PURO STALINIZMI I KONVERTUAR NË PATRIOTIZËM?!

Reagim:

PURO STALINIZMI I KONVERTUAR NË PATRIOTIZËM?! 

Reagim në shkrimin e prof. dr. Muhamet Kelmendit, « Përgënjeshtrimi i botuar ndaj gënjeshtrave të Jusuf Buxhovit për LPK-në« , gazeta «Kosova Sot», 25 janar 2021

Shefqet DIBRANI

E lexova me kureshtje përgënjeshtrimin e prof. dr. Muhamet Kelmendit. Më erdh shumë keq për pasaktësitë e Profes. Jo për gjë tjetër por ai mban titullin akademik «prof. dr.», pastaj ligjerues universitar, ka ushtruar funksionin zëvendësministër i arsimit, si dhe deputet i Parlamentit të Kosovës etj. etj.

Kjo kulturë, kjo edukatë, dhe ky nivel nuk i përketë traditës shqiptare. Përpjekja për ta denigruar tjetrin, kundërmon ideologji puro staliniste, e cila, siç thash, s’ka gjë të përbashkët me traditën tonë. Si duket, atakimi që i bëhet shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, është i nxitur nga urrejtje ultrashoviniste që e prodhon kjo ideologji e cila është duke terrorizuar Kosovën, e në anën tjetër, si të themi një debakël profesional.

Për funksionet e mundshme të ushtruara ose të trilluara në LPK, nuk po ia kontestojmë, por më duket se këtyre « Kelemndëve », ua ka pa sherrin, së pari LPK-ja e pastaj edhe UÇK-ja. Ky pohim lidhet drejtpërdrejt me shkrimet e tyre publike kundër Organizatës dhe shokëve Marksist-Leninist. Kelmendët kanë sajuar akuza edhe kundër veprimtarëve të LPK-së. Ato akuza tashmë janë pjesë e Gjykatës Speciale të Kosovës, (përkatësisht për dhomat e specializuar të kësaj gjykate, që për çështje të sigurisë i kanë vendosur në Hagë). E pse paska ndodhur kështu le të sqaroj profesori pasi unë nuk e di?! Por, e di se LPRK-ja, ose LPK-ja, që nga themelimi i saj nuk ka qenë unike, ajo ishte një Organizatë Ideologjike, puro staliniste, me plasaritje të mëdha, me përçarje të shumta që ka vepruar në tre grupe përçarëse, përçmuese, antagoniste dhe…, prandaj shpesh kanë përfunduar konfliktet e tyre me rrahje e vrasje.

Një profesor universitar dhe një zyrtar i lartë shetëror me titullin akademik « prof. dr. », nuk duhet asnjëherë të nxitet nga urrejtja dhe emocionet, pasi ekzistojnë dokumente të cilat e dëshmojnë të kundërten që ethotë M. Kelmendi, prandaj po ia bashkangjesim këtij shënimi, sa për të saktësuar të vërtetën:

  1. LPK, (një krah i saj), më 01. Tetor 1990, ka lëshuar « Deklaratë  e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së », në të cilën thuhet: « Sot kur gjithë populli ynë është bashkuar në LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS për një grimcë demokraci, për një grimcë liri, për një grimcë jetë, LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS vendos t’i bashkohet LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS ».
  2. Po aty thuhet se: LPRK, për nëntë vite rresht luftoi pandërprerë për konsitituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila u bë realitet më 2 korrik të këtij viti, prandaj LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS pushon aktivitetin e saj dhe vendos të bashkohet në LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS për të bërë të mundshëm funksionimin sa më të shpejtë të REPUBLIKËS SË KOSOVËS.
  3. Dklerata mbyllet me: RROFTË LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS ME IBRAHIM RUGOVËN NË KRYE!
  4. Në dokumentin tjetër: « DEKLARATË E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË LPRK », të datës 06 Tetor 1990, thuhet « Duke pasë parasysh propozimin… e Nëndegës së Lidhjes Demokratike në St. Gallen », fjala është kur Sh. Dibrani ishte krytar, d.m.th shoku profesor dr., se të tjerët paskan qenë më mirë në këto rrjedha.
  5. Në Video: « LPK-ja i bashkaëngjitet LDK-së », Zürich-Schliren, 14 tetor 1990. Marrin pjesë prof. Anton Çetta, dr. Hakif Bajrami, Hoxhë Kokrruku, si dhe Kryesia e LPK-së », (Video, 40 min. Arkivi i autorit).

