Armët e lirisë jehuan larg e më larg

Retrospektivë 26 vjeçare

Bedri tahiri

Armët e lirisë jehuan larg e më larg

(Fragment nga libri “ADEM JASHARI- legjendë e legjendave”)

Buzëmbrëmje e ftohtë dhjetori. Acari me fërfë­llizë të grinte ashpër si me shpatë. Zërat e fë­mijëve, që rrëshqitnin në kodrën përballë, sa vinin e rralloheshin. Edhe ndonjë drumtar i vonuar nxitonte me hapa ujku, duke kërcitur zhurmshëm mbi borën e egërsuar. Oxhaqet filluan garën e tyre. Veç hëna, si zonjë e rëndë, lundronte ngeshëm midis yje­ve të panumërt.

Në odën e madhe të Shaban Murat Jasharit mbre­tëronte atmosferë e ngrohtë familjare. Çiftelia dhe armë të varura në mur ia shtonin bukurinë. Në ballë oxhaku çemerli e fare pranë plaku ulur këmbëkryq. Në të djathtë tre dje­mtë, si shqipe mali. Edhe Rifati, që punonte në Gjer­mani, kishte ardhur për ta kaluar Vitin e Ri në gjirin e dashur familjar. Ai me kohë qe përcaktuar për rru­gën e lirisë. E dinte fort mirë se ajo rrugë ishte e mundim­shme dhe përplot sakrifica. Kush e ka bukën e fiton luftën, thoshin pleqtë përvojëhidhur. Dhe, një ditë tro­kiti në dyert e zeza të kurbetit të hidhur pelin. Atje derdhte djersë, punonte e vepronte, e këtu ndërtonte dhe përgatitej të mbijetonte. Ndryshe as që mund të bëhej. Përreth ishin varguar nipat e mbesat. Harmoni e ngrohtësi që ta kënaqte shpirtin.

-Ç’po thonë gjermanët për ne, ore bir?- ia priti plaku Rifatit, duke mbështjellë një cigare nga duhani “Tarabosh”.

-Fare pak, për të mos thënë asgjë. Fuqitë e Mëdha i shikojnë veç interesat e veta e për të vegjlit as që mërziten fare. Vetë duhet të bëjmë më shumë, që të tjerët të na ndihmojnë pak – foli ai me një dozë të theksuar dyshimi e pesimizmi.

-Qebesa ashtu është, topi nuk e luan, – pohoi xha Shabani. Ne jemi popull i çuditshëm. Betejat i fitojmë e në fund nuk e kurorëzojmë lirinë. Kjo e ligë na u përsërit vazhdimisht gjatë historisë. Po na lidhet për këmbë, si bari i keq. Edhe në fund të Luftës së Dytë Botërore e pësuam kështu. Sa shumë ngjamë në gjar­prin me dy krerë, që u dogj në mal.

-Pse gjysh, çka i ka ngjarë gjarprit me dy krerë? – nguli këmbë, që ta dinte Besimi kureshtar.

-Dikur moti, nisi rrëfimin ai, një njeri vendosi ta djegë malin e ta bëjë arë. Tri ditë përpara briti sa mu­ndi që të largoheshin gjëja e gjallë që andej. Kur ia mori mendja se s’mbeti gjë, ia dha flakën. Mali u dogj. Pas ca ditësh vajti për të punuar dhe u çudit kur gjeti një skelet gjarpri të djegur. Sa u mërzit i shkreti.

-O njeri i mirë, – foli skeleti,  mos u mërzit fare se të kam dëgjuar mirë, por krerët e mi kanë faj. Njëra andej, tjetra këndej e unë ngela këtu dhe u dogja.

Kështu e pëson çdokush kur përçahet. Këtë mak­si­më “përçaj e sundo” e kanë zbatuar pushtuesit gjith­monë, përfundoi plaku.

