Albin Kurti mes përmbushjes së premtimeve dhe zhgënjimit të qytetarëve!

Shkruan: Florim Zeqa 10.02.2020

Albin Kurti mes përmbushjes së premtimeve dhe zhgënjimit të qytetarëve!

Në fillim të këtij shkrimi, dëshiroj t’i sqaroj publikisht opinionit të gjërë publik, e në veçanti lexuesve të mi besnik, se cilat ishin arsyet që e kam mbështetur lidhjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, para dhe pas procesit zgjedhor.
Arsyet janë të shumta, por dy janë më të rëndësishmet; e para, qëllimi im ishte për largimin e PAN-it, uzurpatorëve të pas luftës nga pushteti, dhe e dyta, për ta sjell në pushtet Albin Kurtin, si të vetmin lider të pasprovuar në nivelin qendror, me qëllim që edhe ky të provohet dhe qytetarët e vendit “t’ia heqin zhigin vetes”, në mënyrë që nesër të mos thonë; “Ah sikur të kishte qenë Albini, do të bëhej kështu apo ashtu”!
Prandaj, kam arsye të ndjehem mirë, nëse sado pak me shkrimet e mia kam kontribuar në arritjen e këtij qëllimi.

Rrëshqitjet e Albinit ngarendin njëri pas tjetrit…

Shkelja e parimeve dhe vënja në pazar e posteve politike për të ardhur në pushtet, e ka nivelizuar Albin Kurtin me liderët e tjerë partiak. Shkelja e parimeve dhe mos mbajtja e premtimeve paraqet rrëshqitje skandaloze nga kursi politik.
Rrëshqitja e parë e Albinit filloj me rritjen e numrit të ministrive nga 12 të proklamuara tëre kohën, në 15 ministri. Megjithatë, marrëveshja me Listën Serbe, paraqet befasinë më të madhe dhe rrëshqitjen e dytë më drastike të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në përgjithësi.

Çfarë po ndodhë me Albin Kurtin pas ardhjes në pushtet!?

Siq dihet botërsiht, premtimi bazik dhe më i fuqishëm elektoral i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte “burgosja e presidentit Hashim Thaçit”, me të cilin i rrëmbyen votat e qytetarëtve të vendit me 6 tetor 2019.
Albin Kurti në vend të përmbushjes së premtimit elektoral për shkarkimin dhe burgosjen e Thaçit, fillimisht postin e presidentit e ktheu në pazar politik me Isa Mustafën, nënshkruesin e “Zajednicës” me kompetenca ekzekutive dhe shkelësin e mëse 22 neneve të Kushtetutës.
Ndërsa tani pas marrjes së postit të kryeministrit po e bën të kundërtën, duke kërkuar koordinim dhe bashkërendim të veprimeve me Hashim Thaçin për vazhdimin e dialogut (pazareve) me Serbinë.
Për dallim nga Kurti, Vjosa Osmani në vend të përmbushjes së premtimeve elektorale, po e mbanë në sirtarë foton e Thaçit në zyrën e saj.
Premtim tjetër elektoral i Albin Kurtit, ishte edhe anulimi i të gjitha vendimeve të ‘Qeverisë Haradinaj’.
Edhe në këtë aspekt, nuk është duke ndodhur asgjë pozitive, përveq deklaratave për anulimin e disa vendimeve dhe emërimeve të Haradinajt pas aktit të dorëheqjes, duke e harruar me qëllim vendimin e parë super skandaloz të tij për dyfishimin pagës për vete dhe pagave të një pjese të kabinetit qeveritar, gjykatësve dhe prokurorëve.
Këtu vërehet qartë, se aty ku janë pyetje interesat personale të zotit Kurti, nuk do të preken aq lehtë vendimet e Haradinajt, ndërsa vendimet tjera që prekin interesin shtetëror dhe nacional të shqiptarëve, mund edhe të ndryshohen pa asnjë hezitim për t’ju hyrë në hatër ndërkombëtarëve siq është tarifa e vënë ndaj produkteve të shtetit serb.

Albin Kurti është duke shkuar gjurmëve të Hshim Thaçit

Konsistenca në mbajtjen e qëndrimeve dhe mbrojtja e parimeve e kishin bërë Albin Kurtin si liderë opozitar, jo vetëm të veçohet prej liderëve tjerë partiak, por të jetë i dashur për qytetarët dhe respektuar prej oponentëve politik.
Mirëpo, me marrjen e pushtetit, është duke ndodhur një ndryshim i paparë dhe substancial në qendrimet e Albin Kurtit.
Sikurse Hashim Thaçi, si ish udhëheqës politik i UÇK-së, me ardhjen në pushtet, i harroi vlerat e luftës çlirimtare,…madje i frymëzuar nga bisedimet me Daçiqin e Vuçiqin në Bruksel, luftëtarëve të lirisë ua solli “dhuratë” Gjykatën Speciale.
Edhe Albin Kurti, nga një lider radikal, si mbrojtës i të drejtave kombëtare, gradualisht është duke u shndërruar në lider të moderuar që mbështet dialogun pa kushte me Serbinë, duke zavendësuar Taksën 100 % me reprocitet pa njohje nga Serbia.
Albin Albin Kurti e ka rastin historik që të dëshmojë konsistencën e tij në mbajtjen e qëndrimeve dhe mbrojtjen e parimeve politike, me anulimin e vendimit të parë të ‘Qeverisë Haradinaj’ për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, me theks të veçantë pagën e kryeministrit, vendim të cilin e kishte kundërshtuar asokohe si liderë opozitar, e pse jo, në të njëjtën mbledhje të qeverisë, të merrë edhe vendimin tjetër për dërgimin e presidentit Hashim Thaçi në ‘Kushtetuese’ për t’i vërtetuar shkeljet eventuale të Kushtetutës dhe rrezikimit të sovranitetit të shtetit gjatë dialogut me Vuçiqin në Bruksel, në mos për t’i hapur rrugë një procesi gjyqësor, me këtë do ta arsyetonte zotimin e tij elektoral për “burgosjen e Hshim Thaçit” si dhe do ta dëshmonte vendosmërinë në qëndrimin e tij në funksion të sundimit të ligjiit, e jo të “Maliqit”.
Derisa kjo të ndodhë, Albin Kurti do të mbetet liderë në udhëkryq, mes përmbushjes së premtimeve dhe zhgënjimit të qytetarëve, përderisa numri i këtyre të fundit që po ikin nga Kosova është duke shënuar shifra alarmante.