Adoleshentët dhe sjelljet antisociale të tyre

Mr. Adem Lushaj

Njeriu si qenie njerëzore, kalon nëpër disa faza të zhvillimit, duke filluar nga foshnjëria deri në plakjen e tij. Ai, kalon edhe nëpër procesin e adoleshencës, që është ndër proceset që përcillet me ndryshime të mëdha, fizike dhe psikike. Ky proces, duke filluat nga faza e hershme, deri te faza e vonshme e adoleshencës. Në procesin e adoleshencës, të rinjtë, përballën me ndryshime shoqërore, që mund të kalohet edhe në dukuri jo të mira. Shpesh herë, qoftë nga familja, apo edhe institucionet shkollore, këtij procesi nuk ia kushtojnë vëmendjen e duhur, që për një numër të rinjsh, mund të jetë periudhe vendimtare për jetën e tij. Psikologët këtë proces e quajnë si një tranzicion nga faza e varësisë, në atë të pavarësisë, që sipas tyre, tek disa të rinj, ky tranzicion kalon në mënyrë më të qetë, ndërsa te një kategori, përcillet edhe me ndryshime të dukshme. Në këtë periudhë të tranzicionit, sidomos në kohën e pubertetit, të rinj kanë ndryshime fizike, kanë një rritje të dukshme, por edhe një  pjekuri psikike dhe seksuale.

Sipas psikologëve, edukimi dhe mënyra e të kontrolluarit të duhur, nga faza e varësisë në të pa varësisë, qoftë nga familja apo shkolla, janë të rëndësisë së veçantë. E rëndësishme është edhe risocializimi i adoleshentëve, qoftë nga familja, shoqëria apo edhe institucionet qeveritare dhe jo qeveritare. Bazuar në shënime të institucioneve, një numër i të rinjsh, të cilët nuk kanë përkrahjen e duhur gjatë këtij procesi, përballën edhe me vepra delikuente, të cilët përballën edhe me pasoja ligjore.

Bazuar në këto, është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj faze, kjo moshë të përcillet dhe të ndihmohet që të kalon këtë proces në atë mënyrë, që mos të përcillen me probleme me të cilat do shoqërohen gjatë gjithë jetës. Thënia popullorë thotë se, “Më mirë të parandalohet, se të shërohet”. Sipas kësaj, adoleshentët është më mirë të edukohen në këtë fazë tranzitore, se sa të merren institucionet e ndryshme, për riedukim apo risocializim të tyre.

