, do të shtohet dhe do të plotësohet nga botimi në botim. Në këtë kapitull është publikuar edhe lista e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe për Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trevën e Maqedonisë si dhe një listë ku i ka prezantuar edhe 71 dëshmorë e luftëtar nga Shqipëria të cilët kanë qenë të angazhuar në luftërat e shqiptarëve për pavarësi, si dhe një listë e grave dhe vajzave shqiptare që janë dëshmore të lirisë së Kosovës.

Bardhësitë e Atdheut”, është libri më universal, më gjithëpërfshirës dhe më i kompletuar që është botuar deri më tani. Aty janë prezantuar protagonistet kryesor të luftës, secili në kohën e vet, dhe secili në betejën e caktuar. Siç duket autori nuk ka bërë ndarje, aq më pak anatemime për të rënët për lirinë e atdheut. Të gjithë ata që janë flijuar dhe kanë kontribuar për luftën kanë zënë vend brenda Enciklopedisë “Bardhësitë e Atdheut”, me autor Afrim Mustafa.

Brenda librit, Afrim Mustafa, ka botuar, reportazhe, portrete dhe raporte nga fronti i luftës, nga tubime e manifestime të shumta, nga përvjetor të caktuar, si dhe shumë mendime – recensione për librin “Bardhësitë…”. Padyshim, Afrim Mustafa, ka punuar pareshtur për ta kompletuar sa ma mirë veprën e cila jo vetëm për kah volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre i botuar gjer më tani në Kosovë. Prandaj mendojmë se vetëm me një përkushtim të kësaj natyre mund të dëshmohet e vërteta, dhe autori ta kurorëzoj me sukses veprën e tij, e cila do të rrojë dhe do të dëshmoj edhe atëherë kur vet autori nuk do të jetë në mesin e të gjallëve.

Përfshirja e portretit të Afrim Zhitisë, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të tjerëve, e bënë lidhjen e një vazhdimësie të përpjekjeve për liri e pavarësi që e kanë bërë breza të shumtë shqiptarësh, sikurse prezantimi i klerit mysliman e kompleton edhe më tej konceptin e Enciklopedisë, brenda së cilës krijohet përshtypja se është një Kosovë e Vogël. Aty janë përfshirë, gazetar, rapsod, veprimtar dhe mërgimtar, si dhe qytetar të tjerë të cilët me angazhimin e tyre, me dijen e tyre kanë dhënë shumë për vendin, shoqërinë dhe njerëzimin, në mesin e të cilëve janë prezantuar: Afrim Maliqi Haki Braha, intelektual e shkrimtar si Fehmi Agani, Latif Berisha, Ymer Elshani, Bardhyl Çaushi, Bajram Kelmendi me fëmijët e tij etj. Kësaj enciklopedie ia shton vlerën edhe lista e dëshmorëve të Kosovës të rënë mes viteve 1964-1992, të cilët autori i kategorizon. 1- Të vrarë me atentat, 2- Të vrarë në luftim, 3- Veprimtarë të mbytur në burg, 4- Të vrarë në demonstrata, e më pas është publikuar edhe Lista e 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Kosharës, si dhe lista të tjera, statistika të shumta dhe fakte që tronditin secilin lexues, sidomos prekin ndjenjën e atyre që luftën e mbijetuan me sakrifica të shumta.

Afrim Mustafa, me këtë vepër të përmasave enciklopedike, ka arritur të bëhet emër më i dashur, sepse t’i publikosh ngjarjet të cilat i ka sistemuar në këtë libër është një përjetësim i heroit, është një ringjallje e faktit dhe dëshmisë, po më shumë ringjallje e kujtesës për dëshmorin a heroin që u flijua për lirinë. Kjo që theksuam është një karakteristikë e rrallë, vlerë kjo që do të mbetet përgjithmonë, prandaj regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, është një respekt i drejtpërdrejt për atë luftë ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim e respekt për heronjtë dhe dëshmorët si dhe të rënët tjerë, po më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi.

Autori duke qenë reporter i drejtpërdrejt i luftës së UÇK-së, dhe duke kryer gjatë asaj lufte punë me rëndësi të veçantë, substanca e prezantuar në libër është koncept i asaj kohe kur nuk dihej kush fiton, e kush shpëton, por si koncept mjaftë i kompletuar dhe si mënyrë tejet fisnike. Afrim Mustafa, është ndër personalitetet e pakta i cili zhvillimet e luftës nuk i sheh të ndara, ai në enciklopedinë e tij i ka përfshirë të gjithë dhe të gjitha kategoritë, libri shënon hapin konkret profesional për t’i përfshirë të gjithë dëshmorët e të tri luftërave të UÇK-së, sepse ideali i tyre ishte Liria e Atdheut dhe përparimi i vendit. Në këtë pikë Afrim Mustafa e ka përmbushur misionin e tij të luftëtarit për t’ia sjellë Kosovës Lirinë, kurse me misionin e gazetarit sikur ka dhënë mesazh për t’u afruar edhe në fushat tjera të përbashkëta.

