Adem Jashari: “Nëse milicia lazdrohet…”

Behram HOTI

Adem Jashari: “Nëse milicia lazdrohet…”

Bënte vapë e madhe në Kosovë. Drapri ra edhe në arat dhe grunajat në Drenicë. Në korsitë e asfaltuara në Drenas (Gllogovc), Skënderaj, vinin kolonat e milicisë serbo-jugosllave. Tri kolonat me artileri të rëndë: topa tri metra grykëgjatë…7 pizgauerë, 3 praga ruse, mitraloza të rëndë. Pizgauerët kishin ngjyrë vjeshte…

Toka e Drenicës e ndjeu rëndë gjëmën e tyre…asnjë degë lisi nuk pehatet…ra ora 10. 35. Qiellin e Prekazit e mbuluan retë. Kthyem rrugës që shpie në Lipovec e Mikushnicë. Morëm drejtimin për në Galicë…Dy helikopterë ngjyrë hiri trazojnë qiellin dhe tokën e Galicës…Pleq e Plaka…në Drenicë, helikopterëve të Serbisë u thonë budallica.

Kolonat marrin udhën për Tërnoc dhe sharrojnë në grykën e Vojteshit. Kjo grykë është kodrinore- malore që shpie për në Galicë. Nëpër këtë grykë, dhunti e zotit për strategji lufte, pikërisht më 17 korrik 1689 sipas Pikolomenit, në luftëra ishin përfshirë 6000 shqiptarë, shumica e tyre drenicas. Emri Drenicë ua ligte gjakun ndër damarë dhe ua shtonte tmerrin dhe frikën armiqve. Paniku ua rrapëllinte tokën nën këmbë serbo- sllavëve, por edhe herët sulltanëve e anadollakëve ua trazonte gjumin. Këtë tmerr e shijoi edhe pushtuesi serb, kral Pashiqi. Si valët e detit, shkuma-shkuma shpalosen kronikat me këngë e me gjëmë:

Lumja ti DRENICË e kuqe

Asni plumb kurrë nuk e huqe…

Në Drenicë rrufeja shkrepte edhe natën…25 korriku 1990, Galicën e mësynë mijëra qytetarë të Kosovës, vinin edhe vëllezër shqiptarë nga Maqedonia, Presheva, Plava e Gucia…

Lëvizja dhe kushtrimin: Sot në Galicë 25 korrik 1990, zbulohet Obelisku i trimit shqiptar të Armatës shqiptare, Azem Bejtë Galicës. Gjithashtu sot Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve kurorëzon pajtimin e dy familjeve…

Dhe në vijë të agimit të 25 korrikut 1990, Drenicën, e madhëruan qytetarë të Rugovës, të Mitrovicës, Shalës së Bajgorës, të Rrafshit të Kosovës, të Kumanovës, të Preshevës e Iliridës që kishin mësyrë e po vinin në manifestimin gjithëpopullor në Galicë.

Liria nuk blihet me para e me tokë

Po fitohet me gjak e me kokë…

“Nëse milicia lazdrohet, do t’ia fillojmë luftës”- tha Adem Shaban Jashari, kur ora shënonte 10 e 10.

Ra ora 10 e 45

Në tribunën e rregulluar nën valëvitjen e flamurit kombëtar shqiptar u ngrit atdhetari, shkrimtari dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare, Bedri Tahiri-Galica.

Në krahun e djathtë të tribunës, pikërisht aty ku valëvitej flamuri vëzhgonte Çeta e Prekazit, skuadra e luftëtarëve të lirisë. Zbardhonte plisi mbi kokën e Adem Jasharit.

Në krahun e majtë të tribunës vëzhgonte skuadra e Sahit Jasharit me duhinë e trimave.

Në sheshin e obeliskut ballë për ballë qëndronte dhe vigjilonte Çeta e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve. Adnan Merovci fotografonte e filmonte.

Ra ora 11

Në Galicë, hynë kolonat e milicisë të Federatës Serbo-Jugosllave…Pizgauerë  e autoblinda, të armatosur deri në dhëmbë me pancir e çelik.

Në fushën e Galicës ku zhvillohej manifestimi arritën eskadronët e milicisë serbe… ra boria e megafonit. Milicët, në fillim kërkuan që turma të shpërndahet. Turma nuk lëvizi as një hap. Ishin mbi 40.000 shqiptarë që nuk tundeshin…Atdhetari Bedri Tahiri lexonte fletën e historisë të luftës së Drenicës, të arkivit mbi 120 vitesh dhe fletën e 75 luftëtarëve të Azem Bejtë Galicës e të plakut të çetës Bekë Galicës… Milici heshti…Syri i tretë vigjilin…

Atdhetari Abdyl Krasniqi ngrihet në tribunë, përshëndet masën dhe së bashku me anëtarët e tjerë zbulojnë Obeliskun e Azem Galicës. Në vazhdim Lëvizja bën ceremoninë e pajtimit të dy familjeve…

Milicia e federatës Jugosllave hesht…”Nuk u lazdrua”…u tërhoq.

Edhe pse një milic shqipfolës, tenton të flasë diçka…turma nuk lëkundet, as tundet…manifestimi vazhdon…

Galicë, 25 korrik 1990