BABËLOKUN E KOSOVËS PO E KTHEJNË NË MAL?!

BABËLOKUN E KOSOVËS PO E KTHEJNË NË MAL?!

 Struktura nga “LIDHJA” dhe vartësit e tyre pasi e shkatërruan Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pasi me votën e tyre e bënë Hashim Thaçin President të Kosovës po krrokasin kundër tij, kurse në anën tjetër kanë vendosur dr. Ibrahim Rugovën, nga akademitë dhe urbanizmi ta kthejnë në pyll?!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Këtyre ditëve, duke i përcjellë zhvillimet politike në Kosovë, mu kujtua një polemikë e ashpër me ”Kosovapressin”, të cilën e patëm bërë në muajin tetor të vitit 1999, atëherë kur ishte shumë ma nxehet se sa tashti, pasi pushkët e luftës ende ishin të nxehta, atëherë kur një brez që zbriti nga mali, me të drejt krenohej se ia sollën lirinë atdheut. Po ashtu më kujtohet se sojnikët e Isa Mustafës e të Bujar Bukoshit, nuk guxonin të bënin zë, pasi ishin ata që e kishin sabotuar luftën, madje duke ua kthyer shpinën edhe heronjve, edhe atyre në Rrasë të Zogut, më të cilët po mburren si me teprim në Vitin 2018.

Në muajin shtator 1999, pata raportuar nga një tubim i një Nëndege të LDK-së në Zvicër duke potencuar një të vërtetë të pamohueshme për kontributin edhe të LDK-së në të gjitha zhvillimet politike, duke mos përjashtuar as Luftën e Kosovës, pasi dy Degët e LDK-së në Diasporë, ajo në Zvicër dhe Gjermani, qysh në vitin 1991 / 1992, kishin nisur përgatitjet për luftë, prandaj nuk kisha asnjë arsye të mos ua përmendja sepse ishte mu ashtu. Në atë kohë sojnikët e tanishëm të Isa Mustafës e të LIDHJES, as që guxonin të dëgjoheshin sepse i dinin tradhtitë që ua kanë bërë proceseve, se sa për ta mbrojtur LDK-në dhe të vërtetën as që iu shkonte mendja.

Këta sojnik u bënë të zëshëm duke morë yrysh vetëm pasi Babëloku i Kosovës shkoi në qiell për ta vëzhguar LDK-në nga lart. Tash nga qielli Ai shikon për çdo ditë se si po e shkatërron Isa Mustafa Partinë dhe Shtëpinë e Tij. Po e shikon edhe sortën e LIDHJES që e bënë Hashim Thaçin President, tash lehmat e tyre për shtetin e kriminalizuar janë çjerrje të hienave, janë pallavra të kuluara. Këta sojnik po harrojnë se edhe vet në mënyrë kriminale janë kapërthurur në krye të LDK-së, jo si strukturë partiake, por si racë komuniste që ishin trajnuar te Instituti “RIINVEST”, i themeluar në vitin 1994, atëherë kur Serbia i mbylli shkollat dhe Universitetin, por e hapi seksionin e tyre për trajnim, e jo krejt rastësisht Isa Mustafa ishte aksionar, në kohën kur ishte ministër i Qeverisë së Bukoshit në ekzil.

