AVNI RRUSTEMI

Nga: Mehmet Bislimi

AVNI RRUSTEMI

Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e “pushtet” nën tutelën e pushtuesve, pushtet nën pushtim!
Avni Rrustemi, lindur në Libohovë, në vitin 1895 në gjirin e një familjeje atdhetare me tradita të lashta përparimtare. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e tij. I etur për dituri, mësimet i vazhdoi në normalen e Elbasanit e më pas edhe në Shën Mitër Korone, ndërkaq studimet e larta për pedagogji i ndoqi në Universitetin e Romës.

Avniu, biri i Libohovës dhe i Shqipërisë, atdhetar dhe i patundur me orientime demokratike të kohës, duke parë gjendjen e rëndë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, ai „u shkri si qiriri“, i Namit i gatshëm për të dhënë çdo gjë nga vetja e tij si shembull i brazave djaloshare të kohës, qëllimi i të cilit ishte edukata e gjeneratës së re, e cila po rritej në një frymë krejtësisht përparimtare për t’i dalë zot shqiptarisë.
Avniu, me kohë i kuptoi më mirë dhe më qartë nga të tjerët qëllimet grabitqare të shteteve fqinje të cilat hapur e fshehur po synonin ri copëtimin e Shqipërisë, për fat të keq e gjitha kjo me mbështetjen dhe qëndrimin antishqiptar të disa prej Fuqive të Mëdha, të cilat nën ndikimin e Rusisë Cariste po mbyllnin njërin sy para invadimeve serbe, greke e bullgare në territoret shqiptare. Në këtë mes, edhe me qëndrimin e “imzanë” e Portës së lartë, e cila për më se pesë shekuj shqiptarëve ua kishte sjellë diellin mbi kokë! As një hap mbrapa Portës së lartë, nuk qëndronte as politika e Evropës plakë…

Duke vërejtur e përjetuar këtë përballje me këtë gjendje të rëndë, Avniu dhe bashkëluftëtarët e tij, nuk po rrinin duarkryq, ata kishin mobilizuar të gjitha forcat e veta dhe së bashku me rininë djaloshare po vepronin anë e kënd atdheut të shqipeve në mënyrë, që një ditë të afërt të ishin gati për t’i dalë atdheut zot. Avniu, ishte atdhetar, demokrat, revolucionar dhe intelektual, i cili çështjen e atdheut e kishte vënë mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën e tij. Ai, duke e ndier si nevojë të kohës që djemtë atdhedashës t’i mobilizojë dhe t’i ketë kurdoherë të gatshëm, për të qenë pranë e pranë, themeloi Shoqërinë Demokratike „Bashkimi“. shumë nga pikat e atij programi edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin e tyre. Ai ishte pjesëtar i denjë i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare mu në prag të Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924. Ishte kjo Qeveria e parë Demokratike në Ballkan e më gjerë që udhëhiqej nga bijtë më të devotshëm të shqiptarisë në krye me Fan Nolin e madh.

Avniu, punoi si mësues në Libohovë, pastaj në Tragjas të Vlorës, në Tepelenë e në Vlorë etj. Ai, ishte rreshtuar me kohë në mjedise atdhetarësh, që po përpiqeshin e luftonin me pushkën krahut për të zmbrapsur lakmitë e armiqve te Shqipërisë si dhe për të penguar përçarjen e vendit nga agallarë e bejlerë dritëshkurtër të asaj kohe, të cilët i kishte verbuar lakmia për prona e pushtet. Qëllimet e Avniut dhe bashkëmendimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, ishin të prera dhe të çarta: liria dhe pavarësia e tërësisë tokësore shqiptare mbi të gjitha, qëndresë, luftë dhe përpjekje për Shqipërinë e lirë, sovrane e demokratike, që do të jetonte në fqinjësi të mirë me të gjitha ato shtate që do ta respektonin parimin e vlerave universale ndërkombëtare.

