ARBËRIA E VOGËL BËRTHAMË E SHTETËSISË SONË

Përvjetor: Në 96-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël

 Prof. Bedri TAHIRI

 ARBËRIA E VOGËL BËRTHAMË E SHTETËSISË SONË

 

AZEM E SHOTË GALICA

 (Sfidues historie, frymëzues brezash, amanete të paplotësuara…)

(Dymbëdhjetë vjet të pandarë në lufta e në beteja! Fati sikur ua ktheu shpinën! Trupat e tyre mbeten të ndarë, njëri në Galicë, tjetri në Fushë-Krujë!!!

Shqipëria dhe Kosova i nderuan me titujt më të lartë: HERO! Por, ç’e do, ore të keqen, kur asnjë Dekoratë nuk ka arritur aty ku duhet; te Familjarët!

Dhe, moskujdesi ndaj heronjve vazhdon. Ata, ende as pas gati një shekulli, nuk kanë një SHTATORE!!!)

 Arbëria e Vogël po mbushte motin e dytë të mëvetësisë. Kulla e lirisë rrezatonte mbi gjithë Trojet Shqiptare. Kapedani i saj dridhte mustakun si pendël korbi dhe zemra i bëhej mal me dëborë. Këtu kam lindur e këtu dua të vdes,- thoshte nëpër kuvende burrash. Drenicasit merrnin zemër dhe përkuleshin para flamurit kuqezi, që valëvitej përplot krenari. Edhe malet frymonin lirshëm. Xhandarëve e taksidarëve  të kralit serb ua kishin harruar surratin…
Kryekomandant i çetave çlirimtare

Azem Galica u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në një familje me tradita luftarake e atdhetarie, që në fëmijëri u përcaktua në rrugën e lavdisë. I ati, Bejtë Galica, ishte ndër luftëtarët më të njohur të Drenicës, i cili ra heroikisht në betejën e njohur kundër satrapit Shemsi Pasha, më 1907, në mes Rezallës dhe Deviçit.

Bejta kishte edhe tre djem të tjerë: Seferin, Zenelin dhe Ademin, por Azemi ishte më i dalluari. Ishte i zgjuar, besnik dhe shumë i shkathët. Ende pa i mbushur njëmbëdhjetë vjet, me pushkën e dajës së vet, Kurt Selacit, në Selac, vret kriminelin serb, Stojanin.

Gjatë viteve 1910-12 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në Drenicë, në kullën e Ahmet Delisë, mbathi opingat dhe dha kushtrimin për një luftë mbarëkombëtare kundër Perandorisë osmane. Edhe trimi 20 vjeçar radhitet në çetat e Drenicës dhe merr pjesë në betejën legjendare të Merdarit.

Megjithatë, me theqafjen e Turqisë, mbi trojet tona të molisura u vërsulën bandat kriminale serbe. Luftëtarët e lirisë u ndoqën, u  vranë dhe u burgosën. Edhe Azem Galica bashkë me dy vëllezërit arrestohet. Për disa muaj vuajti në baltën e Runikut, ku ishte formuar kampi famëkeq e rrëqethës. Drenicasit nuk duruan shumë. Një ditë e sulmuan dhe të burgosurit u liruan. Mirëpo xhandarët u vunë në ndjekjen e trimit, derisa e zunë dhe e dërguan në thellësi të Serbisë, në Zajeqar, gjegjësisht në Pozharevc. As prangat e rënda nuk e penguan shpirtin e etur për liri. Në pranverën e hershme të vitit 1915 Azem Galica u gjend në Drenicë.

Kthimi i tij ngjalli shpresat për ditë më të mira. Pa humbur kohë formoi çetën luftarake, e cila më vonë do të bëhet NËNA E ÇETAVE. Ato ditë në Kosovë u ndërruan edhe pushtuesit, në vend të serbëve erdhën austrohungarezët dhe bullgarët. Pushkët e lirisë nuk e ndalë n këngën e tyre. Shaqir Smaka me kohë kishte formuar çetat çlirimtare dhe luftonte pa pushuar.

Tashmë Azem Galica në Çetën e tij kreshnike kishte edhe shoqen e jetës e të pushkës, kishte Nusen e Maleve- SHOTË GALICËN, me të cilën qe fejuar para se të binte në burg. Këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë u bënë tmerr për armikun e për ata që i bënin argatë dreqit. Një ditë, kur Azemi mungonte, forca të shumta austriake ia mësyjnë Galicës. Pas një lufte të rreptë, dy vëllezërit e tij, Seferi dhe Zeneli, vritën në malin Gamna.