Tashmë “LIDHJA” e Isa Mustafës, ka marrë yrysh për ta sharë e përbaltur edhe më tej Familjen Rugova dhe vet Presidentin Historik, kjo sortë gjithmonë kanë gjetur shkas për të sharë e njollosur dr. Rugovën. Edhe atëherë kur Rugova shkonte në Amerikë këta e shanin, e sabotonin, ia rrudhnin financat, edhe kur ishte flaka e Luftës në Kosovë këta e kanë sabotuar, por jo LDK-ja e as Rugovistat e vërtetë. Janë paret e shumta që ka derdhur Bujar Bukoshi e Isa Mustafa për ta krijuar hendekun e tmerrshëm në mes LDK-së dhe UÇK-së, pikërisht po shajnë ata që deri vonë ishin diplomat të privilegjuar në Konsullatat e Serbisë në Francë, po shajnë edhe ata që e tradhtuan dje Heroin Salih Çekaj e sot për hatër të Isa Mustafës i shkatërruan Ibrahim Rugovës edhe Degët e LDK-së në Diasporë, ato degë që i gjetën në ditët ma të vështira. Shajnë ata e këta që nuk lanë marre pa bërë, tash na çirren se po duan ta ruajnë Shtetin e Kosovës nga Presidenti që vet e kanë votuar dhe i kanë zgjedhur strukturat që tashti po iu thonë “kriminale”?! Shajnë dhe po mallkojnë pasi kanë detyrë për ta shkatërruar Kosovën dhe për ta degraduar sa të munden personalitetin e dr. Ibrahim Rugovës. Kazma e tyre në të gjitha anët dhe nga të gjitha anët po bie mbi Kosovë nga hienat e klanit LIDHJA!… Ja një Driton që po errëson mbi Familjen Rugova, do t’ia kishte lakminë edhe vet diktatori Hoxha, kur do ta dëgjonte një sojnik nga LIDHJA që flet në emër të Ibrahim Rugovës, kurse në anën tjetër bënë thirrje për ta lëçitur e përjashtuar edhe nga Familja Teutën, për t’ia mohuar asaj bazën elementare të demokracisë që ka deputeti. Eu Driton Selmanaj, faqja e zezë, po deputet je bërë në emër të LIDHJES pa qen kurrë anëtarë i LDK-së?!…

Por të kthehemi tek polemika me “Kosovapressin”, që në atë kohë si me teprim u zemërua, madje duke e klasifikuar atë shkrim si “Dërdëllisje e zërave të shterur”, (Kosovapress, 02 tetor 1999), e madje me mburrje kanë shkruar se “Kosovapress kishte zbritur nga mali?!”, prandaj në përgjigjen e datës 04 tetor 1999, me titull “Kosovapressi ka zbritur nga mali?!”, shokët e “Kosovapressit”, i pata ironizuar se “meqenëse ata pranojnë se kanë zbritur nga mali, ndoshta iu duhet kohë deri sa të klimatizohen me gjuhën qytetëruese që e kanë në metropolet botërore…”, (Rilindja, 04 tetor 1999), tash kur gjërat shikohen në retrospektivë, gjuha kërcënuese, vulgare dhe perverse është bartur tek LIDHJA e Isa Mustafës dhe sojnikët e tij. Deri sa “Kosovapressi”, është shndërruar në një agjenci shtetërore e lajmeve, Isa Mustafa e ka mbyllur Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), askush nga këta që po shajnë Familjen dhe Ibrahim Rugovën nuk kanë reaguar, madje as Kryesia e LIDHJES që me puç ka pushtuar LDK-në.

Deri sa sot ata “Djem që zbriten nga mali”, janë shkolluar dhe emancipuar drejtojnë agjenci shtetërore, drejtojnë katedra e akademi, “LIDHJA” e Isa Mustafës, dhe fshatarë të ramë në Zvicër, paskan vendosur ta kthejnë dr. Ibrahim Rugovën në MALE, atje t’ia bëjnë “Kullën dhe rrethojat prej muri e prej guri”, sigurisht për mos ta kafshuar kanibalizmi i egër njerëzor?!

Derisa Ibrahim Rugova ishte aristokrati më francez i Kosovës, njeriu që punoi për të dal jashtë rrethojave të Kullës e Mureve, dikush ngrit Kulla e rrethoja për Babëlokun duke e hequr nga Akademitë nga Institucionet Evropiane të Kosovës, për ta kthyer në Mal, për ta mbyllur në Kulla?! Në anën tjetër të gjithë ne e dimë se shoqëria jonë u dashtë të kaloj nëpër etapa të emancipimit urban, sojnikët e Isa Mustafës, po e kthejnë pikërisht dr. Ibrahim Rugovën në mal, intelektualin dhe politikanin ma evropian që e pat Kosova.

