Arsyet e rënies së vazhdueshme të PD-së në Shqipëri dhe LDK-së në Kosovë

 Nga Skënder S.KAPITI

Arsyet e rënies së vazhdueshme të PD-së në Shqipëri dhe LDK-së në Kosovë

Partitë diktatoriale dhe ato autoritariste zakonisht në pushtet montojnë regjimin partiak  korruptiv, mafioz, klanor e nepotik ku: ligjin, pronarin e partisë dhe pushtetin politik partiak e shtetëror e bën kryetari,  të afërmit e tij dhe servilët, kasta dhe klanet në shërbim dhe rreth tij. Dhe për pasojë,  pas tij, pas kohës së tij, partinë e pret shthurja dhe vetëshpartallimi.

Kështu ka ndodhur me partitë moniste komuniste të Europës Lindore. Kështu e pësoi Partia Komuniste e Enver Hoxhës dhe po kështu e pësuan edhe LDK e Kosovës, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe po kështu e pësoi edhe së fundmi PDK e Kosovës.

Konkretisht, sot pas humbjes së dytë të thellë dhe katastrofike të Partisë Demokratike të Shqipërisë, po mundohen shumë për të gjetur shkaqet e kësaj humbjeje.        

Por nuk duhet të lodhen shume, pasi shkaku i humbjes është vetëshpartallimi i saj që ka për meritor dhe autor Sali Berishën i cili e dirigjoi, e drejtoi dhe e “edukoi” Partinë e Tij Demokratike ashtu si Enver Hoxha Partinë e Tij të Punës (Komuniste)

Partitë e tilla, shumica dhe më kryesoret e tyre, si në Shqipëri por edhe në Kosovë ku kryetarët e tyre zgjidhen e rizgjidhen me 99% të votave dhe pa rivalë funksionojnë si, ashtu dhe deri sa të jetojë fizikisht apo politikisht kryetari i tyre sipas parimit:

“ kur themi kryetari kuptojmë partia dhe kur themi partia kuptojmë kryetari”,

që do të thotë se sa është kryetari është edhe partia, dhe pas tij nuk ka as Parti dhe nuk ka as se çfarë të kuptojmë më me partinë e tij.

Kjo ishte fryma e leninizmit politiko-partiak e Partisë Komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik, këtë kishte edhe enverizmi, edhe titizmi.

Po  këtë ka edhe tani berishizmi në PD e Shqipërisë dhe rugovizmi në LDK-në e Kosovës, ashtu si edhe të gjitha partitë e tjera të cilat identifikohen, personalizohen dhe frymezohet nga kryetarët e pasfidueshëm.

Kjo është edhe sot në “demokraci” politika e kryetarëve të partive politike shqiptare. Kjo është trashëgimia që: kur merr fund  bejlerbeu, bajraktari e sulltani i partisë, apo kryetari, siç quhet kryeipari i partisë,  pas tij merr fund edhe partia.

E keqja e Partisë Demokrarike  ishte dhe është autoritarizmi dhe korrupsioni, premtimi i pambajtur dhe mashtrimi. Pa brakisjen e frymës dhe të ndikimit autoritarist berishist dhe të ndarjen prej tij dhe prej korrupsionit  te oligarkisë së PD-së nuk ka rinovim dhe ngritje të PD-së, sepse i pari që nuk e dëshiron një gjë të tillë është Berisha dhe servilët, idhujtarët e tij dhe oligarkët, të cilët: kanë përfituar, vjedhur e grabitur dhe janë pasururar nën bekimin dhe me  mbrojtjen e pushtetit të tij.

Këtë ringritje të PD-së pa Berishën nuk e dëshiron Berisha dhe klanet e shpura përfituese dhe hajdutokracia e vjetër, e vitit 1992-1997,  dhe as ajo “e re”  e viteve 2005 –2013 e Partisë Demokratike, të cilët e mbajnë peng dhe janë dakord që Partia Demokratike edhe të shkatërrohet po qe se ajo u del atyre nga kthetrat, pra, aq e ulët është ligësia e tyre.Dhe prej këtyre ka mbërrituar PD-ja deri në këtë deregje e nuk dihet se si dhe ku do të përfundojë më tutje.