-Ka ardhur koha që të mbushemi mend të gjithë. Duhet të mblidhemi të gjithë tok, të bëhemi një grusht i vetëm dhe vetë t’i këpusim prangat e robërisë she­kullore. Cilit popull në botë ia sollën lirinë të tjerët? Kurrë. Askush nuk të kruan më mirë se dora jote,- foli Ademi, duke ia lëmuar flokët Besartës së vogël, e cila i kishte fjetur në prehër…

Dhe biseda rrodhi qetas deri vonë pas mesnatës. Kur vajtën për të fjetur, i përcolli zëri ndjellakeq i ku­ku­vajkës nga mbiçatia. Por askush nuk ia vuri ve­shin.

Nata mbarsë polli lakej të zinj. E nesërmja gdhiu fare ters.

Dita e 30 dhjetorit 1991 po hynte në histori. Po ska­litej një faqe në historinë tonë më të re. Barbaria ser­be me tanke, autoblinda, pizgauerë e automjete të tje­ra, ende pa aguar e kishte rrethuar Prekazin e Po­sh­tëm. Forcat kryesore ishin përqendruar rreth kullës kala. Adem Jashari, që flinte syhapur, i kishte hetuar me kohë. Vërtet kushëriri i tij, Sahit Jashari, që po ashtu ishte në grupin e parë të ilegales militante e që e kishte shtëpinë në hyrje të fsha­tit e kishte paralajmëruar duke shtënë me automatik.

-Isha duke pirë kafen e mëngjesit me nënë Salën, rrëfen ai, kur babai Hamiti vjen me vrap dhe lajmë­ron se forca të mëdha serbe vinin drejt lagjes sonë. Pa u ha­mendur kam zënë pritë nën ballkon. Grupi i parë pa­rakaloi dhe vajti drejt shtëpisë së Ademit, e grupin tjetër e kam qëlluar me rafale të pandërprera. Në të njëjtën kohë janë dëgjuar edhe pushkët e trimave të rrethuar. Në pamundësi që t’u shkojë në ndihmë vetëm, kam shkuar te Kodrajt dhe bashkë me Ilaz e Fadil Ko­drën jemi kthyer prapë te Jasharët.

Pas një lufte të rreptë, vëllezërit Rifat, Hamzë e Adem Jashari shpër­thyen rrethimin…

Të tretë, të ar­ma­tosur mirë e mirë, dolën në oborr. Pas shtëpisë, në lëmë hasin në rojën serbe. Sakaq, pushkët marrin zjarr. Kukulelet e tij mbulohen me kri­sma. Të ndihmuar edhe nga të tjerët përreth, arrijnë ta çajnë rrethi­min pa therë në këmbë. Lufta vazhdonte ashpër.

-Dorëzohu, o Adem Jashari! – britnin komandarët me autoparlant nga autoblindat. Mitralozat e rëndë shtinin pa pushuar në drejtim të tyre. E pushka e li­risë jehonte larg e më larg si kundërpërgjigje sfi­due­se. Asaj i bashkëngjiteshin radhë e radhë edhe shumë të tjera për të dhënë kështu kushtrimin lajmëtar të luftës për liri…

Poshtë në lagje, barbaria shfrenuese kërcënonte e shfryente mbi të pafajshmit. Përplot burra, gra e fë­mijë të mbështetur me duar për muri. Edhe ca kalim­ta­­rë të rastit, të nisur për tregun e së hënës, kishin për­­funduar në grackën e të pashpirtëve. Pa dallim fare, maltretoheshin mizorisht. Më së keqi e pësoi ba­­bai i tyre, Shabani, të cilit i shkaktuan edhe plagë trupore me pasoja të gjata. Tre të rinj të plagosur, dy nga Prekazi e një nga Açareva, përpak i shpëtuan më së keqes, vdekjes. Dikur vonë, pas orës 11, të turpë­ruar e fare duarthatë zvarriten egërsirat andej nga kishin ardhur. Sa shumë kishin qenë mizorët, rreth një mijë veta. Ditën për diell dukeshin sheshit maskarenjtë e djallit.

