Arben Sejdiu hero i luftës dhe i paqes!

Shkruan: Florim Zeqa                     22.11.2020

Florim Zeqa


Në 10 vjetorin e vrasjes qyqare të ish luftëtarit të Koshares-oficierit të Policisë së Kosovës

Arben Sejdiu hero i luftës dhe i paqes!

Familja Sejdiu nga Grabanica, sikurse në të kaluarën e largët, ashtu edhe të afërt, Kosovës i ka dhënë politikan dhe intelektual të kalibrit, biznesmen të suksesshëm, kuadro dhe veprimtar, por edhe ushtarë të guximshëm, siq ishte Arbeni në luftën e fundit çlirimtare kundër pushtuesve serb.

Kush ishte Arben Sejdiu!?

Arben Sejdiu rrjedhë prej një familje të madhe dhe atdhetare, e njohur në trevën e Dukagjinit për traditen e mikëpritjes dhe bujarisë shqiptare.

Arben Sejdiu

Arben Sejdiu lindi më 03.03.1970 në fshatin Grabanicë të Klinës. Shkollimin fillor e kreu në sh.f. “Azem Bejta” në Grabanicë, ndërsa shkollimin superior në Akademinë Policore në Vushtrri.

Sikurse për shumë të rinjë të tjerë, lufta çlirimtare kishte prekur thellë në ndjenjat atdhetare të Arbenit, i cili rreshtohet ndër të parët në radhët e ushtrisë çlirimtare përkrah Sali Çekut, Agim Ramadanit, Xhemajl Fetahut,…dhe shumë luftëtarëve të guximshëm.

Kulminacionin e artit luftarak Arbeni e arrinë në Betejën e Koshares në radhët e Brigadës 138 Agim Ramadani, duke u shquar për trimëri dhe heroizëm të paparë.

Kjo dëshmohet në shumë video-inçizime të televizioneve vendore dhe ndërkombëtare, nga vijat e para të frontit të luftës në Kosharen legjendare, ku Arbeni shfaqet si një ushtarak i zoti dhe shumë i guximshëm.

Edhe pas përfundimit të luftës, Arbeni aktivitetin atdhetar e vazhdon nën uniformën e Policisë së Kosovës, për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve të vendit.

Arben Sejdiu i takon gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, të cilës i shërbeu me devotshmëri, si polic besnik dhe i përkushtuar në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në stacionet policore të Klinës dhe Pejës.

Mbrëmja e kobshme e 22 Nëntorit 2010

E kobshme ishte mbrëmja e së hënës së 22 Nëntorit 2010 për Familjen Sejdiu, kur ekspeditat vrastare sërish zbarkuan në fshatin Grabanicë.

Të fshehur nën errësirën e natës dhe mjegullës së zezë, nga një pusi e ngritur nga afërsia, me armë automatike e qëllojnë për vdekje në shtëpinë e xhaxhait të tij, heroin e luftës, oficierin e policisë Arben Sejdiu .

Ajo që ndodhi me vrasjen e oficierit të policisë Arben Sejdiu në shtëpinë e tij dhe në prezencën e familjarëve është pak më tepër se barbari njerëzore, e pandodhur dhe padëgjuar në këto troje.

Vrasësitt qëlluan aty ku nuk qëllon shqiptari-në shtëpi dhe në familje!

Edhe atëherë kur nuk kemi pasur shtet i kemi respektuar ligjet kanunore, traditat dhe zakonet fisnike të popullit tonë. Madje as për hakmarrje nuk është sulmuar njeriu në shtëpinë e tij dhe prezencën e familjes!

Vrasja e Arbenit ishte rëndë dhe e papërballueshme për familjen, e papritur dhe e befasishme për farefisin e gjërë, për fshatin e tij të lindjes, për Bashkësinë Lokale të Grabanicës, për qytetin e Klinës, për kolegët dhe bashkëluftëtarët e tij anë e kënd Kosovës.

Sikurse në luftë, ashtu edhe në paqe, Arben Sejdiu punoi me zell dhe përkushtim të madhë. Ishte dhe mbetet shëmbull i rrallë sesi luftohet dhe punohet për shtet dhe atdhe, sesi punohet për vendosjen e rendit dhe ligjit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Sikurse gjatë luftës në Koshare në përballje me armikun, edhe pas saj, Arbeni me guxim e trimëri e vazhdoi rrugën e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve nga dukuritë negative.

Dhimbje dhe zhgënjim i familjarëve

Edhe përkundër zotimeve të 10 viteve më parë të kolegëve të Arbenit, përkatësisht të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera kompetente, edhe në këtë përvjetor, po e përkujtojmë oficierin e policisë, djalin e urtë dhe trim të Republikës së Kosovës, Arben Sejdiu me të njëjta lutje dhe kërkesa për zbardhjen e vrasësve të tij!

Moszbardhja dhe mosdënimi i vrasësve të Arbenit është një njollë e zezë për shtetin e Kosovës dhe një amanet i papërmbushur i kolegëve të tij (Policisë së Kosovës).

Që 10 vite vrasësit e Arbenit janë të lirë, ata edhe pse nuk dihen publikisht, jetojnë të lirë në Kosovën e çliruar dhe mbrojtur heroikisht nga Arbeni me shokët e tij.

Vrasësist e tij mund të jetë kudo dhe kahdo, në politikë apo jashtë saj, në pushtet dhe opozitë, në institucione dhe jashtë tyre, por jo aty ku e kanë vendin-prapa grilave!

Kjo e ka shtuar akoma më shumë dhimbjen dhe zhgënjmine e prindërve të Arbenit, të cilët në vitet e para pas vrasjes i mbante gjallë shpresa e zbardhjes së rastit dhe arrestimit të vrasëve, përkatësisht dënimi i tyre nga drejtësia vendore.

Në një shtet ku vritet polici, vritet liria dhe demokracia e atij vendi

Sot kur përkujtohet Arben Sejdiu, mbetet e pajustifikueshme neglizhenca e organeve kompetente të zbulimit të kësaj vrasje qyqare.

Moszbulimi dhe mosdënimi i vrasësve e bën akoma më të dhëmbshme vrasjen makabre të Arben Sejdiut. Ishin tëpër e rënda këto 10 vite për familjen, pa e marrë as informacionin e vetëm se cilat ishin motivet e vrasjes dhe kush ishin dorasit të cilët i morën jetën e më të dashurit të tyre, duke e dëgjuar të njëjtin refren zyrtar “hetimet vazhdojnë”!

Familjarët nuk ju besojnë më premtimeve boshe të zyrtarëve dhe drejtuesve shtetërorë. Janë ngopur edhe më lëvdata dhe fjalime mortore me rastin e përvjetoreve. Ata nuk dëshirojnë më fjalë, lëvdata e vajtime, por veprime konkrete që çojnë në zbardhjen e vrasjes së djalit të tyre.

Familjarët e Arbenit kërkojnë zbardhjen e rastit, jo për hakmarrje, por për ndëshkim të vrasësve nga drejtësia dhe për distancimin e popullit të Kosovës nga vrasësit e bijëve dhe bijave më të mira të saj.

Vrasja e Arbenit do duhej të shërbente si mesazh dhe shëmbull për kolegët e tij, sesi luftohet krimi i organizuar, sesi nuk duhet dorëzuar para krimit çfarëdo që të jetë dhe ngado që të vie ai.

Lavdi e përjetshme për heroin e luftës dhe paqes, oficierin Arben Sejdiu!

Mallkimi i Zotit rëntë mbi dorën e zezë kriminale!