ARIF MOLLIQI: GJITHÇKA QË SHKRUHET NUK ËSHTË LETËRSI E VLERAVE

Bisedë me Arif Molliqin poet, prozator dhe publicist

GJITHÇKA QË SHKRUHET NUK ËSHTË LETËRSI E VLERAVE

Emërtimi si “shkrimtari emigrant” po na fyen, sikur po na gjuan në rendin e dytë të krijuesve. Të atyre pa vlera, të pa rëndësishëm. Ky veçim po ndodh. Ja mentaliteti nënçmues kur na thonë: “Ju mund të jetoni edhe pa krijimtari, s´keni nevojë të shkruani”. Thuajse të shkruarit është luks. Ky mentalitet është tipike për “klanet kulturore” të kryeqyteteve (Tiranë, Prishtinë), që e ndiejnë vetën superior. A s´është ky mendim i pandershëm? Ose pyetja; “përse vazhdoni të shkruani në një vend ku s´ju lexon kush?” thuajse ne shkruajmë për gjermanet, italianet, francezet etj….

Me poetin dhe shkrimtarin Arif Molliqi u takuam në Kosovë- Deçan, ku kishte ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë, mbasi aty prezantohej edhe romani i tij më i ri “Kryeqyteti i Lakuriqëve”. Më të biseduam për shumëçka, por temë bosht e bisedës ishte arti, kultura, poezia e, herë/herë u përplasëm edhe për vrojtimet e mërgimtarëve tanë…

PYETJE: Që sa kohë shkruani….? Ndoshta për krijuesin kjo është pyetja me neveritëse.

MOLLIQI: As vet nuk e di saktësisht… s’jam prej atyre që thonë; nga shkolla fillore. E di se kam botuar diku në gjimnaz. Në atë kohë, gëzohesha pa masë kur shkruaja diçka, dhe më shumë gëzohesha kur dikush me thoshte se e lexova poezinë ose shkrimin tënd… Më vonë u ndjeva i lirë të shkruaj ashtu si di vet. Te unë ndryshoi shumëçka, u lirova prej atyre shablloneve shkollore të diktuara pasi nuk prisja të më thonë shkruaj kështu apo, ashtu…

PYETJE: Si të quajmë; prozator apo poet? Ose po e formulojmë ndryshe pyetjen; ç´është letërsia sipas jush?

MOLLIQI: S´di… Unë shkruaj poezi edhe prozë. Romani merr kohë më shumë, kërkon studim të realitetit të kohës që duam t´a përshkruajmë. Por në një mënyrë apo një tjetër, të dy gjinitë (gjithë librat e mija) mbajnë diçka timen nga poezia dhe proza… E sa i përket pyetjes, ç´është letërsia, ajo është një histori në vete ose siç e kam dëgjua nga një krijues, letërsia shkon përtej historisë. Nëse letërsia do të ishte thjesht histori, atëherë mbaron dhe nuk ka më letërsi. Letërsia është ajo që jeton dhe pasi ti ke mbaruar rrëfimin. Nëse kjo vazhdon, atëherë ti mund të mendosh se ke bërë letërsi. Prandaj letërsia është një botë shumë interesante.

PYETJE: Rrëfimi në “Kryeqyteti i lakuriqëve” që ka dal këto ditë nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”, është metaforë e së keqes apo…?

MOLLIQI: Ja, është kështu.  Në prozë sfidomi i së keqes lejohet, pasi romani është një zhanër i pakryer. Jam munduar që vëmendjen e lexuesit ta mbaj të përqendruar brenda rrëfimit, përkatësisht brenda atyre ngjarjeve që u ndodhin personazheve nëpër kohën që duket mjaft absurde. Jam munduar të shpalos paradokset e dhimbshme të një kohe që po e jetojmë, për zhgënjimet e njëpasnjëshme që vijnë si të qëllimta në këtë kohë. Besoj se ky roman do të lexohet dhe do t´u pëlqejë të gjitha gjeneratave. Ndjehem mirë kur lexohen romanet e mija, por ndjehem keq kur krijimet e autorëve që janë në mërgim kalojnë aq heshtas atje në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, sikur këta autorë të mos u takojnë përbërjes së krijuesve shqiptarë.
Unë kam një vlerësim shumë të madh për lexuesit, sepse kur shkruaj, kam parasysh lexuesin e jo kritikun mbase tek ne kritika nuk frymon shumë.

