ATA QË E PËRJETUAN LUFTËN, PËRJETUAN NDRYSHIMIN NË JETË!

ATA QË E PËRJETUAN LUFTËN, PËRJETUAN NDRYSHIMIN NË JETË!

Shkruan: Fadil Dervishaj

Lufta është fshesa më e pamëshirë për njerëzimin! Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Lufta në Kosovë, populli që ka kaluar rrugës së këtij tmerri, në mbamendjen e tij, ende i ka të freskëta vrragët e kujtimeve të trishta të saj. Këtë më së miri e tregon libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, i autorit, Adem Lushaj. Autori në këtë libër, me një kujdes të veçantë ka përfshirë mbi 200 dëshmi, të cilat janë marrë drejtpërdrejtë nga qytetarët, menjëherë pas përfundimit të luftës. Dëshmitë e paraqitura në këtë libër, janë të periudhës kohore janar-qershor 1999. Kur ta lexoni tekstin, do ta kuptoni pse autori e ka parë të ngutshme që t’i bëjë sa më parë të ditura krimet e kësaj periudhe kohore për opinionin, sidomos atë ndërkombëtar. Ju mund të pyesni, pse autori bëri kapërcimin e periudhës kohore të luftës 1998? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta gjeni të dokumentuar në librin pasardhës të tij!

Libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, është një libër i llojit të veçantë, në të cilin është derdhur ndjenja e thellë e dhimbjes, revoltës dhe frikës së tmerrit nga banorët e komunës së Deçani dhe të Junikut. Autori i librit i cili ka kompetencë publicistike, përvojë dhe njohuri të veçanta për ngjarjet e publikuara dhe njëkohësisht si akterë i hulumtimit të krimeve së bashku me vendorë dhe ndërkombëtarë, ka pasqyruar saktë krimet serbe në komunën e Deçanit. Hartuesii kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, ka dhënë dëshmi të shumta për  krimet e ndodhura në shumë fshatra të Komunës së Deçanit, si në: Irzniq, Beleg, Drenoc, Strellc, Dubovik, Isniq, Broliq, Llukë, Kodrali, Shaptej, Dubravë, Lloçan, Maznik, Ratish, Prapaçan, Dashinoc, Lumbardh, Prekolluk, Junik, Pobergj, etj. Secila dëshmi ngërthen në vete një histori tmerri të një lufte krejtësisht të pabarabartë dhe të padrejtë. Duke e lexuar këtë libër, ata që e kanë përjetuar luftën, kujtesa e tyre do të kthehet në retrospektivë, edhe më e gjallëruar se në vet kohën e përjetimeve të saj. Ndërsa, gjenerata e pasluftës, në momentin kur të mishërohen me këto rrëfime, kthjelltësia e pikëpamjeve të tyre do të jetë më e qartë për vendin. Perceptimi i tyre për rrugën e gjatë e të mundimshme, me plotë sakrifica për liri, do të jetë më i pranueshëm, më i kuptueshëm, kurse përpjekjet e tyre për shtet ndërtim, do të bëhen më të mëdha.

Në kapitujt e librit ka prezantuar në mënyrë të dokumentuar dhe argumentuar dëshmitë e dhëna për plaçkitjet, shkatërrimet e shtëpive, torturimet, plagosjet, burgosjet, vrasjet e deri te dhunimet.

Autori flet për periudhën kohore, kur në Kosovë ishin të vendosura trupa civile të misionit ndërkombëtar, trupa që do të mbikëqyrnin në kuadër të marrëveshjes Holdbrook-Millosheviç, gjë që edhe pas kësaj, krimet serbe nuk kishin të ndalur. Përmes këtyre dëshmive, autori na tregon se sa më afër përfundimi i luftës, krimet mbi popullatën e Komunës së Deçanit bëheshin më të mëdha, po ashtu edhe shpërngulja në mënyrën më masive.

Pas masakrës në fshatin në Irzniq, ku u vranë shtatë qytetarë në shtëpitë e tyre, kulmi i masakrave në këtë komunë ndodhi në fshatin Beleg, ku përveç vrasjeve, masakrimeve, djegie të kufomave, kishte filluar edhe deportimi i dhunshëm i qytetarëve të këtushëm dhe tërë komunës së Deçanit. Kjo masakër nuk ishte ushtruar vetëm ndaj banorëve të atyshëm, ngase pjesë e këtij gjenocidi ishin edhe shumë banorë ta fshatrave përreth të strehuar në fshatin Beleg, si: Dranoci, Carrabregu, Hulaj, Sllupi, Gllogjani, Irzniqi, Hereqi, Loxha, e vende të tjera. Pos vrasjeve, edhe sot e kësaj dite kanë mbetur dhjetëra qytetarë ende të pagjetur, familjarët e të cilëve presin me ankth zbardhjen e fatit të tyre. 

Masakra të tilla ndodhën edhe në Dubravë, Shaptej, Gramaçel, Kodrali, sikurse edhe shumë vrasje makabre gjatë largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre. Po ashtu, një pjesë e madhe e qytetarëve të kësaj komune u vranë edhe në Masakrën e Mejës, në territorin e Bjeshkëve të Nemuna, sikurse që nuk ishin kursyer vrasjet dhe dhuna gjatë deportimeve të dhunshme drejtë Shqipërisë. Në këtë libër, pos deklaratave të dëshmitarëve, teksti është i pasur edhe me shumë fotografi, te cilat faktojnë krimet e kryera në Komunën e Deçanit.