Armiqësia e vjetër apo « miqësia » e re me Serbinë!?

Shkruan: Florim Zeqa                     12.05.2019

Armiqësia e vjetër apo « miqësia » e re me Serbinë!?

Edhe pse para mediave, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj mundohen të paraqiten me kundërthënje ndaj njëri-tjetrit, megjithatë është i dukshëm dakordimi i tyre në veprime.

Vendnumërimi i qeverisë në raport me liberalizimin e vizave në njërën anë dhe zbrazja e shtetit nga qytetarët paraqet situatën sa paradoksale, po aq të dhimbshme për Kosovën.

Falja e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi kinse në këmbim të liberalizimit të vizave, e shpërfaqi kauzën e rrejshme për mbrojtjen e terësisë territoriale të vendit e cila përfundoi me një karrige të kryeministrit e asgjë më shumë!

Me votimin e Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të komisionit të qeverisë së kaluar, kryeministri Haradinaj përveq humbjes së imazhit, e ka humbur edhe kredibilitetin si liderë shtetëror, kur dihet se i njëjti si opozitë e bashkuar (LAN) e kundërshtoi me të gjitha mjetet në kuvend ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi.

Pra, kthimi i demarkacionit, nga çështje shtetërore në personale dhe partiake ishte gabimi më i madh politik dhe dëmi më i pariparueshëm për vendin.

Qëndrueshmëria e qeverisë « Haradinaj » është më së paku e rëndësihme në raport me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit.

Demarkacioni me Malin e Zi e tregoj gjendjen e mjerë të kësaj klase politike dhe talljen e tyre me qytetarët e vendit, të getoizuar në koloseumin e quajtur Kosovë, pa të drejtë levizje dhe pa asnjë shpresë për jetë në këtë vend.

Taksa e vonuar për produktet serbe na doli të jetë marketing i gabuar politik i Haradinajt. Për çka, taksa e pa menduar mirë ishte shërbimi më i mirë për Serbinë dhe grushti më  i rënd ndaj liberalizimit të vizave për kosovarët.

Me taksen 100 përqind ndaj produkteve serbe, nga z. Haradinaj nuk arriti t’i mbuloj dot dështimet dhe as humbjen e territorit të vendit.

Evropa plakë dhe shtriga e vjetër serbe

Në anën tjetër dialogu për normalizim të mardhënjeve dhe traktati për pajtim me Serbinë janë dy nga format e faljes së mëkateve nga ana e « politikanëve » (pushtetarëve) kosovar.

Nuk ishte lufta e fundit ajo që na armiqësoi me Serbinë, sikurse nuk është as dialogu i fundit që po na « miqëson » më armiqët tonë shekullor.

Që nga Serbia e parë (shtriga e vjetër) e deri të e dyta, Jugosllavia titiste e deri të Serbia  millosheviqiane, ne shqiptarët u premë e u vramë, u masakruam e u dogjëm, u ndjekëm e përndjekëm dhe prapë fuqitë e mëdha na detyruan të « bashkëjetojmë » me xhelatët e tanë!

Pra, është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që nga Evropa plakë e deri të kjo e ditëve të sotme që po i « pajton » shqiptarët (viktima) me serbët (xhelatët), duke ua përseritur shqiptarëve masakrat nga dy-tri herë brenda një shekulli.

Më (pa) dashje shqiptarët po i nënshtrohen një ligji të pa shkruar; « Ata që nuk  mësojnë nga historia, u përseritet prapë ».

Kështu po na ndodh ne shqiptarëve, shkaku se nuk po arrijmë në kohë të mësojmë nga historia, se po u zëmë besë të pabesëve dhe se po mashtrohemi lehtë, si dhe për shkakun se po i harrojmë shpejt  ngjarjet tragjike të kombit tonë!

Akoma pa i shëruar plagët e hapura nga lufta e fundit, siq janë; mbi 20 mijë viktima, rreth 1650 persona të pagjetur, mbi 20.000 gra, vajza e nëna tonat të dhunuara nga kriminelët serb, me qindra e mijëra të plagosur, dhjetëra mijëra fëmijë të mbetur jetim e në varfëri të skajshme e deri dëmet e pakrahasueshme materiale nga plaçkitja e pasurive dhe dëmtimi i pronave të shqiptarëve është pak më tepër se harresë, është shkelje mbi gjakun e dëshmorëve tradhti kombëtare.

Kumbaria e re, fatale për shqiptarët

Sikurse në të kaluarën, edhe në këtë kohën e sotme prapë po na dalin shqiptar të gatshëm (« ndershëm ») për ripërtëritjën e kumbarisë me gjakatarët serb, duke propozuar « traktate paqeje » në kundërshtim më vullnetin e popullit!

Normalizimi i mardhënjeve Kosovë-Serbi, pa përmbushjen e asnjë kushti nga ana e kësaj të fundit, qoftë edhe me një kërkimfalje ndaj popullatës shqiptare, jo vetëm që është tradhti kombëtare, është antihumane dhe anticivilizuese.

Kjo formë e pajtimit (kumbarisë së re) të politikanëve shqiptar me xhelatët serb, lenë pak për të shpresuar për një paqe të qëndrueshme në rajon, për arsye se shqiptarët nuk e dëshirojnë më një bashkëjetesë të tillë me Serbinë.

Shtrirja gjeografike e Serbisë në shtetin e « pavarur » të Kosovës është një « Rrip i Gazës » në mes trojeve shqiptare, i cili nesër jo vetëm që do të prodhoj konflikte ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve, do ta bëjë të pa mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Për më tepër se kaq, shtrirja gjeografike e Serbisë pas lufte në Kosovë ka ndodhur nën « petkun » fetar, e ndihmuar nga faktori ndërkombëtar dhe politikanët e çoroditur kosovar, ku ndodhi fuqizimi më i madh i Kishave dhe Manastireve serbe, përkatësisht gllabërimi i tokave shqiptare, duke e legalizuar mitin serb « Kosovo e Metohija » para bashkësisë ndërkombëtare në shekullin 21!

Konferenca ndërkombëtare, rihapje e statusit të Kosovës

Deklaratat e pamatura të dy liderëve shtetëror, përkatësisht presidentit Thaçi për « korrigjim të kufijve » dhe e kryeministrit Haradinaj  për një « Konferencë ndërkombëtare », e rihapën statusin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve.

Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën filloj me « Samitin e Berlinit », do të vazhdoj me Samitin e Parisit e siq duket do të përfundoj me një « Dejton » apo « Rambuje » të dytë, nga e cila Kosova do të kthehet në pikën zero, gjegjësisht para 24 marsit të vitit 1999.

Pas traktatit të « pajtimit », Serbia përveqse nuk do të përgjigjet më asnjëherë për krimet dhe gjenocidin, nuk do të përgjigjet më as për të zhdukurit dhe dëmet e pallogaritshme të luftës në Kosovë!

« Tradhtia e vendit në mënyrë primitive dhe shitja e tij në mënyre moderne janë e njëjta gjë ».

Me « miqësinë » e re me Serbinë, do të na kthehet armiqësia e vjetër, gjegjësisht  « çizmja » serbe dhe përseritja e krimeve në Kosovë!