Arsimi në Kosovë e Shqipëri problem i madh kombëtar, ashtu si politika e drejtësia

Nga Skënder S.KAPITI

Bota moderne dhe demokratike i kushtojnë rëndësi dhe investojnë shumë për arsimin, për shkollimin  dhe për universitetin, pra për Rininë e arsimuar, për trurin dhe dijen; për të ardhmen e Kombit, ndërsa në Shqipëri dhe në Kosovë: arsimi, shkolla dhe universitetet janë kthyer dhe funksionojnë si biznese fitimprurëse ashtu si politika dhe drejtësia; ku ligji i këtij biznesi korruptiv të fuqishëm  janë: paraja, ryshfeti, shitblerja e dijes dhe e diplomës si dhe hatërllëku, injoranca dhe nepotizmi e fanatizmi politiko-korruptiv i mësimdhënësve: mesuesve, “doktorëve” dhe “profesorëve” të shkollave dhe të universiteteve si në ato shtetërore dhe në ato private, fenomene këto që e kanë falimentuar arsimin në Shqipëri dhe në Kosovë, jo në kuptimin e asaj se nuk ka nxënës dhe studentë, pasi shkollat dhe universitetet janë plot me studentë, por në atë të cilësisë së tij, për nivelin tepër të ulët të mësimdhënies dhe po kështu për nivelin dhe shkallën tepër të ulët të përvetësimit të dijeve arsimore, shkencore, profesionale dhe teknologjike që marrin studentët shqiptarë nëpër shkolla dhe në universitete, si në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në një artikull të disa ditëve më parë shkruar nga unë dhe botuar në shtypin tuaj me titull: “Problemi më i madh që kanë shqiptarët sot është politika dhe injoranca e armatosur me pushtet dhe me para”, ku argumentoja se e keqja më e madhe te shqiptarët është politika e keqe e kësaj elite politike aktuale, e sistemit politik dhe e funksionimit të tij si një sistem korrupsioni, padrejtësie, nepotizmo-klientelist i kapur dhe i sunduar nga injoranca dhe të paaftët, si një  një sistem që shikon dhe intersohet vetëm për interesat e ngushta personale materialiste, politike dhe pushteti.

Një gjëndje e tillë deshkake e sistemit politik dhe të drejtësisë e krijuar nga politika, dhe pra konkretisht politika e tillë është ajo e cila nuk ka se si të jetë e interesuar as edhe për zhvillimin e Arsimit, ashtu siç nuk është e interesuar as për zhvillimin ekonomik, as për punësimin dhe mirëqënien, as për ndërtimin dhe funksionimin  e shtetit ligjor, të ligjit dhe të drejtësisë dhe as për integrimin dhe për sigurinë e konsolidimin e shtetit dhe të Pavarësisë.

Ky realitet i këtij sistemi  politik i ngritur nga elita politike nuk ka si të mos reflektohet edhe në të gjitha sferat e  jetës shoqërore, pra, dhe sidomos edhe në sistemin arsimor dhe shkencor të Kosovës. Kësaj epidemie të të gjithë sistemit që ka mbërthyer edhe sferën politike, sociale, ekonomike, sistemin e Drejtësisë etj., nuk kishte si t’i shpëtonte pa u infektuar rëndë dhe pa u paralizuar edhe sistemi i Arsimit në Kosovë. Këtë e nxori zbuluar dhe e vertetoi më së miri edhe PISA – Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve në një testim të sajin të bërë në 72 vënde të Botës, ku rezultoi se nga këto 72 vënde Kosova u renditet e 69-ta, gjë e cila tregon gjëndjen mjerane ku është katandisur sistemi arsimor në Kosovë, tregon një dështim pothuajse total të tij. Patjetër që duhet bërë që nga themelet urgjentisht një reformë e thellë në sistemin e dështuar aktual të Arsimit në Kosovë, e cila do të ishte e një rëndësie të madhe kombëtare.

Por kush do ta bëjnë këtë reformë?

A kanë vallë përgjegjshmëri, përkushtim, vullnet dhe kapacitete intelektuale: parlamenti, qeveria, dhe konkretisht për temën në fjalë, Ministria e Arsimit e Kosovës me drejtoritë arsimore të saj për ta bërë reformën në Arsim kur tërë sistemi vetë është fenomeni më negativ për gjëndjen sociale e politike në Kosovë e po kështu edhe në Shqipëri?

