17 Shkurti apo “Republika e Tretë” të Albin Kurtit!?

Shkruan: Florim Zeqa                     30.01.2021

17 Shkurti apo “Republika e Tretë” të Albin Kurtit!?

Paraprakisht po i rikujtojë lexuesit e rinjë se, në asnjë shkrim deri më sot nuk i kam mbështetur të korruptuarit dhe kapësit e deritanishëm të shtetit, sikurse që nuk do i mbështes as në të ardhmen kapësit e vjetër apo të rinjë qofshin ata, të veshur në petkun e reformatorëve!

Një pjesë e politikanëve ndërrimin e pushteteve e kuptojnë ndryshim epokal, sikurse që e konsiderojnë ndryshim të madh kalimin nga një subjekt në tjetrin, nga një ekstrem në tjetrin, duke e mashtruar veten dhe të tjerët kinse po ndodhë kthesa pozitive.

Kthesa e madhe asnjëherë nuk do të ndodhë pa ngritjen e vetëdijes qytetare dhe pa ndërrimin e mendësisë politike, që i bie, pa menduar pozitivisht për të mirën e përbashkët në vend të përmbushjes së interesave personale.

Ndryshimi nuk vjen me figura të korruptuara, me servil dhe lakmitar të pushtetit, sikurse që nuk vjen as me figura të ricikluara dhe as me yryshnik të pushtetit, të cilët nuk i njohin ligjet dhe nuk i respektojnë institucionet e shtetit që e drejtojnë.

Kur jemi në këtë segment, shkelësja më e madhe e kushtetutës dhe ligjeve që burojnë prej saj po na delë u.d. e presidentit, me animin e hapur partiak, duke prejudikuar fituesin zgjedhjeve dhe kryeministrin ri!

U.d. e presidentit, zonja Vjosa Osmani, si juriste dhe njohëse e mirë e kushtetutës, qëllimshëm po gabon, duke e ditur se, nga pozicioni i të parit të shtetit është i ndaluar animi partiak dhe fushata elektorale.

Pashmangshëm, kjo sjellje adoleshente politike dhe shkelje flagrante e u.d. të presidentit do të jetë objekt i trajtimit të radhës në Gjykatën Kushtetuese!

E kam thënë më parë, por përserisë edhe njëherë, ndërrimi i pushteteve dhe shkuarja në zgjedhje përmes proceseve zgjedhore, jo vetëm që nuk do t’i sjellë ndryshimin e duhur vendit, nuk do të prodhojë stabilitet politik dhe as jetëgjatësi të qeverisjeve në vendin tonë.

Sikurse çdo vendim tjetër i gjykatave që nuk i kënaqë të gjitha palët, edhe Gjykata Kushtetuese nuk mundi t’i kënaqë të gjithë dhe në të njëjtën kohë!

Dikujt i ka pelqyer jashtëzakonisht shumë pjesa e parë e vendimit për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme, por dikujt tjetër nuk i ka shkuar për shtati humbja e pushtetit, sikurse edhe pjesa e dytë e vendimit për mospërfshirje në lisat zgjedhore të personave të dënuar, i cili disa subjekte i ka prekur pak, e disa të tjera më shumë!

Sado i drejtë dhe profesional vendimi i kushtetueses, ka hapur probleme të mëdha dhe ka shkaktuar pakënaqësi të shumta në mesin e subjekteve politike, pjsëmarrëse në garën zgjedhore.

Pa dyshim, vendimi i kushtetueses më së keqi e ka goditur parashtruesin e kërkesës (LVV-në) për ligjshmërinë e votës në retrospektivë të një deputeti, e cila ju kthye në bumerang, po ashtu për shkakun e një dënimi në retrospektivë të liderit të kësaj partie, të cilit i pamundësoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021.

Pavarësisht fituesit të zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe situatave hipotetike me të cilat do të përballet Kosova deri në formimin e institucioneve të reja shtetërore, një gjë do të jetë e sigurtë, zgjedhjet më problematike në Kosovën e pas luftës nuk do të prodhojnë stabilitet politik, qëndrueshmëri dhe as jetëgjatësi të institucioneve shtetërore!

Me këtë rast u vërteteta edhe një herë thënja e vjetër popullore “Nëse para dite i bën gropen tjetrit, pas dite mund të biesh vet në të”!

Pas procesit të jashtëzakonshmën zgjedhor, nuk dihet se, çka do të festojnë  qytetarët e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021; Ditën e Pavarësisë së 17 Shkurtit apo “Republikën e Tretë” të Albin Kurtit!?