Që atë ditë kjo familje duhej bërë sytë katër. Bu­rrat, që edhe më parë kishin qenë në shënjestër të ty­re, tash dolën fare hapur me armët hedhur krahëve për lirinë e vendit. Por tash e tutje edhe fëmijët duhej pa­sur kujdes, se nuk u besohej të pabesëve. Ama shtë­pia e njeriut është si deti, ka nevoja të shumta. Di­kush patjetër duhej të dilte, edhe pse vazhdimisht për­gjoheshin.

Një ditë, djali i madh i Ademit, Lulëzimi, vajti te dajtë, në Okrashticë. Të nesërmen tek po kthe­hej, në Bair, afër kazermës ushtarake, policë të shu­m­të ia vunë prangat. Ku je more këlysh bushtre? Ade­min e Hamzën i kemi vrarë mbrëmë e shtëpitë ua ke­mi bërë rrafsh me tokë,- zgërdhiheshin ata plot cini­zëm. Djaloshi tetëmbëdhjetëvjeçar qëndronte sypatrembur. Ata ka tre vjet që kanë dalë jashtë,- u tho­shte fare gjakftohtë. Sa për armë, ia bëjmë lehtë, unë ua dorëzoj ato. Ata i zgurdulluan sytë të shashtisur. Tru­tharëve po ua hidhte djaloshi mendjehollë. E përcollën deri afër fabrikës e aty ndaluan. Nuk shkuan më tutje, por atë e liruan që të shkonte e t’ua sillte armët. Prit magar deri të dalë bar!- bënte djaloshi kur po futej në dyert e oborrit. Ishte viti 1995.

Dhe mysafirët e paftuar i pritën kot grykëhollat kur­disur nëpër frëngji, që gjasonin në sy ciklopësh. Ata s’po vinin se s’po vinin.

-Alo… alo, Shaban Jashari? Dëgjo mirë, o plak ko­këkrisur. Dorëzoni armët e mos e merrni veten në qafë. Njëzet e katër orë keni afat. Përndryshe, detyrohemi të vijmë e t’ju bëjmë shkrumb e hi. More vesh?- kërcënonin policia përmes telefonit gati çdo ditë.

-Ejani, ejani kur të doni, veç mateni mirë, se për së gjalli s’do të na kapni kurrë. Këtu ju presim, në shtë­pitë tona,- ua kthente plaku me gjakftohtësinë stoike që i tmerronte deri në palcë.

Ah, ç’plak i mirë që ishte. I mrekullueshëm dhe i zo­ti, sa s’bën. Burrë me nam, siç i thonë një fjale. I pa­hile e besnik, punëtor e bujar i pashoq. Modestinë e kishte në shpirt, edhe me fëmijët llafoste shtruar. Fo­dullët dhe mendjemëdhenjtë i urrente së tepërmi. Nga qyteza kurrë nuk kthehej pa Rilindjen, se leximin e kishte ushqim shpirtëror. Pa të s’rronte dot. Fjala e tij e matur peshonte në çdo vend. Në pajtimin e gjaqeve në Drenicë ishte krah i djathtë i Anton Çettës.

-Le të bëhet ashtu siç thotë Shaban Murat Jashari!- thoshin njerëzit, dhe puna flinte përgjithmonë.

Përpjekjet e tyre maratonike përmes kërcënimesh shterpe u bënë bajate si lehja e qenve bredhacakë që nuk të kafshojnë dot. Provuan edhe me metoda e for­ma të tjera gjithashtu deshtake. Më nuk po gjenin Kalë Troje…

Trimat ecnin në rrugën e ma­dhe të lirisë. Armët e lirisë nuk dorëzoheshin dot. Ato nuk i kishin marrë ata për një muaj, as për një vit. Jo, jo, por për të luftuar deri në çlirimin e plotë të Ko­so­vës dhe të të gjitha trojeve shqiptare…