Betejën më të njohur kundër këtyre pushtuesve e zhvillojnë në Abri, më 6 mars 1917, ku plagoset për vdekje edhe vëllai i tij i vogël, ADEMI. Pos tjerash nuk duhet harruar as aksioni i suksesshëm në Përrua të Keq, kur me pak trima zuri mbi 2000 ushtarë austro hungarezë dhe të gjithë i dorëzoi në Mitrovicë, te komandanti francez Balshe.

Më 1918 formohet Mbretëria  SKS, që populli e quajti Serbia e Dytë, e cila edhe më rëndoi çizmen mbi tokat tona të shkretuara. Në anën tjetër as shqiptarët nuk qëndruan duarkryq. Po këtë vit, intelektualët shqiptarë nën udhëheqjen e Hoxhë Kadri Prishtinës formojnë Komitetin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” me seli në Shkodër. Ky Komitet, për t’u ardhur në ndihmë kryengritësve hartoi PROGRAMIN prej 10 pikësh dhe Azem Galicën e caktoi kryekomandant të çetave çlirimtare, të cilat numëronin mbi dhjetë mijë luftëtarë.

Dhe, në pranverën e vitit 1919, pikërisht më 6 maj, shpërtheu kryengritja e përgjithshme, duke përfshirë mbarë Drenicën dhe Dukagjinin. Ajo u shua me gjak, por pati jehonë të madhe. Serbia u përpoq t’i zërë  udhëheqësit e saj. Azemi e Shotë Galica ranë nëpër shumë gracka, por dolën faqebardhë. Luftërat dhe betejat e tyre nuk kishin të ndalur.

Bishat serbe tërë mllefin e shfrenin, duke u hakmarrë  mbi të paarmatosurit. Në janarin e vitit 1920 dogjën Kollën, kurse më 1921, në malet e Dubovcit e pushkatuan nënë Sherifen me bija e mbesa. Por të gjitha këto veprime kriminale i paguanin me kokë. Kështu, fill pas kësaj, Shota me vëllezër e me shokë, hyn në Mitrovicë dhe naçellnikut fytyrëzi ia numëron plumbat në lule të ballit.

Në dhjetorin e vitit 1921 formohet edhe Zona e lirë e Junikut ku kaluan shumica e luftëtarëve të lirisë. Ata, herë pas here dilnin edhe në Shqipëri, sidomos në Shkodër, ku merrnin udhëzimet për veprime të mëtejme.

Serbia, duke mos ia dalë me luftëra e me armë, zuri të përdorë taktikë tjetër, atë të mashtrimit, duke zhvilluar bisedime me prijësit e  çetave. Në ndërkohë u formuan edhe dy zona të lira: ajo e Dumnicë, në krye me Mehmet Konjuhin dhe ajo e Drenicës, në krye me Azem Galicën.

Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, në fillim përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit: Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Prekazin, Dubovcin, Beçiqin, Krasaliqin, Tërnavcin, Kuçicën dhe Stërmcin. Prej janarit të vitit 1924 ngushtohet, duke u kufizuar në tri fshatra: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë e shtetit shqiptar, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri…

    

    Rrethimi

-A durohet kjo, shteti në shtet?! O Shën Savë, Azem Galica po na çmend fare! Edhe fëmijët në djepa po e shohin ëndërr,- çirreshin ministrat e oficerët serbë, nëpër  zyrat e Beogradit.

-Do ta djeg shkrumb e hi mbarë Drenicën e mallkuar,- shfreu i tërbuar kral Aleksandri.

– Ah, jo, ore të keqen, jo, e zbuti mjekërbardhi tinëzar, Pashiqi. Unë të mësoj ndryshe, që, edhe do ta heqim qafe atë të mallkuar Azem Galicë, edhe  Evropa nuk do të hidhërohet…

Dhe, dita e 15 korrikut e vitit 1924 gdhiu fare ters. Forca të mëdha nga garnizoni i Shkupit, mbi 1200 veta, të përcjellë edhe nga artileria e rëndë e përbërë nga shtatë topa e shumë mitraloza, ia kishin mësyrë Drenicës. Gjarpri i zi zvarritej drejt Arbërisë së Vogël, e popullata e Mitrovicës nuk merrte vesh agjë. As xhandarët vendës nuk kuptuan dot deri te Leskova, afër Lubovecit, kur koloneli Stojanoviq, në prani te Zhupanit të madh te Shkupit, lexoi urdhëresën se shkonin për ta rrethuar Azem Galicën. Sulmi duhej të ishte i bëftë dhe i furishëm…

Kur këndoi gjeli i parë, të tri katundet: Galica, Luboveci dhe Mikushnica u gjenden të rrethuara shumëfish.