Adoleshenca si periudhë psikologjike dhe sociale e tranzicionit në mes të fëmijërisë dhe moshës madhore, njihet edhe si koha e turbullimit dhe stresit. Adoleshenca në kuptim të plotë të fjalës është një tranzicion prej varësisë te pavarësia dhe përfundon kur individi arrin statusin e të rriturit. Ky proces ndeshet me disa probleme që kanë lidhje me seksin, vetëdijen, kontradiktat prindërore, kodet morale ose konformizmin ndaj normave sociale. Në këtë periudhë zhvillohet ndjenja e identitetit, proces ky që ndeshet me kontradiktat midis aftësive, mundësive dhe dëshirave të tyre fizike, mendore dhe psikologjike dhe kufizimeve për të mos i realizuar ato. Adoleshenca është në kuptimin e vërtetë të fjalës një tranzicion prej varësisë të pavarësia, ajo është mosha e bukurisë, e çiltërsisë, e pastërtisë, e zhvillimit, e guximit, dinamizmit dhe shpresave të mëdha. Zakonisht sjelljet antisociale të adoleshentëve mund të jenë në vetë adoleshentin, në vet të riun, në familjen e tij dhe rrethin shoqëror. Nëse të rinjtë, në kohën e para pubertetit dhe të pubertetit, nuk hasin në mirëkuptim për ndryshimet anatomike, fiziologjike dhe psikologjike, që ndodhin në personalitetin e tyre, dhe nëse ata trajtohet keq, nëse atyre iu mohohet nevoja dhe dëshira për t’u dëshmuar se nuk janë fëmijë, se janë  të fuqishëm, dhe të dobishëm, duke mos i nënvlerësuar, këta adoleshentë, në të ardhmen, mund të shtojnë në personalitetin e tyre, elemente antisociale, si: sjellje delikuente, dhunë, agresivitet, shkelje të ligjit, marrëdhënie seksuale të hershme, praktika seksuale të homo-seksualitetit, pasojat e së cilave do t’i ndiejnë gjatë gjithë jetës. Duke u nisur nga këto rrethana, bota e qytetëruar-demokratike, i kushton rëndësi të veçantë edukimit të adoleshentëve. Psikolog të shumtë përdorin thënien apo krahasojnë të riun me një fidan, i cili kur është i shëndoshë,  ka gjitha gjasat të jetë fryt i shëndoshë. Prandaj, është nevojë e veçantë, sidomos e prindërve, të kenë kujdes gjatë edukimit të tyre, sepse, fëmijët, bazën e shëndoshë të edukimit e marrin në fëmijëri. Nëse ata marrin një edukatë të gabuar, atëherë do të vijë deri të edukata përmirësuese apo riedukuese, që është punë e mundimshme, dhe merr kohë shumë të gjatë, kur dihet nga praktika se, më lehtë është të parandalosh, se sa të shërosh. Gjithashtu duhet cekur se adoleshenca karakterizohet nga ndryshime të ndjeshme e të shpejta të gjendjes fizike dhe emocionale, mendime dhe ide të pa sistemuara, ndjeshmëri e lartë, momente rebelimi dhe përpjekje të njëpasnjëshme eksperimentimi, shpesh herë me sindromën e imitimit. Fëmijët e kësaj moshe fillojnë të vlerësojnë vetveten, kërkojnë të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, sidomos të seksit të kundërt, e konsiderojnë veten perfekt, ndihen të sigurt dhe plot shpresa për të ardhmen, ushqejnë ëndrra dhe pasione për t’u bërë njerëz të mëdhenj e të shquar. Shpesh herë këto ndryshime shkaktojnë hutim dhe çoroditje tek fëmijët dhe aq më tepër tek prindërit dhe edukatorët. Mjaft prej tyre pajtohen me gjendjen, i rrallojnë përkëdheljet, përkujdesjet dhe lavdërimet që u kanë dhuruar atyre si të mitur, si dhe ndeshen me vështirësi komunikimi, mosbindje dhe kundërshtime. Disa të tjerë janë të prirë t’i vlerësojnë sjelljet e papërshtatshme të adoleshentëve si kalimtare dhe përpiqen që t’i justifikojnë si procese të rritjes. Shumë prindër i harxhojnë energjitë për vogëlsira, nuk vlerësojnë problemet kryesore të kësaj moshe, kërkojnë t’i zgjidhin konfliktet me presion dhe urdhra, veprime këto që krijojnë reaksion. Neglizhimi i këtyre sjelljeve ka sjellë si rezultat që adoleshentët me prirje negative të manifestojnë jo vetëm sjellje antisociale, por të shkojnë deri në vepra kriminale. Fatkeqësisht, në statistikat kriminale treguesi i krimeve të kryera nga adoleshentët është një zë që duhet marrë në konsideratë. Mjaft prej tyre i gjen të regjistruar në evidencat e vjedhjeve, përdoruesve të drogave, prishjes së rendit, marrëdhënieve seksuale me dhunë apo me të mitur dhe deri tek vrasja e vetëvrasja. Sjelljet antisociale dhe veprimtaria kriminale e tyre ka disa veçori, ku si ndër më kryesoret mund të përmendim: papërgjegjshmëria logjike dhe penale. Ajo ndeshet me disa probleme që kanë lidhje me seksin, vetëdijen, kontradiktat prindërore, kodet morale ose konformizmin ndaj normave sociale. Ata fillojnë të analizojnë dhe vlerësojnë vetveten, si dhe të marrin vendime. Në këtë periudhë zhvillohet ndjenja e identitetit, proces ky që ndeshet me kontradiktat midis aftësive, mundësive dhe dëshirave të tyre fizike, mendore dhe psikologjike dhe kufizimeve për të mos i realizuar ato. Disa nga pasojat negative të moszgjidhjes drejt të kësaj kontradikte, janë edhe marrëdhëniet seksuale me dhunë, me të mitur apo praktikat seksuale të homoseksualitetit. Zhvillimi i vrullshëm fizik i adoleshentëve, shoqërohet edhe me një zhvillim po kaq të ndjeshëm seksual. Aftësitë dhe dëshirat fizike individuale ndeshen me një pengesë që mund ta konsiderojmë të moralit, opinionit, familjes apo shoqërisë për të mos i realizuar këto dëshira apo aftësi. Në edukimin, sikurse edhe në risocializimin e adoleshentëve, kanë rol të rëndësishëm: familja, shkolla, shoqëria, dhe institucionet e ndryshme qeveritare dhe joqeveritare.

