A ishte Dr. Ibrahim Rugova, përcaktues për votuesin deçanas?

Analizë e Zgjedhjet lokale në Decan (2000-2017)

A ishte Dr. Ibrahim Rugova, përcaktues për votuesin deçanas?

MSc. Adem Lushaj

Sa ishte Rugova, LDK-ja qëndronte e fortë. Por, pas shkarjes në amshim të ish presidentit, kishte filluar edhe rënia e LDK-së dhe ngritja e AAK-së, rritje që e forcoj edhe në zgjedhjet e fundit të mbajtura me 22 tetor. Edhe deklarimet e qytetarëve bëjnë një ndarje në kohën e Rugovës dhe atë të pas shkuarjes së tij në botën e amshueshme, sikurse që tregojnë edhe rezultatet e prezantuara edhe në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Analizimi i zgjedhjeve lokale që nga viti 2000, tregojnë për një rënie të vazhdueshme të LDK-së, krahasuar me kohën kur ishte në jetë, ish presidenti i vendit dhe i kësaj partie, dr. Ibrahim Rugova. Përderisa, LDK-ja ka rënie të dukshme pas zgjedhjeve të treta lokale, dy subjektet tjera rivale, e sidomos AAK-ja, ka një rritje dhe qëndrueshmëri të elektoratit të saj.  gjithnjë sipas rezultateve të marra në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, PDK-ja po thuajse ka arritur të mbaj elektoratin e saj, me një ngrije të vogël në dy zgjedhjet e fundit.

Zgjedhjet e para të pas luftës të organizuara nga organizatat ndërkombëtare, posaçërisht OSBE-ja, shihet se qytetarët kishin vazhduar të besojnë në vizionin e presidentit Ibrahim Rugova. Ishte vjeshta e vitit 2000, kur ishin mbajtur zgjedhjet e para lokale, e bazuar në rezultatet e zyrtarizuara, ka dalë se LDK-ja kishte marrë 19 ulëse, nga 31 të mundshmet, ku 12 të tjerat ishin për AAK (10 ulëse) dhe PDK-në (2 ulëse). Edhe pse LDK-ja kishte shënuar fitore bindëse, nuk kishte qeverisur e vetme, gjë që pas bisedimeve me ndërmjetësim të UNMIK-ut, ishte arritur marrëveshja për qeverisje të përbashkët. Pra, pos qeverisjes nga UNMIK, kishte bashkëqeverisje të tri partive politike, (LDK, AAK dhe PDK). Ndërsa, në zgjedhjet e radhës të organizuara në 2002, kishte ndryshim të forcave politike, ku sërish LDK-ja doli forca e parë, duke marrë 15 ulëse, ku numër të njëjtë kishte edhe AAK-ja, ndërsa PDK-ja kishte marrë një ulëse. Edhe pse në përqindje më të madhe, LDK-ja nuk kishte arritur të qeverisë me Deçanin, ngase këtë gjë e kishin bërë së bashku,  AAK-ja me PDK-në, mandat të mbajtur deri në zgjedhjet e vitit 2007. Shkuarja në amshim e ish presidentit të Republikës së Kosovës, dhe ish kryetarit shumëvjeçar të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, kishte reflektuar edhe në komunën e Deçanit, ku filluan përplasjet e brendshme brenda LDK-së, gjë që reflektoj edhe me ndarje të elektoratit në LDK dhe LDD.

Zgjedhjet lokale të vitit 2007, ishin mbajtur në një mënyrë tjetër, ngase Ligji për Vetëqeverisje Lokale, kishte bërë që kryetarët e komunave të kenë përgjegjësi më të mëdha ekzekutive, si dhe zgjedhja e tyre të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, e jo siç kishte në zgjedhjet e kaluara, kur kryetari i komunës ishte i shkëputur nga ekzekutivi (deri në vitin 2007, me drejtorët e drejtorive udhëhiqte Kryeshefi ekzekutiv i cili përzgjedhje nga komisioni i formuar nga Asambleja komunale). Mbajtja e tri palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë (ishin mbajtur zgjedhjet për kryetar të komunave, për asamblenë komunale dhe deputet të Kuvendit të Kosovës). Përçarjet dhe ndarja e elektoratit në LDK dhe LDD, kishte reflektuar edhe në rezultatet, ku AAK-ja kësaj radhe del forca e parë politike, ndërsa subjekti i ri garues, LDD-ja, kishte dalë e dyta por me numër të njëjtë të ulëseve sikurse “rivali i saj” LDK-ja. Pra, rezultatet e publikuara kishin dhënë se AAK-ja do ketë 15 ulëse në legjislativin e komunës, LDD-ja dhe LDK-ja nga 6 ulëse, ndërsa PDK-ja dhe AKR-ja kishin marrë nga dy ulëse. Edhe pse nuk kishte shumicën e ulëseve në Kuvend, kryetari i zgjedhur për herë të parë më votën direkte të qytetarëve, Musa Berisha (në këtë garë ishin 9 kandidat për postin e të parit, Berisha kishte arritur të fiton në rundin e dytë, pasi që ishte përballë në balotazh, me të riun nga LDD-ja, Blerim Bajraktaraj), kishte formuar ekzekutivin pa ndonjë marrëveshje zyrtare me ndonjërën nga partitë politike, që ishte pjesë e Asamblesë komunale.