 

      Plagët mortore

Hëna kishte tretur diku pas resh e rojat i kishte mashtruar gjumi i ëmbël i mëngjesit. Edhe kulla qëndresë flinte në heshtje. Dje kishte pasur festë. Mbarë vendi kishte qenë për ta përgëzuar kapedanin. Kishin lozur, kishin kënduar dhe kishin qëlluar shenjë. Të sfilitur ishin shpërndarë të gjithë, edhe trimat e çetës. Aty s’kishin ngelur veçse dymbëdhjetë luftëtarë.

Zoja, gruaja e dytë e Azemit, i kishte hetuar pa krisur topi i parë. U zgjua edhe kryetrimi dhe dha kushtrimin, që sfidoi edhe krismat e topave. Djajtë u futen të gjallë në dhe. Beteja u ndez ashpër. Në çdo frëngji një grykëhollë lirie. Askush nuk i druante mortjes. Vargonjtë e rrethit të parë zunë të shkriheshin nga gjaku i valë i Bajram Tërnavcit e i Hys Popovës.

– Kujdes gratë dhe fëmijët e katundit, oj Shotë Galica!- tha kapedani dhe çau si vetëtima nëpër flakë pushkësh. Kapitenit serb, i cili kishte guxuar te afrohet pranë kullës, i ngeli shpata në gardh. Ushtarët serbë i mbyllnin sytë dhe i lëshonin armët nga dora. Livadhi i Frashrit zu të skuqej nga gjaku që shkonte rrëke. Halit Bajrami lëshohej rrokullimë me trimat sypatrembur gashianë. Në anën tjetër, Bekë Hyseni fluturonte nga Suka e Madhe. Shpatulla e majtë e kryetrimit rridhte gjak curril. Vallë, ecte apo fluturonte?! Me këmbë i shkelte zuzarët e palmuçur që nuk bëzanin. Kur po e kapërcente rrethin e tretë, një plumb tinëzar e kapi në kryqëza. Oh, sa keq! Plasën fishekët e vet në rrethatore dhe e dëmtuan rëndë. Edhe nga supet e Halil Avdisë, Smail Shabanit e Kamer Llaushës gacatorja e tij besnike shitonte papra. Oso Kuka i Lubovecit (Qerim Shashi) kishte ngulur këmbë në Qafëmal…

– Hiç mos keni frikë, hiç- mundohej t’i qetësonte fëmijët e lebetitur plaku mjekërbardhë, Shaban Tahiri, por breshëria e plumbave ia ndali fjalën në grykë. Të tjerët, në krye me dadën Shotë, morën drejt Qyqavicës. Nëse një fije floku i mungon dikujt, ju do të përgjigjeni para Azemit!- i kërcënonte ajo xhandarët që i takonte rrugës.

Të tri katundet kishin marrë flakë. Armiqtë, kur morën vesh se dragoi shpëtoi i gjallë, u tërbuan fare. Si ujqër të uritur u lëshuan mbi të pafajshmit. Vranë, pushkatuan, masakruan dhe dogjën gra, pleq e fëmijë. Hasimes nga Mikushnica me thikë ia nxorën ferishten nga barku…

 

    Takimi në Qyqavicë

Buzëmbrëmje e trishtë korriku. Lugu i Qyqavicës zhurmonte dhimbshëm. Vaje fëmijësh, rënkime plakash, shtrydhje të plagosurish. Midis tyre, i shtrirë në vig, qëndronte kapedani i plagosur. Veten e kishte harruar, i qante zemra për të tjerët. Me sy i vidhte ata që i mungonin. Tutje flaka shkonte deri në qiell. As të mallkuarit nuk kishin shpëtuar lehte, jo. Me lëkurë e paguan, lanë mbi njëqind të vrarë e shumë të plagosur, e ngushëllonte veten…

-O, ku je, o Azem Galica! Çohu në këmbë, he burrë i dheut t’i bëjë për hair varret e lavdisë. Ty s’ka çka të bën plumbi i shkaut. Ngrihu ndeze një cigare tarabosh se shokët përreth të duan të fortë e në këmbë. Veç dushmani të do të lodhur e të shtrirë. Çohu dhe gëzohu se ke një djalë!- foli Shota, që posa kishte arritur.

