Adem Hajdaraj kishte koncepte institucionale të vijës së presidentit dr. Ibrahim Rugova

Me rastin e trevjetorit të  ndarjes nga jeta, e ish deputetit të Kosovës, vëllait të heroit të kombit, doktorit të shkencave të Gjuhës Shqipe, profesorit Adem Arif Hajdaraj, nga Dugaiva e Rugovës.

Adem Hajdaraj kishte koncepte institucionale të vijës së presidentit dr. Ibrahim Rugova.

Mr. Adem Lushaj

Familja Hajdaraj pos që njihet për faktin se Kosovës i dha heroin, ish deputetin i Parlamentit të Kosovës, komandantin e UÇK-së Smajl Hajdaraj, është e njohur si familje me tradita atdhetare e cila ishte e përndjekur dhe persekutuar nga regjimi serbo-sllav. Po ashtu, nga kjo familje kishte dal edhe profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Adem Hajdaraj, i cili ishte deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ashtu sikurse vëllai i tij (Smajli), kishin koncepte institucionale të vijës së presidentit dr. Ibrahim Rugova.

Edhe babai i dy deputetëve (Ademit dhe Smajlit, tashmë që të dy të ndjerë) Arif Reka, me vite kishte vuajtur nëpër kazamatet serbe, ku ishte dënuar me të vetmen akuzë, pse kishte ide patriotike dhe nuk i nënshtrohej regjimit barbar të asaj kohe. Bashkëshortja e Arif Rekës, edhe pse kishte burrin në vuajtje në burgun famëkeq të Goli Otokut, kishte arritur të ushqej, edukoj dhe shkolloj fëmijët e saj, duke bërë që të krenohet e gjithë Kosova.

Biografia e dr. Adem Hajdaraj

Adem (Arif) Hajdaraj kishte lindur më 13.12.1944 në fshatin Dugaivë të Pejës, në Regjionin e Rugovës. Rrjedh nga një familje patriotike, babai i të cilit (Arif Reka), ishte i burgosur politik i Goli Otokut. Ademi ishte vëllai i madh i ish Deputetit të Parlamentit të Kosovës dhe komandantit të UÇK-së për Rugovë, Smajl Hajdaraj-t dhe veprimtarit të pa lodhshëm Fazli Hajdaraj.

Profesor Adem Hajdaraj ishte ligjërues në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukimit, si Doktor i Shkencave Albanologjike. Ai, ishte veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare, e për një kohë ishte kryetar i LASH në Pejë (Lidhja e arsimtarëve shqiptar) në periudhën e paraluftës. Pas përfundimit të luftës, ishte zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, Adem Hajdaraj, për dy mandate ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së në Pejë. Angazhimet e profesorit dhe kontributin intelektual të tij, ia ndërpreu një sulm në zemër, që e goditi mu në mesin e studentëve të tij, të Universitetit të Prizrenit.

I përjetshëm kujtimi për atdhetarin Adem Hajdaraj dhe respekti për familjen e tij.