Ngritja e AAK-së në Deçan, vazhdoj edhe me zgjedhjet e vitit 2009, ku kësaj radhe nga kjo komunë ishte ndarë, Juniku, pasi që kishte marrë statusin e plotë të komunës (për një kohë ishte në cilësinë e Pilot Komunës, sipas procesit të decentralizimit të zhvilluar në Kosovë, ku Juniku, Mamusha dhe Hani i Elezit, kishin të njëjtin status). Në këto zgjedhje lokale, AAK-ja kishte marrë 16 ulëse nga gjithsej 27, që ishin përcaktuar sipas Ligjit të Vetëqeverisjes lokale (deri në këto zgjedhje, ishin 31 asamblist komunal). LDK-ja, edhe pse kishte marrë vetëm 5 ulëse, kishte arritur të ruan përqindjen e votuesve të saj, gjë që nuk kishte vlejtur edhe për LDD-në, që kishte marrë vetëm dy ulëse, sikurse që kishte edhe PDK-ja, ndërsa AKR-ja dhe PSDK-ja, kishin siguruar nga një ulëse. Duhet përmendur se në këto zgjedhje, kandidati i AAK-së për kryetar Komune, Rasim Selmanaj, kishte arritur të zgjidhet kryetar, qysh në rundin e parë, duke marrë afër 70 përqind të votave deçanase. Mirëpo, kjo gjendje nuk ishte pas katër vitesh, edhe pse AAK-ja kishte kandiduar sërish me kryetarin aktual, Rasim Selmanaj, pasi që i njëjti kishte rënie të madhe, krahasuar nga zgjedhjet paraprake (Selmanaj kishte fituar sërish me balotazh, por tash me rezultat shumë m ë të ulët, dikur rreth 54 përqind, ku kësaj radhe kishte për kundër kandidat, sërish Blerim Bajraktaraj, por kësaj radhe në emër të LDK-së, cili kishte dalë bindshëm para subjektit të tij politik). Në këto zgjedhje, AAK-ja, kishte arritur të merr 13 ulëse, krahas LDK-së, që kishte shënuar një rritje pothuajse të dyfishtë, duke marrë 9 ulëse në Kuvendin komunal, ndërsa 3 ulëse kishte marrë PDK-ja, e VV-ja për herë të parë bëhet pjese e legjislativit të komunës (dy këshilltarët e VV-së, ndërkohë kishin kaluar si pjesë e AAK-së, duke bërë që VV-ja të mbetët pa përfaqësim në Kuvendin e komunës). Mirëpo, numrin e ulësve dhe me një rritje të madhe, VV-ja e bëri në zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti, përderisa, LDK-ja sërsih mori një “grushtim” nga votuesit deçanas. (nga 9 këshilltar që kishte, LDK-ja ka siguruar 5 ulëse në përbërjen e re të legjislativit të komunës, ndërsa PDK-ja ka arritur të ruan numrin e njëjtë të ulëseve në Kuvendin komunal). Edhe pse, jo zyrtarisht, në këto zgjedhje, AAK-ja ka shënuar një rritje të madhe të besueshmërisë, duke siguruar 16 apo 17 ulëse në përbërjen e re të Kuvendit, ndërsa kandidati i saj për kryetar, bashkim Ramosaj, doli bindshëm para kundër kandidatëve të tij, i cili edhe zyrtarisht është konstatuar nga KQZ-ja, si fitues i zgjedhjeve me mbi 64 përqind.

Pra, shihet qartë se periudha e presidentit Rugova, ishte përcaktues edhe në zgjedhjet në Deçan, ku pas shkarjes në amshim të presidentit historik të Kosovës dhe LDK-së, ka filluar rënie e kësaj partie dhe ngritja e AAK-së, në krye të së cilës qëndron Ramush Haradinaj, i cili është edhe Kryeministër i republikës së Kosovës

Zgjedhjet lokale në Deçan, 2000-2017