AKTIVITETE KULTURORE NË DURRËS

Reportazh kulturor

Bedri TAHIRI

AKTIVITETE KULTURORE NË DURRËS

Gjatë dy ditëve (12 e 13 maj 2017) isha në Durrës ku zhvilluam shumë aktivitete kulturore. Si përherë, konakun e kisha në familjen bujare e atdhetare të Skënder Kapitit.

NJË ENCIKLOPEDI E LLOJIT TË VET

Ditën e parë takova avokatin, krijuesin dhe  atdhetarin Ilir Malindi nga Skrapari historik, të cilin e njoh qysh moti.  Nga ai më parë kisha lexuar librin “Kosova është imja”, por kësaj radhe shkas ishte  një Projekt madhor me vlera historike kombëtare, një Enciklopedi e llojit të vetë, që siç thotë me të drejtë filozofi, studjuesi e opinionisti i shquar, Skënder Kapiti ajo është: “Enciklopedia e vërtetë panshqiptare që i paraprin edhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare të ndara në dy shtetet shqiptare Shqipëri e Kosovë si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës dhe të Ҫamërisë”.

Vepra unikale apo kryevepra e tij voluminoze “Unitet States of Albania” (Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë), në të cilën punon e gjurmon që nga viti 2000, në vete ngërthen gjithë historinë dhe kulturën tonë që nga pellazgët e ilirët e deri tek aktualiteti i sotëm mbarë shqiptarë. Ajo do të dalë në 62 vëllime, me 26 mijë faqe shkrime e me 6500 fotografi që flasin vetë. Një punë kolosale që nuk e kanë bërë dot as institucionet përkatëse shtetërore. Por, mjerisht, mungon përkrahja materiale dhe deri sot janë realizuar vetëm dy vëllime, ky që e kemi përpara, i tridhjeti, dhe ai i dymbëdhjeti, të cilin ia ka dhuruar Bibliotekës kombëtare në Prishtinë.

Të lumtë z. Malindi dhe suksese në realizimin e këtij Projekti mbarë kombëtar!

PRANVERA POETIKE DURRËSAKE

Ditën e nesërme, më 13 maj 2017, në orën 11, në Pallatin e Kulturës  “Aleksandër  Moisiu”, nën kaltërsinë dehëse të qyetit bregdetar të Durrësit, për të tetën herë u zhvillua Festivali poetik “PRANVERA DURRËSAKE”. Një atmosferë e bukur me poetët nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Vlora, nga Tropoja, nga Shkodra, nga Pogradeci, nga Tirana, nga Kavaja, nga Saranda, nga Mati etj.

Pamje nga manifestimi

Në pjesën e parë të Programit u bë përurimi i libarave të poetes durrësake, që aktualisht jeton e vepron në Novara të Italisë, znj. Trandafile Molla…

Ndërkaq, në pjesën e dytë u lexuan poezitë konkurruese, të cilat i vlerësoi juria: Gjergj Vlashi, Ibrahim Berjashi dhe Petrit Rukaj.Unë pata poezinë kushtuar Lasgush Poradecit “SHTERG I QIEJVE”…

ME KRIJUESEN VILHELME VRANARI- HAXHIRAJ

Moment i veçantë për mua qe takimi dhe këmbimi i librave me krijuesen e njohur vlonjate, znj. Vilhelme Vranari- Haxhiraj, me të cilën jam në konatakt të përhershëm, por nuk e kisha takuar që nga Takimet e poeteshave në Vushtrri vite më parë…

Ajo ma dhuroi librin e saj të ri “PA KOMENT”, në të cilin është përfshirë edhe recensioni për librin tim “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, ku, që në fillim shkruan: “Me  rastin e 60 vjetorit të lindjes, i uroj zotit Bedri Tahiri, Jetë të gjatë lumturi në familje, suksese në rrugën e vështirë, por të ndritur të krijimtarisë dhe studimit! Me respekt të veçantë! Vilhelme, Fitim  dhe Familja Haxhiraj nga Vlora!

…Libri i z. Bedri Tahiri “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”  ka një vlerë të madhe me kapitullin e veçantë me dokumente të faktuara, kërkesa apo vlerësime, drejtuar politikës dhe shtetit për vlerësimin e Hotel “Drenica” që u shndërrua në pike referimi i qëndresës së  palëkundur të familjes Drenica për çështjen kombëtare. Ai hotel u bë streha e gjithë vullnetarëve që shkonin për t’u bashkuar me UÇK për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ai hotel zinin fill peticionet, kërkesat, deklaratat dhe thirrjet për të ndihmuar Kosovën…

Urime z. Bedri Tahiri për këtë vlerë të çmuar që na ke dhuruar!

Me krijuesin e madhe, Vilhelme Vranari-Haxhiraj

Dhe, sërish valët kaltëroshe të Adriatikut rrahnin brigjet e Dyrrahut plak, që me gjithë zemër na uronte: Gëzuar e gjithmonë qofshi kështu të bashkaur Ju penat shqiptare!

Durrës, 12 e 13 maj 2017