Në vitin 1908, braktisi bankat shkollore dhe iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit. Më 1910, Avniu me kobure në dorë bëri përpjekje qe ta qëronte nga faqja e dheut, edhe gjeneralin otoman, gjakpirësin Shefqet Turgut Pasha, komandant i ekspeditës turke në Shkodër. Atëbotë, Ishte në moshë fare të re, por me veprimin tij të guximshëm, ai tregoi se si duhet të „dekorohen“ pushtuesit e tokave shqiptare dhe tradhtarët e vendit! Ky ishte një frymëzim i mirë për të gjithë popujt e pushtuar e në këtë kontest edhe për ne, që për liri dhe bashkim të vendit jemi përpjekur pareshtur ndër vite deri tek ditët e sotme, ku shumë bijë të devotshëm kanë ndjekur rrugën e Avni Rrustemit, Çerçiz Topullit, Ramadan Zaskocit, Mic Sokolit, Vasil Laçit, Vojo Kushit, e dhjetëra bijve tanë të devotshëm, që u flijuan për atdhe! Në vitin 1914, u radhit në radhën e forcave çlirimtare të vendit, që për pikësynim kishin çlirimin e Jugut të Shqipërisë nga pushtuesit grekë, të cilët ishin futur në tokat tona! Më 1918, Avniu e mori edhe një nismën për themelimin e Shoqërie atdhetare të të rinjve nga Vlora, që e pagëzoi me emrin: „Djalëria e Vlorës“. Drejtimin e shoqërisë e mori përsipër vet, dhe pa humbur kohë së bashku me bashkëveprimtarët e tij u vunë në një lëvizje të shpejt në mënyrë që më 28 Nëntor 1918, të organizonin një demonstratë të fuqishme kundër pushtuesit Italian, dhe këtë e arritën me sukses. Një vit më vonë, pra më 1919, në Shën Mitër, ai themelon edhe; „Lidhjen Rinisë Shqiptare“ e cila kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare etj.

Aktin madhor historik dhe heroik, Avniu e kreu më 13 qershor 1920, kur me atentat vrau në Paris Esat Pasha Toptanin, krye tradhtarin e vendit, veglën e shteteve fqinje, njëkohësisht edhe të fuqive të huaja dhe shitësin e interesave të Shqipërisë, me këtë akt trimërie Avniu tronditi Konferencën e „Paqes“ në Paris dhe prishi planet që bëheshin për ri copëtimin e Shqipërisë edhe ashtu të përgjysmuar! Ky akt heroik e historik i Avniut, që ekzekutoi në mes të Parisit tradhtarin e kombit Pasha Toptanin, ishte akt atdhetarie e vendosmërie që do t’iu binte kokës të gjithë atyre që do të guxonin të bënin pazar në dëm të tokave shqiptare! Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e “pushtet” nën tutelën e pushtuesve! Ai, në këtë mënyrë i tregoi botës se dora e popullit do t’i arrijë tradhtarët e kombit edhe përtej diellit!

Gjyqin e Parisit, që iu ngrit për ta dënuar atë, ai e shndërroi në një tribunë politike, ku mbrojti me konsekuencë të drejtat shqiptare, duke fituar kështu simpatinë e qindra intelektualëve të kohës, të cilët u solidarizuan me qëllimin e lartë të veprës së Avniut dhe me të drejtën e popullit shqiptar për të qenë i lirë në tokat e veta. Nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë organizoheshin tubime e manifestime në shenjë përkrahjeje për Avniun; me të vetmen kërkesë: „LIROJENI DJALIN TONË!”- tradhtarët plumbin kanë hak!…
Avni Rrustemi dhe populli shqiptar e fituan edhe këtë gjyq. Në dhjetor të vitit 1920, Avniu kthehet në Shqipëri. Masat popullore liridashëse e pritën me entuziazëm, e pritën si një hero të vërtetë. Ai për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vet në shërbim të atdheut.

 Ai nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike – përparimtare dhe çlirimtare, por edhe njëri ndër ideologët më të shquar të saj. Idetë e tij të publikuara, një herësh u bënë edhe armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike shqiptare dhe të masave të shtypura. Idetë e tij për përparimin e vendit ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku edhe u zgjodh deputet nga populli i ish prefekturës së Kosovës. Ai mbrojti me guxim e zjarr traditat luftarake të popullit tonë, përpjekjet e të drejtat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha serbo-sllave dhe greke, për të jetuar të lirë dhe të bashkuar- ashtu siç jetojnë popujt e tjerë të botës së lirë e përparimtare. Forcat e errëta Monarkiste, përgatitën likuidimin e Avniut, ai ra me 22 prill, të vitit 1924, ra për të mos rënë kurrë!…

22-04-2021
Mehmet Bislimi