“AZEM BEJTË GALICA”- VEPRA MË E MIRË MONOGRAFIKE

Bedri TAHIRI

 “AZEM BEJTË GALICA”- VEPRA MË E MIRË MONOGRAFIKE

Sot, Bashkimi i Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë, në amfiteatrin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në mënyrë solemne mbajti për herë të parë AKADEMINË E ÇMIMEVE VJETORE 2017.

Libri im “AZEM BEJTË GALICA” (Botim i dytë i plotësuar) u vlerësua vepra më e mirë monografike.

Ky çmim, që më nderon dhe njëherësh më motivon, ka edhe të veçantat e veta.

E para, vjen nga një Bashkim Kulturor, që tashmë po vërtetohet saktë se Ribashkimin tonë kombëtar më parë se politika do ta bëjë vetë kultura!

E dyta, vjen nga Prizreni historik, kryeqyteti i shqiptarëve, ku para 139 vitësh është hartuar Programi ynë gjithëkombëtar!

E treta, botimi i parë i këtij libri monografik, pos që frymëzoi luftëtarët e lirisë nëpër male, qe vlerësuar edhe nga albanologu austriak Prof. Dr. HERMANNN OLBERG, letrën e të cilit po e paraqes më poshtë:

 

I nderuari z. Bedri Tahiri

Ju përgëzoj për botimin e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili hedh dritë mbi luftërat e pandara te Popullit Shqiptar për Liri e Pavarësi. Është shumë interesante përmbajtja e kësaj monografie mbi luftëtarin dhe trimin e patrembur shqiptar, Azem Bejtë Galica, që pasqyron ndjenjat patriotike dhe të kaluarën e hershme Krishtjane të popullit shqiptar, që para ardhjes së Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme nën sundimin serb.

Ky libër është, jo vetëm dokument Historik,  që ju me zbulimet e fakteve të reja historike e të gojëdhënave të popullit e bëjnë edhe më interesante kur dihet se vlerat e rëndësishme Historike nga e kaluara e popullit shqiptar janë të pakta, si pasojë e sundimeve të ndryshme, që nga Perandoria Osmane e deri në ditët e sotme, nga pushtetmbjatësit e metejshëm me dhunë të Kosovës që çdo gjë shkatërrojnë e mohojnë, jo vetëm historinë e lashtë shqiptare, por mohojnë edhe besimin e tyre të hershëm krishtjan, me qëllime e prapavijë të caktuar politike, duke mbrojtur tezën e tyre se shumica e popullsisë së sotme i takon atij besimi musliman dhe në këtë mënyrë dëshirojnë mohimin e prejardhjes shqiptare nga paraardhësit e tyre ILIR, duke mos përmendur njëherit edhe elementet krishtjane të popullit shqiptar para ardhjes së pushtuesve turq në Ballkan.

          Në anën tjetër, vepra Juaj pasqyron edhe dëshirën e zjarrtë të popullit tuaj për liri dhe sakrificat e parreshtura drejt Çlirimit Kombëtar. Unë si Albanolog ju uroj juve dhe mbarë popullit shqiptar suksese të plota deri në fitorën përfundimtare, në mënyrë që edhe shqiptarët, si gjithë popujt e tjerë ballaknikë e evropianë të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem të zgjidhet në mënyrë paqësore.

          Ju falënderoj shumë për dërgimin e një ekzemplari ku krahas librave të tjerë të Letërsisë Shqipe do të zë vend edhe kjo monografi e Azem Bejtë Galicës.

          Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në idealin e juaj Kombëtar!

 

Me respekt,

                                                           Univ. Prof. Dr.HERMANNN OLBERG

                                                            Innsbruck

 *  * *

Faleminderit Kryesisë së Shoqatës dhe Komisionit vlerësues!

Prizren, 23 dhjetor 2017