Vërtetë një paradoks i llojit të vet. Një konflikt mediokritetesh që bëjnë në kohë moderne Kulla e rrethoja, por le ta dinë se dr. Rugova nuk punoi për rrethoja, përkundrazi ai i prishi ato për të ndërtuar ura komunikimi, në kohën e tij dhe në frymën e tij u bënë Pajtimi i gjaqeve, dolën nga rrethimi e rrethojat e trishtuara. Padyshim dr. Ibrahim Rugova ishte, mbase i vetmi intelektual dhe politikan që sillej si aristokrat evropian në mes të Prishtinës dhe kudo që shkoi, pra vetëm Ai bëri Epokë!…

Janë këto arsye pse themi se emri i tij i bënë nder Kosovës, andaj do të duhej të përtërihej në kopshte fëmijësh, në shkolla e sheshe urbane, në biblioteka e institucione edukativo arsimore dhe në institute për studime përkatëse: Pse të mos hapej një katedër për studime në filozofinë e tij, filozofinë e mirësisë, butësisë, emancipimit intelektual, të mësohej më mirë filozofia e bashkimit por jo e përçarjes, të bëhej ritual filozofik falja e afrimit, pra të krijohet filozofia e institucionalizimit dhe e dashurisë për Kosovën.

Tash, shoqëria primitive dhe ca fshatar të ramë në Zvicër, iu kthyen Kullave dhe mureve nga guri, por kanë harruar ose nuk e dinë se ato ngrehina prej guri i përkasin një periudhe të shkuar ma të hershme. Nuk kthehet rrota e historisë mbrapa, sikurse as Mesjeta nuk mund të kthehet në kohë moderne, prandaj nuk është dashur asnjë Kullë e re të ndërtohet në Kosovë, asnjë për be?!…

Kosova është dashur të ndryshoj karshi mentalitetit evropian dhe në të njëjtën kohë me fanatizëm t’i ruaj e konservoj ato monumente që mbeten nga lufta, t’i rindërtoj ato Kulla që u shkatërruan dhe t’i shpalli monumente të kulturës dhe traditës ashtu siç bëjnë kombet e emancipuara. Ta zëmë Zvicra i ka të njohura shtëpitë prej druri, (Fachwerkhaus), por sot të tjera nuk ndërtohen as nuk lejohen sepse ngatërrohen periudhat të cilat munden ekspertet dhe profesorët e arkitekturës t’i shpjegojnë në mënyrë profesionale, ndërsa në Kosovë shtresa e pa arsimuar dhe fshatarësia primitive i ka ngatërruar gjërat duke sjellë kaos edhe në planin urban në Kosovë.

Nuk është dashur të lejohet asnjë përmendore që e kthen Kosovën në vitet e dyzeta, sepse janë imitime të epokave të mentalitetit sovjetik. Tashmë Kosova është në krizë të madhe, nga soji i LIDHJES dhe të trajnuarit në RIINVEST, të cilët me sukses kanë eliminuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës themeluesit dhe shtresën elite, veprimtarët e ndërgjegjshëm dhe diasporën.

Tash në LIDHJA e jo në LDK, kanë ardhur sojnik jashtë strukturave partiake, janë ngjitur e kapërthurur në maja të LIDHJES që i prinë një kufomë e gjallë, dhe nga aty brohorasin se Shteti i Kosovës qenka rrezikuar nga Presidenti që vet e kanë votuar, vet e kanë mandatuar dhe tashti Stafi “LIDHJA”, për konsum patriotik lëshon deklarata e bënë selfie pa u merakosur se u bënë horë.

E krejt në fund mund të konstatojmë se Partia e Ibrahim Rugovës, po udhëhiqet nga fshatarë sovjetik të cilët paskan vendosur që Aristokratin Evropian të Kosovës ta kthejnë në mal?!….

St. Gallen, 05.09.2018