Pa dashur të bëhem avokat, dua ta plotësoj Jusuf Buxhovin se jo vetëm, « Prej vitit 1990 e deri ne vitin1993, LPK ishte bërë anëtare kolektive e LDK-së », por është e vërtetë se, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Basri Musmurati, Ramë Buja, e disa të tjerë, jo veç 1990-1993, por deri në Kuvendin e III-të të LDK-së, në shkurt 1998, kanë qenë në udhëheqje të LDK-së. Nëse nuk ishte kështu, i bie se ata paskan qenë « Kolon e Pestë », brenda LDK-së, me mision për ta pushtuar Kalan nga brenda, (autori Sh.Dibrani, ishte delegat në Kuvendin e Dytë dhe të Tretë të LDK-së në Prishtinë).

Nuk është rastësi nëse z. Muhamet Kelmendi, Ibrahim Kelmendi, Qerim Kelmendi, dhe nja dy të tjerë të familjes Kelmendi, gjithmonë kanë qëlluar në iniciativa fillestare(?!). Pra në Krye të LPRK-së (LPK-së); Frontit të Kuq Popullor, në Grupin e Parë të UÇK-së, që i kishte dërguar LDK-ja në Tiranë, në KP të LDK-së, mjek i Presidentit Rugova, pra gjithkund ku janë krijuar turbullira, bile edhe me pasoja, këta ishin aty. Pse dhe qysh?!

Profesor dr. Muhamet Kelmendi thotë: « LPK ka marre pjese ne disa aksione te perbashketa me te gjitha subjektet politike te kohes », për në diasporë i them profes nuk është konstatim i sakt, (sidomos Ju klani i Kelmendëve), nuk keni marrë pjesë! Përkundrazi vetëm i keni sabotuar ato procese. E nëse ju Kelmendet nuk çenkeni shkrirë në LDK, të tjerët valla 100%, janë « shkrirë në LDK », më vonë disa nga ata, ose janë avulluar ose përseri janë ngrirë?!

Në vazhdim profesori shkruan dhe shtron pyetje: « Ne vitin 1991 LPK e mban Mbledhjen e Dyte te Pergjithshme. Andaj pse e mbajtem mbledhjen « kur ishim ne LDK »? ». Përgjigje: Se ishin taktika puro staliniste, askush nuk e vë në diskutim, ashtu për dëmin që iu ka bërë të gjitha proceseve. Por një profesor doktor i kalibrit të Muhamet Kelmendit, në asnjë mënyrë nuk është dashur, një historiani e shkrimtari, të dëshmuar, «po gënjen», pasi nuk është etike, nuk është pedagogjike dhe as njerëzore!…

Gafet e profesori nuk prajnë: « Natyrisht se me Ministrine e Mbrojtjes si organizate kemi bashkepunuar », d.m.th. për profesorin me gradën «Prof. Dr.», Ministria çenka ORGANIZATË?! Eh, sikur Kosova ta kishte « Prokurorinë e edukatës morale », sigurisht këtë profesor e kishin riprovuar edhe një herë.

Edhe në këtë pasus profesori ia ka futur kot: « Por, aty jo per shkrirje, po per bashkepunim per mbledhjen e ndihmave per arme e armatim. Ketu duhet permendur vendimin e qeverise se atehershme (viti 1992/93) per dhenien e nga 1000 d. markave apo 1000 franka per arme. Parate qe u dhane per armet kurre nuk u blene, ndaj edhe ne si LPK jemi terhequr nga bashkepunimi me qeverine e atehershme ne ekzil ».