Edukata seksuale është një nga shkencat më të sakta, që ndikojnë në drejtimin pozitiv të aftësive dhe dëshirave reale seksuale të adoleshentëve. Aktualisht në vendin tonë, ashtu si edhe në mjaft vende të tjera evropiane, kundër kësaj edukate shkencore, veprojnë opinionet dhe praktikat e grupit, trajtimi joprofesional dhe me imtësi i ngjarjeve dhe fakteve negative nga media, skenat seksuale në ekranet e filmave dhe televizionit, sitet e internetit, ekranet e celularëve, propaganda pedofile që po shfaqet me intensitet në ndonjë shtet të Evropës, si dhe modelet negative të kopjuara nga më të rriturit apo qoftë edhe nga prindërit dhe edukatorët.

Edukimi i adoleshentëve pa mohuar rolin e shoqërisë, shkollës, medies dhe mjedisit, një nga metodat më të efektshme për parandalimin e veprimeve antisociale të adoleshentëve, është kujdesi i familjes, përkatësisht prindërve apo kujdestarët të tyre, duke krijuar “ura” të komunikimit të mirëfilltë, me adoleshentin. Mos kujdesi dhe mos qasja e duhur e prindërve apo indiferenca në ndërtimin e marrëdhënieve me adoleshent, mund t’u kushtojë shtrenjtë, jo vetëm për prindërit e tyre, por edhe shkollën dhe rrethin shoqëror dhe shoqërinë në tërësi. Statistikat tregojnë se, si rrjedhojë e fakteve të mësipërme, te adoleshencët vihen re probleme të ndryshme si: përdorimi i alkoolit, drogës, duhanit, probleme dhe konflikte në familje, shoqëri dhe në shkollë, përfshirja në mjedise negative ose keqbërësish të moshave më të rritura, përplasja me ligjin, çrregullime në të ushqyerit, gjumin jo të rehatshëm, probleme shëndetësore, ulje e nivelit të notave, braktisje shkolle, ndryshim tërësor i shoqërisë, humbje apo divorcim të prindërve, stres, depresion, rrethana këto që ndikojnë në lindjen e sjelljeve antisociale. Këto dukuri si dhe kriza e adoleshencës, kur nuk kapërcehen, prodhojnë stres, mos parandalimi i të cilit sjell pasoja negative, që i tejkalon sjelljet antisociale, duke shkuar deri tek veprimtaria kriminale apo edhe vetëvrasja, në thelb të së cilës qëndron ndjenja e dëshpërimit, mos vlerësimit dhe mungesa e shpresës.

Njëri ndër institucionet më të rëndësishme të edukimit, pa dyshim është institucioni shkollor apo edhe institucionet tjera edukative-arsimore. Mos përfshirja e adoleshentëve nëpër këto institucione dhe mos kontrolli i duhur dhe mos qasja e duhur ndaj kësaj pjese të shoqërisë, pa dyshim se do sjell edhe telashe të shumta, duke filluar nga ato familjare, shkollore deri te ato penale. Nga praktikat shkollore, na raste jo të pakta, adoleshentet që nuk kanë pasur kontrollin dhe edukimin e duhur të institucionit të tij shkollor, kanë rrjedh edhe telashet e ndryshme, deri edhe te ato të përballjes me ligjin.