PYETJE: Përveç si prozator, jeni marrë edhe me poezi dhe publicistikë, jetoni dhe veproni në mërgim, do të ishte me interes të mësonim, cili nga këto zhanre ka prioritet në krijimtarinë tuaj ?

MOLLIQI: Poezia është mbretëresha e artit që ka muzën poetike, që ka lojën metaforike, ka butësinë dhe ashpërsinë brenda vetes. Andaj brenda kësaj lufte unë shumë më guximshëm mund të përplasem, mund t´u përballoj dhembjeve që shkaktojnë plagët e çdo vargu. Proza është një botë tjetër, në përplasjen e parë më e rëndë, plot pengesa që herë-herë është vështirë të kalohet. Sado që në poezi thellësisht futem brenda saj, ta njoh botën e ndjesive të mia karshi botës që më rrethon, në prozë rrëfimi dhe ligjërimi ecën si në vrapim me pengesa që nëse merr n´thua dhe bie, e ke më vështirë të ngrihesh.

PYETJA: A ka mërgimi lidhshmëri më poezinë dhe prozës tënde?

MOLLIQI: Mund të them se mërgimi për krijuesit e përkushtuar është  një shtytje. Një infuzion. Kontakti ynë me vende, kultura, gjuhë të ndryshme e njohje me personalitetet letrare-artistike, së paku të jep mundësinë më interesante. Krijuesi emigrant, veç nostalgjisë së përhershme që ka për vendlindjen, mendoj se në distancë e me qetësi e përjeton edhe mall për vendlindje, kuptohet jashtë baladës dhe mitit. Tjetra, po e përsëris se e kam thënë edhe diku tjetër, letërsia që zhvillohet jashtë, nuk duhet konsideruar si krijimtari periferike, por pjesë integrale e letërsisë shqipe që krijohet në vendlindje. E di, mërgimi është një shtegtim i rëndë, por në kohën tonë marramendëse me plot përplasje, më gjithfarë krizash. Emërtimi si “shkrimtari emigrant” po na fyen, sikur po na gjuan në rendin e dytë të krijuesve. Të atyre pa vlera, të pa rëndësishëm. Ky veçim po ndodh. Ja mentaliteti nënçmues kur na thonë: “Ju mund të jetoni edhe pa krijimtari, s´keni nevojë të shkruani”. Thuajse të shkruarit është luks. Ky mentalitet është tipike për “klanet kulturore” të kryeqyteteve (Tiranë, Prishtinë), që e ndiejnë vetën superior. A s´është ky mendim i pandershëm? Ose pyetja; “përse vazhdoni të shkruani në një vend ku s´ju lexon kush?” thuajse ne shkruajmë për gjermanet, italianet, francezet etj….

PYETJE: T’u kthehemi përsëri kohërave tona tek romani “Kryeqyteti i lakuriqëve”

MOLLIQI: Saktë. Ky roman flet për të sotmen që ndodhë në kryeqytet. Lakuriqët. Një metaforë për njerëzit që veprojnë natën… Duhet ta kuptojmë një gjë, letërsia nuk ka si mision rregullimin e gjërave të shëmtuara që ndodhin çdo ditë. Se nuk e ka mjetin ta ndreq të shtrembëtën, por ajo është një zë i brendshëm që duhet të tregoj gjithçka që është e keqe dhe na shfaqet çdo ditë. Duhet të jap një mesazh të vetëdijshëm, për shoqërinë kur njeriu mundohet ta shndërroj botën në një teatër të absurdit, më mendimin se askush nuk ka të drejtë të gjykojë ndryshe përveç ashtu siç mendojnë ata. Prandaj në ketë roman mendoj se mesazhi është i qartë, nuk ka nënkuptime, paqartësi. Është e drejtpërsëdrejti gjithë ajo që thuhet.

PYETJE: Dhe pritni një vlerësim…?!