E sqaroj profesorin se në dy grupet e para të cilat janë ushtruar në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë Salih Çekaj, i cili ishte Nr.1, pastaj Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe të tjerë, në mesin e tyre edhe Qerim Kelmendi, atë organizim e kanë bërë Degët e LDK-së dhe për këtë mos të fliten pallavra, sikurse edhe për atë «Fondi për armatim», të cilin e paska ngatërruar profesori, me nga « 100o fr. ose 1000 d. ». Ai aksion ka ndodhur në vitin 1991, dhe ka qenë punë e Degëve të LDK-së, por jo nga Qeveria e aq më pak nga LPK-ja. Siç dëshmohet, edhe pagesat janë realizuar në llogarinë bankare të saj, pasi atëherë nuk ka qenë e konsoliduar Qeveria në Ekzil, (shih. dëshminë e pagesës!).

«Ku kane shkuar parate duhet pyetur: (edhe Ibrahim Kelmendi dhe Xhavit Haliti),  jo vetëm, Ramush Tahirin, si ish-Minister i mbrojtjes, Isa Mustafen, si Minister i financave dhe Bujar Bukoshin, si Kryeminister ». Profesori ka thënë se « Keta i kane marre krejt parate », sigurisht bashkë me Ibrahim Kelmendin dhe Xhavit Haliti, sikurse Ramush Tahiri, nuk ka qenë «Ministër i Mbrojtjes», por ka qenë Mr. Nikë Gjeloshi.

Pa dashur me mohuar aktivitetin e shumë veprimtarëve të LPK-së, « vërtetë flasin ato demonstrata, protesta dhe takime », që kryesisht i ka organizuar LDK-ja, qoftë në Kosovë e qoftë në Evropë, por jo siç shkruan profesori LPK-ja, sepse përvetësimi i meritave të tjetrit është ideologji puro staliniste. Mjaftë më, me faslsifikime, tjetërsime dhe abuzime, pasi u bëmë gazi i botës.  Do të ishte mirë të thuhej saktë: kush qenka takuar nga LPK-ja nëpër Qeveritë e vendeve evropiane, në Parlamentin e Evropës në Bruksel, dhe në Qeverinë Amerikane në Vashington etj.

Madje qesharake bëhet edhe këshilla e profesorit drejtuar J.B.: « Shikoje poziten tende dhe jeten tende », kështu qenka shprehur profesor dr. Muhamet Kelmendi, këshillë e cila kollaj mund të interpretohet në dy mënyra: E para, në planin letrar e historiografik, jo sa të gjithë Kelmendet nëse mund ti bëjmë bashkë, por sa e gjithë Kosova, sigurisht, Jusuf Buxhovi, e ka realizuar misionin e tij intelektual, ndërsa, e dyta, në planin social ka mundësi, Jusuf Buxhovi, të mos ketë salltanate as sa një kuzhinë e profesorit M.K. se për disa villa të tyre, as që mundet të bëhet fjalë.

Edhe ky patetizmi krejtësisht është i konsumuar se « eshte kjo LPK qe e themeloi edhe UCK-ne. Se bashku luftuan dhe e cliruan vendin. Kete nuk ka kush qe mund te mohon ». Duke mos dashur të lëndoj askë, e kisha sugjeruar profesorin, le t’i pyet edhe Amerikanët, nëse edhe ata mendojnë, njësoj si ai.

*Gradat akademike «prof. dr.» ia përmenda me shpjeguar më saktë grotesken e mendimit akademik. Rrofsh profesor Kelmendi!…

*Muhamet Kelmendi: « Përgënjeshtrimi i botuar ndaj gënjeshtrave të Jusuf Buxhovit për LPK-në »

https://www.kosova-sot.info/opinione/521125/quot-pergenjeshtrimi-i-botuar-ndaj-genjeshtrave-te-jusuf-buxhovit-per-lpk-ne-quot/