A funksionon në Shqipëri shteti publik, juridik, demokratik dhe ekonomik?

Nga Skënder S.KAPITI

Këtë shkrim dhe këtë  pyetje po  e bëj duke pasur parasysh normativen, atë të funksionit që duhet të kryejë shteti, së pari atë  si shtet publik për të cilin edhe punohet, sakrifikohet e luftohet për të ngritur dhe ndërtuar  shtetin sovran  kombëtar, që do të thotë se ndërtesa e madhe shtet  duhet t’u  shërbejë të gjithëve, pra publikut shqiptar dhe jo  përgjithësisht më së shumti vetëm politikës, politikanëve e pushtetarëve të tij që e kanë kapur atë. Shteti është një organizim apo organizatë shoqërore, publike  apo kombëtare kryesisht  si shtet kombëtar që ngrihet mbi elementët juridikë, demokratikë dhe ekonomikë.

Pra, shteti shqiptar  nuk  është akoma  i tillë dhe  nuk  funksionon  si i tillë, por  keqfunksionon si një shtet jopublik, jojuridik, jodemokratik dhe i prapambetur ekonomikisht sepse: politika, politikanët  dhe pushtetarët e tij i përdorin postet e tyre për të fituar para, lekë e pasuri për vete dhe për të afërmit e familiarët e tyre. Për ta: shtetërorja, ligjorja, drejtësia, publikja dhe zyrtarja janë dhe trajtohen  sikur t’i kenë prona të tyre private. Me anë të tyre ata sigurojnë për vete dhe te afërmit me lidhje klienteliste, miqësore dhe nepotike: poste, detyra e privilegje shtetërore dhe nuk janë të interesuar as për shtetin, as për demokracinë, as për ligjin, as për arsimin, shëndetësinë, punësimin dhe as për mirëqënien publike dhe as për investimet, ekonominë dhe as për integrimin.

Karakteri jopublik, joligjor, jodemokratik dhe joekonomik  shtetit shqiptar, i është veshur atij nga ligësia, pashpirtësia, padhimbshuria, pandjesia humane dhe nga tradhëtia e papërgjegjshmëria e politikës jokombëtare  dhe të korruptuar e politikanëve shqiptarë që prej 100 vitesh. Dhe kjo besoj se tashmë do të marrë fund  falë ndihmës dhe përkrahjes së aleatit tonë të madh ,SHBA-së , që fillon me ligjin e dekriminalizimit të politkës shqiptare dhe me Reformën në Drejtësi, pasi nuk ka shtet të mirëfilltë demokratik e modern pa sundimin e ligjit dhe pa drejtësinë, pa demokracinë, pa progres dhe pa mirëqënie ekonomike.

Jemi dëshmitarë të gjithë për këtë tranzicion politik  të përvuajtshëm dhe traumatik të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Shteti Shqiptar në këto vite, prej 25 vitesh është kapur nga politika dhe nga korrupsioni e padrejtësia dhe si i tillë dhe për këto arsye, politikanët, diplomacitë dhe institucionet demokratike amerikane dhe të BE-së Shqipërinë e kanë klasifikuar si një shtet që nuk ka përmbushur akoma standartet dhe vlerat moderne demokratike shtetformuese .

Së pari në Shqipëri nuk është ndërtuar dhe as nuk funksionon shteti ligjor i së drejtës, sepse shteti nuk siguron dhe nuk garanton liritë dhe të drejtat  juridike, civile, pronësore  dhe politike të  qytetarëve  te  vet,  si dhe nuk mbron as të drejtat e vetë shtetit, por qeveritarët dhe shtetarët politikanë spekulojnë rëndë me to për përfitime për vete duke e përdorur si mjet shoqërinë dhe si pronë private edhe shtetin edhe ligjin.