Trimi i dha zor dhe u ngrit pakëz në bërryla. Pasi ua hodhi një sy të gjithëve, ia ktheu Shotës:

-Mos u tall moj Shotë, se më ligsht jam sot se atëherë kur u plagosa në Arbëri. E di që Zoja ende nuk ka fëmijë, por emrin tim e lë peng për fëmijën që do të lind: Azem, nëse është djalë, Azemine, nëse është vajzë. Tash merri dhe shpërndaji këto familje, se armikut nuk i besohet…

 

O, prite Azem Galicën prite, more!

Lajmi për Epopenë e Arbërisë së Vogël, apo Betejën e Galicës, siç u quajt më vonë, u përhap si më krah. Mehmet Konjuhi dhe Shyt Bajqinovci, me çetat e tyre, fill arritën në Qyqavicë. Mehmeti, kur e pa kryetrimin shtrirë, zu të qaj me zë. Azemi i dha zor dhe u ngrit për t’i përshëndetur. Pasi u bëmë bashkë me Mehmetin s’kanë çka na bëjnë shtatë kralat!- tha ai i gëzuar. Dhe, pas një jave, karvani i luftëtarëve marshonte drejt mëmës Shqipëri. Rrugës ia sjellin edhe Allçin (kalin, që para betejës ia kishte dhënë Shaban Polluzhës). Për ca kohë pushojnë edhe në kullën e Sadik Ramës në Gjurgjevik. Me ta bashkohen edhe dy çeta, ajo e Mehmet Delisë dhe e Met Imerit.

Në malet midis Përçevës dhe Gllarevës, Azemi lodhet shumë. Nusja e Maleve dhe Plaku i Çetës, Bekë Hyseni, i qëndronin te koka. Kur u tubuan të gjithë, trimi mblodhi fuqinë e fundit, u ngrit ca dhe me gjysmëzëri tha:

Vëllezër! Amanet atdheun, ruajeni dhe luftoni të bashkuar për lirinë e tij. Të palgosurit dhe fëmijët jetima i përcillni në Shqipëri. Ti Shotë, mos iu ndajë çetës. E di që kurrë s’ke me e korit emrin dhe trimërinë tënde. Lamtumirë vëllezër! Kosova dhe ju më dhatë fuqi, zemër e krah lufte. Edhe i vdekur kam dëshirë me luftua bashkë me ju. Prandaj trupin më ma djeg ose më ma qit në një pus të pafund. Armiku nuk duhet ta marrë vesh vdekjen time. Trimat nuk kanë kohë të përlotën. Shtrëngoni fort armët, lufta nuk duhet ndërpritur…

Fjala i ngeli në gjysmë. E lëshoi shpirti në prehrin e Shotës. Trimat përreth ulen kokat dhe nuk u përmbajtën dot. Edhe trimëreshës i shpëtuan dy pika loti. Ah, jo, bjeshka po lotonte në heshtje…

Atë ag të mugët të 25 korrikut 1924, nga gurmazi i thellë i shpellës “ Çuku që kërcet “ jehoi kushtrimi: O prite Azem Galicën prite, more!

 

Nusja e Maleve kryeson Çetën

Me vrasjen e Azem Galicës pothuajse mori fund edhe Lëvizja Çlirimtare… Ato pak çeta të mbetura luftonin aty-këtu nën thirrjen e njohur “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICEN!”

Shotë Galica, pasi qëndroi disa ditë në Shkodër dhe pati takime me Hasn Prishtinën, Bajram Currin dhe anëtarët tjerë të Komitetit të Kosovës, u kthye në Kosovë për ta vazhduar rezistencën e armatosur kundër pushtuesve serbë. Për ta dërguar në vend amanetin e Azemit dhe për ta përforcuar bindjen se ai nuk ka vdekur, çeta e saj bashkë me çetën e Mehmet Delisë (Mehmetit të Vogël) e zhvillojnë një luftë të ashpër në Prekaz, në lagjen Mehaj. Aty i zënë ngushtë edhe vetë naçallniku i Deviçit ishte trishtuar dhe kur e shpëtoi kokën pohonte se me sy e kishte parë Azem Bejtë Galicën që e udhëhiqte betejën. Këto fjalë patën efekt te armiku dhe ngjallën tmerr e panik.