Po kështu  ka përfunduar edhe LDK e Kosovës pas Rugovës, sepse: ishservilët, përfitituesit, të korrupuarit  dhe spekulantët e saj e rrënuan dhe e rrudhën LDK-në nga njëra palë zgjedhje te tjetra, dhe janë dakord që ta çojnë e ta rrënojnë edhe më tej vetëm e vetëm për interesa personale dhe egoizmi.

Janë të dëshpëruara për t’u rinovuar këto parti edhe me sloganet: në Shqipëri për PD-në, për t’u rikthyer te idealet e Lëvizjes së Dhjetorit , dhe tek të dëshpëruarit e LDK-së në Kosovë për të ripërtërirë rugovizmin.

Kjo janë anakronizma  jashtmode pasi, kohët kanë evoluar dhe kanë kaluar mbi 27 -28 vite që nga koha kur u krijua LDK në Kosovë, dhe nga koha kur ndodhën revoltat antikomuniste në Shqipëri në vitet 1990. Shqipëria nuk është sot në Komunizëm e as ajo e viteve 1990, e po ashtu  edhe Kosova  nuk është më nën Serbi, por është Shtet i Pavarur.

Kohët ecin dhe ndryshojnë prandaj ndryshojnë edhe ngjarjet, dhe të tjera gjëra koha kërkon për të zgjidhur dhe jo të kthehemi te vizionet e së shkuarës dhe të mbërthehemi e të kapemi pas idhujve.

Ky është vetëm disfatizëm dhe justifikim për të justifikuar apatinë, paaftësinë dhe mosangazhimin, përtacinë dhe egoizmin. Duhet guxim dhe veprim konkret në kushtet e rrethanat që kërkon koha.

Nga e shkuara duhet të mësojmë e të marrim përvojën e mirë që gabimet të mos përsëriten, por ama më shumë e shkuara i takon së shkuarës dhe historisë.

E tashmja ka dhe sjell realitete të reja të cilat kërkojnë veprime dhe zgjidhje të reja duke ndëshkuar dhe braktisur të dëmshmen, dëmqarët e zullumqarët edhe të politikës , edhe të pushtetit. 

Zgjidhjet e sotme  që i kërkon moderniteti, mirëqënia, demokracia dhe integrimi  nuk bëhen as me mendësitë, as me heronjt dhe as me ngjarjet e së shkuarës.

Kohët moderne sot flasin, kërkojnë dhe kanë nevojë  për reforma dhe për reformime te panderprera për politikën, demokracinë, progresin dhe zhvillimin dhe jo për nostalgjira dhe idhujtarizma.

Këto klane që kanë rivalizuar brënda  pushtetit berishist fshihen akoma nën hijen e Berishës dhe nuk e “tradhëtojnë” Berishën edhe për pak kohë, sapo të fillojë antarësia e Partisë Demokratike që ta braktisë berishizmin, dhe po këta, servilët e halabakët  e ishpushtetit  të Berishës pastaj, por edhe tashmë kanë filluar  të konvertohen në antiberishistë dhe do të bëhen të tillët shumë të flaktë; ashtu sikurse  u bënë edhe enveristët dhe komunistët më të zellshëm me Enverin të cilët u konvertuan në “demokratë” si antienveristët më të mëdhnj  pas rënies së komunizmit dhe rrënimit të Partisë së tij.

Kështu siç është katandisja dhe  realiteti i PD-së së Shqipërisë dhe  i LDK-së së Kosovës , ato po nuk u reformuan realisht dhe rrënjësisht edhe mund të reduktohen  me tej në relike politike që kurrë nuk mund të vijnë në pushtet si shumicë ndonjëherë .