A kanë moral politikanët e sotëm për të bërë moral dhe për t’u dukur në Ditën e Pavarësisë

A kanë moral politikanët  e sotëm për të bërë moral dhe për t’u dukur në Ditën e Pavarësisë

Nga Skënder Sadri KAPITI                                                                                

Besoj se kjo pyetje ka brënda  edhe përgjigjen e saj, atë se politikanët shqiptarë ,politika dhe pushteti janë sot më të neveritshmit te shumica e shqiptarëve. Kur pushtetarët shqiptarë, krerët me të lartë të shtetit e të politikës  dalin sot në përvjetorin e Pavarësisë për ta kremtuar atë, ajo nuk u shkon atyre për t’u dukur në krye të kombit , por duhet të fshihen sepse ekspozimi,  amoraliteti dhe hipokrizia e tyre vetëm sa e venit festën më të madhe të shqiptarëve.

Për çfarë duhet të dalin ata në këtë festë, për të mbuluar dhe për ta justifikuar  veten e tyre para popullit  si “kombëtarë  e patriotë”  një herë në vit?!

Apo duan të dalin për t’u dukur  si “baballarë e burra  shteti” sa për të mbuluar korrupsionin, mashtrimet, zullumet, tradhëtitë dhe hajnit kombëtare të tyre?!

Dita e Pavarësisë duhet të jetë protestë, pra një festëprotestë popullore  kundër papërgjegjshmërisë, kundër varfërisë, papunësisë dhe kundër politikës dhe drejtësisë së korruptuar dhe të kriminalizuar, të cilat kanë viktimizuar shumicën e shqiptarëve duke i detyruar ata që të largohen nga atdheu.

Për çfarë dalin këta  “kryetëparë” të kombit në Festën e Pavarësisë për t’u mburrur me atë se prej tyre shqiptarët marrin arratinë dhe largohen nga atdheu prej padrejtësive të atyre të cilët ua kanë bërë jetën  shqiptarëve sketerrë, të padurueshme dhe të pamundur në Shqipëri.    Dita e Pavarësisë  nuk u takon pra këtyrëve, të cilët vetëm sa kanë spekulluar me sakrificat e atyre të cilët dhanë gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë.

Kjo festë i takon që ta festojnë vetëm shqiptarët, Gjithë Kombi Shqiptar. Nuk i takon politikës shqiptare që ta festojë këtë festë , nuk u takon atyre që ta privatizojnë këtë festë sepse prej tyre mbahet peng zhvillimi, ndërtimi dhe konsolidimi i Shtetit ligjor dhe demokratik shqiptar;prej tyre Shqipëria ka mbetur e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit për në BE.

Festa Kombetare është një festë madhështore në kujtim të ngjarjes më të madhe historike të kombit, por ajo shërben njëkohësisht edhe si një “gjyq” për ata të cilët e drejtojnë shtetin shqiptar sot, gjyq i cili i vë ata përpara përgjegjsive se a e meritojnë ata vëndin që kanë në krye të shtetit e të kombit, a janë ata me të vertetë të merituar  për të qeverisur  dhe si pasues  dhe respektues të  vërtetë  të sakrificave të jashtëzakonshme të atyre prej të cilëve erdhi Pavarësia Kombëtare?!

Sot më shumë se çdo ditë tjetër opinioni gjykon se a i meriton këta, a e meritojnë shqiptarët  këtë elitë politike në krye, a e meriton këtë politikë dhe pushtet që të qeveriset prej tyre. Festa shërben si kujtim e nderim për të shkuarën , por edhe si reflektim , gjykim  dhe reagim për të sotmen në atë që në rastin më të afërt të zgjedhjeve kombëtare populli të gjykojë dhe të ndëshkojë të pamerituarit, të korruptuarit dhe të gjithë ata të cilët kanë interesin personal mbi ata kombëtar, për të dëbuar nga politika e pushteti të gjithë ata prej të cilëve  dhe për shkak  të të cilëve  kërcënohet sovraniteti kombëtar.

Manipulatorët, tradhëtarët dhe spekulatorët e kombëtarizmit dhe patriotizmit nuk duhen lënë për një kohë të gjatë në krye të shtetit dhe të kombit, pasi ata edhe përkohësisht  edhe  pse gabimisht mund të jenë atje lart, ata i shkaktojnë dëme të rënda kombit e që duhet pastaj shumë mund, sakrifica dhe kohë për t’i riparuar ato.

Këta  të tillët,për mëkatet e mëdha të tyre duhet të ndëshkohen ashpër nga vota popullore dhe nuk u duhet dhënë më kurrë mundësia që të kthehen përsëri në krye të punëve të shtetit dhe të kombit, as atyre por edhe as atyre të cilët shëmbullojnë si ata.

Seleksionimi dhe zgjedhja e elitës  së mirë, të përgjegjshme dhe shpirtërisht e pastër moralisht dhe kombëtarish është detyrë demokratike dhe kombëtare e kombit. Të tillëve u ka hije që të na drejtojnë  e të duken edhe në festën kombëtare të Pavarësisë, sepse një elitë dhe me një elitë të tillë në drejtim të Kombit forcohet ai dhe konsolidohen shteti kombëtar dhe demokracia.

Syri i popullit zhbirilon deri edhe në skutat më të errëta të atyre që tradhëtojnë, që abuzojnë, vjedhin dhe që matrapazojnë me interesat kombëtare.Asgjë nuk mund t’i fshihet popullit vigjilent dhe të mënçur  i cili edhe mund të gabojë por jo përgjithmonë. Populli është inteligjent dhe e dallon mirë  mirëbesimin  e tij nga hipokrizia e politikës dhe e politikanëve të tij. Dhe e sigurta është se një ditë del në dritë vërtetësia e cila godet dhe ndëshkon me të drejtë fshehtësinë tinzare të tradhëtisë dhe të tradhëtarëve, të mashtruesve, të  gënjeshtarëve dhe   korrupsionin e tyre . Tradhëtia e politikës dhe e pushtetit , abuzimi dhe korrupsioni i tyre nuk mund të mbulohen me dukjet vënd e pavënd të tyre të cilën ua mundëson paraja e korrupsionit dhe  sidomos qënia në pushtet duke dalur dhe u  shfaqur  me “bujë” patriotike edhe me rastin e festave kombëtare.

Durrës, 28 Nëntor 2018