Përveç figurave të rëndësishme komanduese e udhëheqëse të luftës, Afrim Mustafa ka publikuar edhe një listë me ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave në mes viteve 1981-1992. Në Enciklopedi, janë publikuar portrete me emrat e dëshmorëve, duke i formuar listat sipas rretheve e regjioneve dhe komunave të caktuara, por autori në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, ka arritur t’i përfshijë pothuajse të gjithë dëshmorët e rënë heroikisht në luftëra: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni. Në këtë enciklopedi prezantuar dhjetëra-mijëra dokumente, dëshmi e fakte të rëndësishme për historiografinë kombëtare, duke filluar nga vitet 1900 e gjerë në vitin 2002. Me këtë vepër autori ka treguar se Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për lirinë e vendit, për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh, prandaj janë përfshirë edhe figura të rëndësishme të viteve 1943-1945, pastaj të viteve 1968, 1981, 1989 etj. Pra, nga Shaban Polluzha e Mulla Idriz Gjilani te Fazli Graiçevci, nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën te Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Ylfete Humolli etj. dhe kjo nuk mund të jetë vetëm rastësi?!

Por siç e mban edhe titullin, enciklopedia i kushtohet Luftës së UÇK-së, në qendër të trajtimit janë: Adem, Shaban e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadanin e Salih Çekajn, Ilaz Kodrën , Fehmi e Xhevë LLadrovci, vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani etj. por edhe Dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Anton Çetta, Latif Berisha, Bajram Kelmendi dhe personalitetet të tjera të cilët bëhen pjesë e “Bardhësisë intelektuale!”.

Në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, janë përfshirë edhe dëshmorë të veçantë siç janë shqiptaro-amerikanët, përkatësisht vëllezërit: Mehmet, Agron dhe Yll Bytyçi, si dhe disa dëshmorë nga shtetet e huaja: Algjeriani, Murad Muhamed Ali, francezi, Arnaud Pierre Paillard dhe italiani, Françesko Bider Biella. Libri enciklopedik “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa, përmbyllet me fotografitë dhe shënimet për 45 presidentët amerikanë, që nga Xhorxh Washington (Georg Washington), e deri te presidenti aktual.

Shikuar në përgjithësi enciklopedia e Afrim Mustafës, është qasja dhe përpjekja më reale e një autori për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale. Kjo vepër e bënë Afrim Mustafën gjurmues dhe hulumtues të zellshëm, kryesisht i pasionuar pas së vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara. Ai duke shfrytëzuar burime të shumta dhe të ndryshme e ka bërë faktin më të besueshëm kurse qasjen e trajtimit mjaftë serioze.

Sigurisht pjesëmarrja e drejtpërdrejt e autorit në luftë ka ndikuar edhe në konceptin e Enciklopedisë e cila si e tillë është libër mjaftë i kompletuar. Këto gjurmime dhe hulumtime i bëjnë secilit nder, sepse mbledhja dhe publikimi i gjithë këtyre të dhënave brenda një libri, jo vetëm për dëshmorët e rënë për liri, por iu ka bërë një nder të veçantë familjeve dhe familjarëve të tyre duke i dhënë dimension më universal veprës “Bardhësitë e Atdheut”, andaj do të ishte mirë sikur institucionet e Kosovës për ta ndihmuar autorin, në mënyrë që enciklopedia edhe në aspektin teknik të ketë parametra të lartë dhe libri gjithsesi të botohet me ngjyra, pasi ia shton vlerën artistike në njërën anë, kurse në anën tjetër tregohet edhe përkushtimi i shoqërisë për dëshmorët, sepse autori (edhe kështu siç është ky libër), e ka kryer misionin e tij në raport me ATA që na sollën lirinë!

Brenda “Bardhësisë së Atdheut”, janë prezantuar dëshmi e fotografi për masakrat e terrorit serb, në fshatrat Reçak, Abri, Stagovë, Izbicë, Rakoc, Lybeniq, Suharekë, Kotlinë, Llashticë, si dhe në Sllupçan të Kumanovë në maj të vitit 2001. Gjithsesi libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheuti Afrim Mustafës, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur me i mbajtur të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Libri “Bardhësitë e Atdheut”, i Afrim Mustafës mund të trajtohet edhe në dimensione të tjera, sigurisht këtë do ta bëjnë specializant dhe kompetent në fusha përkatëse. Por Afrim Mustafa dhe shoqëria jonë e kanë sfida të madha para vetës, për të vazhduar mbledhjen dhe sistemimin, pse jo edhe publikimin e atyre të dhënave që nuk janë prezantuar këtu dhe në botime të tjera të autorit, si dhe nëpër librat e kësaj natyre me autorë tjerë. Këtë obligim karshi autorit e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët dinë dhe kanë fakte të reja, duhet t’ia afrojnë autorit për t’i radhitur e sistemuar.

Mendoj se po me këtë përkushtim ndaj luftës dhe të rënëve duhet të paraqiten edhe përpunues teknik të fotografive në mënyrë që fytyra e luftëtarit dhe e dëshmorit të duket pasqyrë e tashmes dhe e lirisë së Kosovës, tamam ashtu siç ishte e pastër Lufta e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Autori, Afrim Mustafa, e ka përmbushur misionin e tij prej luftëtari, i cili në Lirinë e Kosovës, historiografisë shqiptare ia dhuroi një vepër me përmasa të një enciklopedie nacionale!…

 

St. Gallen, 17.07.2018