Riedukimi dhe risocializimi i të rinjve është një çështje shumë komplekse dhe e mundimshme për ta realizuar dhe që kërkon kohë dhe mundim të gjatë. Nevoja për riedukim paraqitet atëherë kur hetohen sjellje të papërshtatshme të fëmija. Zakonisht këto sjellje paraqiten në forma të ndryshme, si në shoqëri ashtu edhe në familje. Vetë termi riedukim me fjalë të tjera, do të thotë edukim i serishëm, çka nënkupton se duhet edukuar përsëri një person, i cili nuk e ka marrë një edukatë të mirëfilltë apo ta quajmë ndryshe një edukatë të gabuar që nuk përkon me rregullat dhe zakonet e një shoqërie të caktuar. Në jetën e përditshme këtë nocion (riedukimin) e ngatërrojnë edhe me terma tjerë si: ri-adaptim, rehalibitim dhe nocione tjera, gjë që, nuk janë identike. Me nocionin riedukim dhe risocializim apo ri-integrim, psikologët e kuptojnë si një gjendje përmirësuese që ka arritur personi i dënuar, gjatë qëndrimit dhe tretmanit të marrë nga institucioni përkatës.  Pra, ai, si personalitet, ka pësuar transformim, si në sjelljet ashtu edhe në bindjet lidhur me veprën të cilën e ka kryer dhe raportet të cilat i ka pasur lidhur me normat dhe rregullat e ndryshme shoqërore. Gjithashtu, ai person, është vetëdijesuar dhe sjelljet e tij do  jenë të kontrolluara. Riedukimi, risocializimi dhe ri-integrimi, kërkojnë një ndryshim rrënjësorë të qëndrimeve dhe të sjelljeve të personalitetit te dënuar. Sipas kësaj, ai person, pas arritjes së riedukimit dhe risocializimit, nuk do të përsërisë veprat delikuente, por në të ardhmen do të sillet në pajtim me ligjin, dhe do jetë i kujdesshëm në familje dhe rrethin shoqëror.

Në riedukimin dhe risocializimin e adoleshentëve kërkohen forma dhe metoda specifike dhe efikase. Nëse familja apo institucionet tjera, nuk kanë suksese në trajtimin e këtyre adoleshentëve, këta të rinj mund të bëhen delikuent të rrezikshëm për shoqërinë dhe shtetin.
Riedukimi dhe risocializimi i adoleshentëve në familje varet edhe nga kultura pedagogjike e prindërve, përgatitja profesionale e tyre dhe kushtet ekonomike sociale. Që të ketë proces të rëndësishëm dhe të arrihen suksese në këtë proces, është mjaftë e rëndësishme të ketë bashkëpunim gjithëpërfshirës të institucioneve qeveritare, joqeveritare, arsimore dhe familjes.
Procesi i tranzicionit nga mosha fëmijërore në atë madhore, pra mosha e adoleshencës, nga psikologët, konsiderohet faza e ndryshimeve të mëdha në jetën e tyre. Kjo fazë, orienton të rinjtë se cilën rrugë të marrin, qoftë rrugën e duhur të jetës së tyre normale apo atë, të sjelljeve të cilat do sjellin pasoja tek këta të rinj. Mos kujdesi dhe mos kontrolli i duhur i kësaj moshe, qoftë nga familja tyre, shkolla, shoqëria dhe institucionet tjera, do orienton këta në sjelljet e tyre antisociale. Me sjelljet antisociale të këtyre të rinjve, do kenë telashe vet të rinjtë, familja tyre, shoqëria dhe vet shteti.

Pra, me qëllim të orientimit të duhur të adoleshentëve dhe largimit të tyre nga rrugët jo të duhura dhe eliminimit të sjelljeve të tyre antisociale, është e rëndësishme edukimi i tyre me kohën, qoftë edukimi familjar, shkollor dhe shoqëror. Në këtë fazë të ndryshimeve psiko-sociale, emocionale, intelektuale dhe fizike, edukata e duhur do orienton adoleshentët në rrugën e duhur dhe nuk do ketë nevojë për aktivitete tjera për riedukim apo risocializim të tyre.