Arsimi shqip i viteve ’90, Institucion i pathyeshëm dhe Themel i shtetësisë së Kosovës

(Kushtuar tri figurave të paharrueshme kombëtare nga Komuna e Deçanit, Binak Aliçkaj, Haki Povataj dhe Maxhun Tishuku)

Shkruan: Sylejmon Lokaj & Adem Lushaj

Shënimi i 25 vjetorit të fillimit të punës në Variantin C, apo variantin shtëpi-shkollë, organizuar nga Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” dhe Lidhja e Historianëve, dega në Deçan, ishte ndjenjë e kujtesës për punën krenare që bënim në ato vite të vështira, për edukim dhe arsimim të fëmijëve tanë, motrave dhe vëllezërve, që dolën të jenë heronj, dëshmorë, por edhe bartës të zhvillimeve politike dhe luftës sonë shumë vjeçare për liri dhe pavarësinë e Kosovës.

Kjo ngjarje na kthen kujtesën në epokën më të rëndësishme të përpjekjeve gjithëpopullore për krijimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore të prirë nga të pavdekshmit historik, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, Akademiku Fehmi Agani, profesori i urtë Anton Çeta, dr. Jusuf Buxhovi, kleriku mendjendritur Don Lush Gjergji, dr. Zekeria Cana….e shumë e shumë personalitete tjera të kohës dhe periudhës së pa shlyer në kujtesën e historisë shqiptare.

Pa dyshim se arsimi shqip me platformë e program kombëtarë, përfaqësonte shtyllën kryesore të shtet ndërtimit, ishte themel i shtetit të ardhshëm të quajtur Republika e Kosovës. E në vazhdën e përpjekjeve dhe sakrificave, Deçani (si gjithmonë në procese të tilla), ishte në krye të përgjegjësive të veta.

Pra, Arsimi shqip i viteve ’90-ta në Komunën e Deçanit, sikurse në gjithë Kosovën, ishte shtyllë e pa nënshtruar nga terrori shtetëror serbo-sllavë. Përkushtimi i mësimdhënësve për mësimdhënie dhe nxënësve për tu pasuruar me dije dhe aftësim profesional, ishte krenari kombëtare e shtetërore. Duke mos dashtë të dallojmë ndonjërin nga të gjithë “ushtarët” dhe pishtarët e asaj kohe që ishin vënë në përfillje të vendimeve të institucioneve tona shtetërore të udhëhequra nga njeriu I urtë me vizion të qartë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është e pamundur të mos përmendën Binak Aliçkaj, Haki Povataj dhe Maxhun Tishuku, të cilët ishin vënë në ballë të qëndresës sonë institucionale.

Binak Aliçkaj, si kryetar i parë i një subjekti politik antikomunist, siç ishte LDK -ja, pastaj Haki Povataj e Maxhun Tishuku, si shtyllat kryesore të kësaj lëvizje dhe bartës të përgjegjësive në fushën e arsimit, do mbeten gjithmonë në kujtesën e brezave si heronjtë e kohës, duke mos i harruar për asnjë moment, mësimdhënësit dhe gjithë ata që hapën dyert e shtëpive të tyre, për të vazhduar me variantin “C ” të arsimit, variant i përdorur pas dëbimit të nxënësve dhe mësimdhënësve nga objektet shkollore, largim i bërë dhunshëm nga organet e pushtetit okupues serb.

Plaku i urtë dhe me njërën veshkë mangu, Binak Aliçkaj, ishte vënë në krye të zhvillimeve politike, duke dalë në ballë të Lëvizjes popullore deçanase, kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike, e cila kishte marrë mbi supe përgjegjësinë organizative dhe ti merr në mbrojtje popullin e pa mbrojtur, në rrugën e pa kthim drejt pavarësisë dhe demokracisë.

Haki Povataj, e më pastaj edhe Maxhun Tishukaj, kishin marrë barrën e organizimit institucional të arsimit deçanas, që mbetët shtylla më e fortë e asaj kohe, shtylla e pa rrëzuar nga fortunat e egra fashiste të regjimit Millosheviqian.

E përbashkëta e këtyre tri figurave të kohës ishte se që të tre ishin punëtor të arsimit, por edhe kishin pas tyre në “udhën” e lirisë, edhe mijëra qytetar të cilët ishin të pa ndashëm në rrugëtimin e tyre për shtetin e Kosovës. Përderisa plaku me flokë të bardha (Binak Aliçkaj), kishte drojën që nga torturat dhe plumbat e armikut, do rrëzohet dhe nuk mund të qëndron në këmbë përballë dhunuesve, këta dy të tjerët iu thoshin torturuesve serbo-sllavë se, “Kosova patjetër duhet të bëhet shtet i barabartë me shtetet tjera si, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia,…duke mos iu frikësuar as vdekjes (Haki Povataj, ishte mbytur në objektin e Stacionit policor në Deçan).

Ky model i unitetit dhe i mobilizimit që ekzistonte në rrethana të tilla, duhet të jetë frymëzim dhe kthjellje e vetëdijes për bashkëpunim dhe suksese të përbashkëta. Assesi nuk guxohet të anashkalohet dhe harrohet kontributi kombëtar i çdo mësimdhënësi të asaj kohe, ngase fal gjakut të atyre që dhanë për Kosovën, si dhe qëndrueshmërisë së pa thyeshme të punëtorëve arsimor, Kosova po ecën në rrugën e saj të shtet ndërtimit, sipas vizonit të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.