A mundet vallë që korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi dhe injoranca politike qeverisëse dhe intelektuale që kanë kapur shtetin, pushtetin dhe shoqërinë në Kosovë ta çmontojnë korrupsionin, nepotizmin, klientelizmin dhe injorancën mësimdhënëse nga sistemi arsimor? Pra, kërkohet një Reformë e madhe para së gjithash në tërë sistemin politik në Kosovë, në mënyrë që të çrrënjoset korrupsioni gjithinstitucional dhe shoqëror, pra, edhe nga sistemi arsimor.

Kërkohet dhe është urgjente dhe e nevojshme ndërmarrja e një reforme pastrimi apo siç thuhet një lustracion për tërë  sistemin politiko-shtetëror, duke larguar prej tij  individëve të cilët janë injorantë shumë të aftë për ta bllokuar dhe dështuar jo vetëm sistemin arsimor, për ta dëmtuar jo vetëm atë, por edhe shtetin, Pavarësinë, progresin dhe integrimin si të brëndshëm ashtu edhe për në BE të Kosovës. Kujt i shërbejnë këta kështu?  A nuk është ky vlerësim kaq i keq dhe i dëmshëm i dhënë nga PISA-Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve për gjëndjen e arsimit dhe të shkencës në Kosovë  edhe për imazhin jo të mirë  për shtetin e Kosovës në tërësi? Kur Shteti dhe shoqëria përballen me këtë realitet të rëndë antisocial dhe pra edhe kundërintelektual si rasti me Arsimin dhe Shkencen atëhere vjen vetëvetishëm edhe pyetja se:

Përse u duhen nxënësve shqiptarë dituritë arsimore dhe shkencore jo vetëm  atyre në Kosovë por edhe këtyre në Shqipëri pasi nuk është se ka ndonjë diferencë të madhe në klasifikimin e dhënë nga PISA  për arsimin në Shqipëri nga ai në Kosovë, pasi Kosova këtë model e ka përvetësuar dhe marrë nga  Shqipëria, në universitetet dhe nga akademitë e së cilës janë blerë diploma,  tituj dhe doktoratura edhe nga   “doktorë e profesorë”, politikanë e pushtetarë të Kosovës, dhe prej tyre dhe të atyre të marra e të blera në universitetet edhe te  Kosovës dhe të Tetovës ata kanë bërë dhe bëjnë “karrirë të suksesshme” në Kosovë, pasojat e së cilës i tregoi realiteti në fjalë i vlerësimit të bërë nga PISA për arsimin si në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri.

Në Kosovë dhe në Shqipëri tashmë është krijuar si pasojë e kësaj gjëndjeje të dështuar të sistemit të arsimit, një ushtri e madhe  e inteligjencës me diploma të dijeve të blera, të fituara me miqësira politike e klienteliste dhe me korrupsion, e cila: konkuron, sfidon dhe e nxjerr jashtë loje dhe jashtëfunksionimit publik e kombëtar diturinë dhe elitën e vërtetë intelektuale të aftë dhe profesionale shqiptare duke e detyruar atë, që edhe ajo të marrë rrugën e eksodit dhe të largimit nga atdheu. Madje në ndihmë të largimit të dijes dhe të trurit të kombit nga atdheu, në mënyrë të paturpshme dhe antikombëtare vjen edhe propaganda e politikës, pushtetit dhe qeveria, duke reklamuar dhe nxitur eksodin dhe largimin e tyre, duke  “ofruar” kështu eksodin dhe braktisjen nga atdheu si realizim të premtimit politik për punësimin.

Dhe pra, atëhere përse u duhen studentëve shqiptarë dituria e madhe intelektuale dhe cilësore profesionale, arsimore, shkencore dhe akademike  kur korrupsioni ka ligjësuar, ka legalizuar e mundësuar shitblerjen e notave, diturive dhe të diplomave; kur kriteret kryesore për të bërë karrierë politike, diplomatike, shkencore dhe intelektuale e priofesionale dhe deri edhe akademike si dhe për kritere  kryesore për punësimin dhe marrjen e posteve  në administratën shtetërore dhe publike  janë paraja, ryshfeti, korrupsioni, nepotizmi dhe familiariteti, fisnia, krahinizmi  si dhe militantizmi politik partiak dhe nuk jane aftesia, talenti, dhuntia, profesionalizmi e dituria. Pra, e keqja, paaftësia, korrupsioni etj., pothuajse janë kudo, në tërë sistemin, jo vetëm që janë të pranishme por edhe po e dominojnë sistemin.