MOLLIQI: Po, unë ju thashë, vlerësimi se shkruajmë mirë apo keq nuk ndodhë ose nëse ndodh shpesh varet kush të vlerëson. Si të vlerëson? Sipas asaj që lexoj çdo ditë shoh se edhe në krijimtarinë letrare ka matrapaz, ka dallaveraxhi. E tmerrshme, a? Për dite botohen libra, e sidomos libra me poezi dhe botuesi, matrapazi merr rolin edhe kinse të kritikut duke shkruar se ky qenka poeti me i madh. Kjo përmbledhje poetike është antologjike e poezisë botërore… E tmerrshme. Këta janë emra te respektuar por qe për pak para, bijnë aq poshtë dhe një hiq poezi e ngritin në qiell… E tmerrshme, a…?!

PYETJE: Dhe, sipas kësaj, tek ne gjithçka që shkruhet i plotëson kriteret e një vepre të mirë. A ka edhe krijime që nuk i plotësojnë kriteret e mirëfilltë të një romani apo poezie?

MOLLIQI: Për mendimin tim nëse themi se gjithçka që shkruajmë është letërsi e mirë, gabojmë rëndë. Por, këtu pa e bërë gjykimin e letërsisë, të së mirës dhe të së keqes, po e parafrazoj një mendim të Bodlerit (e kam lexuar diku): “Njeriu është i lirë të bëjë edhe keq” Pra, edhe letërsia është e pafundme dhe aty ka gjithçka. Gjithçka. Këto sondazhet-montazhet që shohim çdo ditë si, i pari apo i dyti…nuk janë barometër që e matë cilësinë e një libri. Kohëve të fundit shpesh është vërejt se ca libra nga ato nuk kanë pasur vlera. Pse ndodh kështu? Sepse në treg rëndomtë kërkohen vepra të lehta me tema sensacionale, çudira, skandale seksi, letërsi policore. Por nuk është kjo masa që tregon letërsinë e vërtetë cilësore. Këtu mund edhe të gabohem.

PYETJE: Po ku është Arif Molliqi në botën e madhe të letrave shqipe?

MOLLIQI: He. Ku ndodhem?! Jam aty ku ka arritur fjala ime, ku është poezia e ime dhe proza ime. E, në këtë hapësirë nuk e di sa kam mundur të zë vend. Gjer ku jam shtrirë. Nëse merren si kriter disa botime, atëherë jam diku, e nëse jo, atëherë s jam askund…

PYETJE: Diçka për diasporën tonë….

MOLLIQI: Nuk jam i thirrur ta shpjegoj e as ta interpretoj fjalën “Diasporë”, por kjo fjalë për ne mërgimtarët është fjalë fyese. S di a e ka menduar ndonjëherë ai qe e përfaqëson diasporën se çfarë kupton me ketë fjalë, aq më shumë kur ne mërgimtaret brenda viti shkojmë e kthehemi në vendlindje nga dy/tri herë… Sa i përket shqiptarëve atje, e gjithë kjo varet nga vet sjellja e jone por edhe nga shteti i ynë. Thash nga sjellja e jone, sepse imazhi i një populli prishet shume lehte, sidomos kur ka propagande kundër këtij populli. Shqiptaret, për fat te keq, nuk kane qene ndonjëherë pa propagande antishqiptare, e cila kudo ka qene gjithmonë e pranishme, për shume arsye qe ne tashme i dimë te gjithë. Por kjo nuk do te thotë se ne na çliron nga përgjegjësia qe të bëjmë gjithçka për te ndrequr veten tone ne këto pika ku ne duhet te ndreqemi. Çdo popull duhet te dije se një popull ecën përpara kur i njeh te metat e veta dhe kur ka vullnet t’i kapërceje ato. Këtë duhet pyetur edhe diçka: çka bën shteti i ynë në ketë drejtim? Asgjë. Vijnë ministrat duke vizituar familjaret e vet, njerëzit e vet, vijnë për biznes dhe çështja shqiptare mbetet aty: mbetet si një emigracion qe s´ka atdhe mbase s´ka kush interesohet për te. Edhe diçka: sa mjete ka ndare qeveria e jonë, për ti përkthye disa libra, që do te krijonin imazh pozitiv për ne?….

PYETJE: Ne fund çfarë jeni duke shkrua këto ditë?

MOLLIQI: Gjithçka. Çdo ditë, por asgjë nuk e kam përfunduar. Asgjë nuk fillon dhe mbaron për një ditë.