Arrestimi i Haradinajt, eksperiment i koordinuar politik!

Shkruan: Florim Zeqa

Rasti i ndalimit të kryetarit të AAK-së, zotit Ramush Haradinaj me fletë-arrest të shtetit serb është bërë Top-Lajmi i të gjitha mediumeve shqiptare dhe shumicës së mediave ndërkombëtare.

Arrestimi dhe paraburgimi i Haradinajt nga autoritetet franceze me një fletë-arrest,  të është lëshuar vite më parë nga ana e Serbisë, është një sinjal ogurzi për pozicionin nënshtrues të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë dhe njiherit paraqet degradimin e skajshëm të drejtësisë ndërkombëtare.

Kur e themë këtë e kam parasysh faktin, se zoti Haradinaj vite më parë ka dalë fitimtar përballë “filtrave” të drejtësisë ndërkombëtare në Gjykatën e Hagës nën akuzat e Serbisë për krime lufte.

Shkaqet të cilat e sollën riarrestimin e kryetarit të AAK Ramush Haradinaj mund të jenë të shumta dhe të shumëllojshme. Padyshim se disa nga shkaqet e arrestimit të tij mund të jenë kundërshtimet e fuqishme të zotit Ramush Haradinaj për çështjen e Demerkacionit me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të komunavce serbe në veri të vendit (Zajednicës).

Politika, përveqse art i së mundshmës, është sfidë e pafundme e cila përveq njohurive dhe argumenteve kërkon edhe guxim dhe qendrueshmëri të lartë në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore.

Është i pamohueshëm fakti, se sikur të mos kishte qenë Ramush Haradinaj me ja hedhë në fytyrë hartat e falsifikuara Murat Mehës, ndoshta çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të kishte kaluar në heshtje edhe përkundër protestave të opozitës së “bashkuar”.

Ishte veprimi sa i guximshëm po aq edhe energjik i zotit Ramush Haradinajt që bëri të zgjohet ndërgjegja e disa prej deputetëve të përgjumosur në pushtet dhe opinionit të fjetur publik.

Reagimi i guximshëm i Haradinajt nuk ishte kundërshtim vetëm ndaj Murat Mehës dhe komisionit qeveritar, por ishte kundërshtim ndaj qasjes së gabuar qeveritare dhe mbështetësve të tyre ndërkombëtar.

Kur ndaj dukurive negative dhe të dëmshme për vendin nuk mirren parasysh faktet, duhet reaguar edhe forcërisht nëse e kërkon nevoja për të mbrojtur të vërtetën, në të kundërtën e vërteta rrezikon të mbytet në heshtje.

Nga ai reagim i guximshëm i Ramush Hradinajt në tryezë me kryetarin e komisionit shtetëror për demarkacion, zotin Murat Meha filluan të gjitha kundërshtitë e mëpastajme, jo vetëm në kampin opozitar, por edhe nga radhët e depuetëve të pozitës.

Përfundimisht duhet të themi, se guximi politik i Ramush Haradinajt e  parandaloj një të keqe të madhe për vendin,…në të njëjtën kohë ju tërhoq vrejtja edhe ndërkombëtarëve që të mos manipulojnë me këtë klasë të korruptuar dhe shantazhuar politike për interesa të fqinjëve tanë, ngase në çdo rrethanë, territorit të vendit jemi të gatshëm t’i dalim zot me të gjitha mjetët, pa kursyer as jetën tonë.

Andaj në rastin e montuar të zotit Haradinaj, pashmangshëm shtrohet pyetja; mos vallë në këtë lojë të koordinuar të Serbisë dhe Francës, është implikuar edhe ndonjëri nga liderët shtetëror të Kosovës, me qëllim të eksperimentimit politik për menjanimin e pengesës më të madhe (Haradinajt) në realizimin e projekteve shtetshkatërruese të Kosovës, siq janë; cenimi i rendit kushtetues në vend, tkurrja territoriale e vendit dhe ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh-mes serbëve dhe shqiptarëve!

Kosova ka nevojë për një qeverisje ndryshe nga kjo e tanishmja, e cila ka rënë nën ndikimin e fuqishëm politik të Beogradit dhe çarçeve antishqiptare të disa prej shteteve më me ndikim brenda BE-së.

Pas arrestimit të fundit të liderit të AAK-së, zotit Ramush Haradinaj, patjetër duhet të ndryshoj kursi qeverisës në vendin tonë, bashk me këtë duhet të ndërpriten qoftë edhe përkohësisht bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Ndrrimi i ekipit negociator dhe vendosja e kushteve ndaj shtetit serb për dialog të mëtutjeshëm është nevojë urgjente. Kushti themeltar duhet të jetë njohja e shtetit tonë nga Serbia dhe mbyllja e të gjitha dosjeve ndaj ish veprimtarëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

As zbardhja e fatit të rreth 1700 të zhdukurëve nga lufta e fundit nuk do të bëhet pa ndrrimin e komisionit qeveritar për të zhdukurit dhe pa një trysni të fortë politike përmes vënjes së kushteve të reciprocitetit në të gjitha fushat, përfshirë kompenzimet për dëmet e luftës, kthimin e fondit pensional dhe pasurive të shumta të grabitura gjatë përiudhës së luftës nga barbarët serb.

Andaj lirimi i mënjëhershëm i Haradinajt nga paraburgimi dhe pa asnjë kusht nga shteti francez, do të thotë liri për Kosovën dhe qytetarët e saj. Heqja e listave nga shërbimi i Interpolit të lëshuara nga regjimi i Serbisë me akuza të rrëmë kundër figurave politike dhe ushtarake, përfshirë edhe shtetasit e rendomt kosovar, të përgatitura në kuzhinat e Beogradit duhet të jetë kushti themeltar që Brukseli dhe Washingtoni duhet t’i vëjnë Serbisë, në të kundërtën do t’ua bëjmë me dije shteteve të “Quintit”, se me asnjë çmim nuk do të pranojmë rirobërimin dhe poshtërimin nga askush, qofshin ata fqinjë apo “miq” përëndimor.

Në fund të këtij shkrimi, i drejtohem Brukselit dhe qendrave tjera të vendosjes, mos e keqpërdorni këtë klasë të korruptuar politike në dëmë të interesave të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë për hirë të Serbisë, në të kundërtën do të përballeni me hidhërimin dhe zemërimin e 7 milion shqiptarëve në Ballkan dhe miliona shqiptarëve në vendet përëndimore.

Tashmë, kur është rrezikuar levizja e lirë dhe ekzistenca fizike e shtetasve kosovar, edhe durimit rugovian mund t’i vie fundi, e të mos flasim për shpirtërat e trazuar nga padrejtësitë e shumta dhe kriza e rënduar socio-ekonomike e këtyre viteve të fundit!