Në muajin janar 1925 ajo me çetën e vet e ndihmoi Bajram Currin në bjeshkët e Dragobisë.  Luftën e fundit Shotë Galica me çetën e vet e zhvilloi në Llaushë, më 1926. Shota plagoset rëndë, por qëndron. Asaj rruge, pasi i mori disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Po shkonte për të mos u kthyer më kurrë. Ishte kjo lamtumira e saj e fundit për Kosovën e dashur, për këtë tokë që dymbëdhjetë vjet e mbrojti me pushkë në dorë.

Kur kaloi në Shqipëri, në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Me vete e kishte Allçin e Azemit dhe armët e tij që ia pati hequr kur e varrosën në shpellë. Aty pranë i mbante edhe disa fëmijë jetimë, për të cilët mezi siguronte bukë. Plaga e rëndë që e mori në betejën e Llaushës, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Ta shikoje këtë luaneshë të dikurshme qysh ishte tretur, të prekte në zemër. Ishte bërë asht e lëkurë dhe po përjetonte çaste të vështira. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes edhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit. Edhe nipi i Azemit, Bejtushi (djali i Seferit) që gjatë sundimit nolian e kishte regjistruar në shkollë, në Tiranë, një kohë i sëmurë nga malarja qëndroi te Shota (edhe ai ka vdekur pak pas saj).

Ditët e fundit të jetës i kaloi në Derven, në atë shtëpinë e vogël përdhese. Ishte lodhur dhe dobësuar shumë. Kishte mbetur kockë e lëkurë.

Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Kur po jepte shpirt, te koka i qëndronin: fëmijët jetimë që ajo i kishte mbajtur, e që në heshtje po qanin, dy vëllezërit e saj dhe disa kosovarë të tjerë.

Varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Sipas porosisë së saj varrimi u bë në Fushë-Krujë.

Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT…

 

Azem Galica u bë UÇK-e

Hija e tij lëshoi rrënjë  të thella në tokën e lashtë dardane. Mësuesi Shaban Jashari u mësonte nxënësve për trimëritë e  Azem Galicës. Më mirë se të tjerët amanetin e tij e kuptuan të bijtë, Hamza e Ademi, të cilët një ditë u bënë edhe vetë histori. Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në tubimin e madh të mbajtur në Galicë, më 25 korrik 1990, qe betuar se do ta vazhdojë rrugën e Tij, rrugën e madhe drejt lirisë! Fjala e kryetrimit nuk mbeti peng, ajo e bë realitet. Azem Galica u bë UÇK-e, e UÇK-ja u bë Azem Galicë!

Para obeliskut të tij në Galicë dhanë betimin shumica e komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë. Një ditë të bukur, të javës së parë të prillit 1998, nipërit e tij, u mblodhën aty dhe u përbetuan: LIRI A VDEKJE! Njësiti i tyre suksesshëm veproi në kuadër të Batalionit III të Brigadës “FEHMI LLADROVCI”.

Barbaria serbe hyri edhe në shkrepat e Arbërisë së Vogël. Dogji e shkatërroi çdo gjë. Edhe obeliskun e Azem Galicës e bëri copë-copë…Cerberët karpatianë edhe në mermer ia patën frikën.

Dhe, një ditë agoi ditë e bardhë!

Azem Galicës sikur i buzëqeshte  mustaku…

Edhe Liria e shumëpritur ia bëhu në Trojet që këta dy bashkëshortë për mbi 12-vjet i kishin mbrojtur me këngën e grykëhollës…

Por, mjerisht, fati, sërish,  sikur ua ktheu shpinën! Trupat e tyre mbeten të ndarë, njëri në Galicë, tjetri në Fushë-Krujë!!!

Edhe më: Përkundër synimit të tyre që ta kemi një shtet, u krijuan dy! Dhe, këto dy shtete: Shqipëria dhe Kosova i nderuan me titujt më të lartë: HERO! Por, ç’e do, ore të keqen, kur asnjë Dekoratë nuk ka arritur aty ku duhet; te Familjarët!

Dhe, moskujdesi ndaj heronjve vazhdon. Ata, ende as pas gati një shekulli, nuk kanë një SHTATORE!!!