Ligji dhe drejtësia  në Shqipëri akoma mbron dhe nuk dënon politikën e kriminalizuar, hajdutërinë, vjedhjen, korrupsionin  dhe papërgjegjshmërinë e saj. Në Shqipëri logjika e ligjit dhe e drejtësisë nuk është  Morali, E  Drejta, Ndershmëria, Profesionalizmi por logjika e ligjit është politika, krimi, ryshfeti dhe korrupsioni. Reformat që ka ndërmarrë shteti shqiptar i kësaj politike  në të vëtetë më shumë kanë krijuar amulli, pështjellim, konflikte, përçarje dhe moszhvillim e mosintegrimin të brëndshëm  dhe të jashtëm të  shtetit dhe të shoqërisë sepse këto reforma janë bërë me vetëdije të plotë nga politika vetëm për të përfituar ajo si pushtet, si prona e pasuri ashtu edhe autoritet dhe pandëshkueshmërinë për veprat e rënda antipublike e antikombëtare të saj.

Ligji në Shqipëri ndëshkon dhe dënon ashpër dhe pamëshirë ata të cilët kanë nevojë për mbrojtjen nga ana e tij,  ata të cilët që nuk kanë mundësi  të paguajnë për ta blerë te drejtësia e padrejtësive të drejtën e tyre.

Po kur është i tillë shteti, dhe kur ligji dhe drejtësia janë kështu, a mund të bëhet e të pretendohet se në Shqipëri ka dhe funksionon demokracia? Pa funksionim të shtetit ligjor dhe pa sundim të ligjit në mënyë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë kurrë nuk mund të ketë Demokraci.

A mundet dhe a e lejon zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë politika dhe drejtësia kriminalizuar dhe e korruptuar. Shiko sa shumë të vështirë e pati politika shqiptare kryerjen dhe miratimin e Ligjit të Dekriminalizimit të vetes së saj dhe të Reformës në Drejtësi, gjëra të cilat erdhën dhe u miratuan vetëm e vetëm prej presionit të SHBA-së dhe të BE-së kundër vullnetit dhe dëshirës së politikës dhe të sistemit aktual të drejtësisë në Shqipëri.

Pra, është ajo që e cilësova më lart që politika dhe drejtësia politike në Shqipëri ka bërë reforma, ligje e vendimmarrje për vetëm interesat personale të tyre,  si dhe i kanë zbatuar edhe ligjet e mira të formalizuara në letër në mënyrë selektive, manipulative, me dy standarte , në mënyrë abuzive dhe korruptive duke spekuluar dhe matrapazaur rëndë me to.

Dhe kur erdhi  puna për Dekriminalizimin e politikës dhe për  Reformën në Drejtësi si kryereforma që e reformon shtetin dhe shoqërinë, si kryereforma që është jetike për shqiptarët, për demokracinë dhe për integrimin e Shqipërisë: politika dhe drejtësia politike dhe e korruptuar bënë maksimumin dhe  sa mundën  neglizhuan , sabotuan, penguan  dhe bënë gjithçka  për mosmiratimin e tyre dhe  po ashtu ato edhe po vazhdojnë dhe do të bëjnë gjithçka edhe për moszbatimin dhe mosfunksionimin e Reformës së Drejtësisë.

Demokracia në Shqipëri, edhe kjo, është  e kapur dhe e pronësuar nga politika e një grupi të vogël oligarkësh e matrapazëzh politikë, prej atyre që kanë kapur edhe ligjin, edhe shtetin edhe ekonominë e që kanë mundësinë e blerjes e të manipulimit të votës së qytetarëve.

Në një shtet të tillë joligjor dhe jodemokratik a mundet të bëhet fjalë për zhvillim ekonomik të atij vëndi? Dhe konkretisht për çfarë ekonomie mund të bëhet fjalë se zhvillohet në Shqipëri  ku gjithçka importohet nga jashtë si p.sh. drithrat e bukës, mishi, orenditë e pajisjet nga më të thjeshtat si: edhe lugët, pirunjt, filxhanat,mbulesat e tavolinave, qelqurinat, pajisjet higjeno-sanitare; importohen veshmbathje të vjetëruara dhe hedhurinat e Europës se i tillë është buxheti i shumë familjeve  në Shqipëri,  i pamundur për të blerë të reja dhe cilësore;  importohen ilaçet që edhe ato të skaduara, në prag të skadencës dhe jo cilësore; dhe importohen deri edhe fruta e perime , madje na duheshin edhe të importojmë edhe mbeturinat dhe plehrat e Europës çuditërisht dhe pavarësisisht se vetëm me plehrat Shqipëria është suficitare, është e tejmbushur me to dhe nuk ka ku t’i çojë të vetat por edhe do të importojë nga Europa.

Pra nuk po zgjatem më shumë por po them se nuk kemi prodhime vendase “Made in Albania” që do të thotë se jemi vënd i falimentuar ekonomikisht. Por çfarë eksportohet nga Shqipëria? “Eksportohet” drogë, trafikohen qënie njerëzore, “eksportohet ” papunësi, varfëri, dhe, Europën politika shqiptare që prej 25 vitesh tranzicion,  e shikon si shansin dhe fatin e vet si valvol shkarkimi për pakënaqësitë që ajo u shkakton qytetarëve dhe shtetasve të vet duke i detyruar ata që të marrin rrugën e largimit nga Shqipëria.

Shqipërinë dhe shqiptarët, çfarë do i priste nëse nuk do të “importonte”, pra nuk do te merrte  shteti shqiptar donacione, borxhe  dhe kredi nga shtetet dhe institucionet bankare botërore , a nuk do të falimentonte  financiarisht me siguri shteti shqiptar pa to? Po me shumicën e familjeve shqiptare çfarë do të ndodhte  ekonomikisht me to, nëse ato nuk do të “importonin” valutë, euro e dollar, pra nëse nuk do u dërgonin  euro e dollare  fëmijët  dhe të afërmit e tyre të punësuar në Perëndim?

Pra, shteti në të cilin nuk prodhohet pothuajse asgjë apo prodhohet pak, shteti i varfër i qytetarëve të varfër dhe të papunë  dhe  cili nuk u siguron dhe as nuk u garanton qytetarëve të vet as minimumin jetik, as  punë dhe as mirëqënie  dhe si pasojë ata emigrojnë për të siguruar punën, ekonominë dhe jetesën jashtë Shqipërisë a nuk do të thotë se një shtet i tillë është i falimentuar dhe ekonomikisht?

Dhe pyesim se cila është më stresuese dhe më e rendë pskologjikisht, moralisht dhe shpirtërisht për qytetarin kur ai  persekutohet , vidhet, grabitet, dëbohet, luftohet, varfërohesh  dhe vuan padrejtësie nga pushteti dhe politika e keqe, e korruptuar dhe e kriminalizuar e njerëzve të politikës, pushtetit dhe e drejtësisë në shtetin e vet kombëtar, apo kur e pëson dhe i vuan këto  nga  pushtuesit dhe të huajt? Dhe, a nuk është e rëndë edhe tjetra kur qytetari shqiptar nuk e gjen dhe nuk e ka të sigurtë sigurinë për jetën, për ekonominë,për pronën dhe kur  ai nuk e realizon veten, talentin, dhuntinë dhe meritën e kapacitetin e tij intelektual e professional, kur ai e humb pra, shpresën në atdheun e vet dhe  i kërkon dhe i gjen ato në mërgim, në perëndim.

Kjo është politika reale në Shqipëri (por fatkeqësisht edhe në Kosovë), dhe kështu shteti shqiptar i kapur prej saj, a  mund të bëjë gjë, të ndihmojë, të interesohet dhe të lobojë për njohjet e reja për Kosovën, për demokracinë dhe për integrimin e saj, si dhe të mbrojë e përkrahë  të drejtat kombëtare shtetformuese të shqiptarëve në Maqedoni, dhe a mundet që Shqipëria të bëjë dhe të interesohet për të mbrojtur dhe përkrahur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Mal të Zi dhe të interesohet për diasporën shqiptare  kur ajo e mban peng demokracinë, shtetin ligjor, emancipimin, mirëqënien,  progresin dhe integrimin e vetë shtetit shqiptar të Shqipërisë?

Tashmë  me miratimin e Reformës jetike për shqiptarët , atë të Drejtësisë, duhet ta ndryshojmë këtë realitet: duke e ndëshkuar , duke u ndarë dhe duke e dëbuar nga politika: politikën e keqe të korrupsionit dhe të krimit, duke e pastruar dhe dekriminalizuar atë si dhe duke e reformuar Drejtësinë: duke ndërtuar shtetin modern demokratik të shtetit ligjor që bëjnë të mundur që edhe shteti të marrë fizionominë publike dhe t’i shërbejë kombit dhe mirëqënies ekonomike të tij, demokracisë  si dhe integrimit të vëndit.