12 vjet njohje ndërkombëtare, 12 vjet izolim!

Shkruan: Florim Zeqa 17.02.2020

12 vjet njohje ndërkombëtare, 12 vjet izolim!

Edhe pse me qeveri të re, Republika e Kosovës 12 vjetorin e njohjes ndërkombëtare është duke e pritur më e katandisur si asnjëherë më parë; me fusnotë*, me pozicion inferior dhe me status të hapur në arenën ndërkombëtare, me tkurrje njohjesh, mes takses 100 % dhe reciprocitetit me Serbinë, mes idesë së korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve, mes minishëngenit ballkanik dhe makroshëngenit kombëtar.
Pas rihapjes së statusit të Kosovës, jo vëtëm që më nuk po bëhet më fjalë për njohje të reja, sfiduese për qeverinë e re mbetët mbrojtja e 17 shkurtit 2008-të, gjegjësisht mbrojtja e njohjeve ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit kundrejt invazionit politik të Serbisë.
Si rezultat i personalitetit të dyfisht të liderëve shtetëror, që 12 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të ri-shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008-të, duke i kaluar 12 vite izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Rihapja e statusit të Kosovës në dialogun e Brukselit, Kosovës i kushtoj me tërheqjën e 18 njohjeve ndërkombëtare.

17 shkurti 2008, akt i njohjes formale të shtetit të Kosovës

17 shkurti 2008 nuk e solli pavarësinë dhe as Republikën e Kosovës, por ishte vetëm një akt i njohjes formale ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Dëshmi e kësaj që themë është protektorati 21 vjeçar mbi Kosovën dhe varësia e plotë e lirisë sonë nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare (KFOR).
Presidenti historik Ibrahim Rugova asnjëherë nuk kërkonte rishpallje të pavarësisë, por vetëm njohje formale dhe përmbyllje të protektoratit ndërkombëtar, formimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe forcimin e shtetit ligjor.
Arsyeja pse Rugova kërkonte vetëm njohje e jo rishpallje të pavarësisë, është fakti, se ai ishte i vetëdijshëm se, në historinë e krijimit të shteteve ekziston vetëm një datë dhe një ditë e shpalljës së pavarësisë, jo dy apo tri sosh!
Edhe pse me vetëm një njohje (nga Shqipëria), Kosova një herë ka shpallë pavarësinë e saj më 2 korrik 1990-të, edhe pse në rrethana të okupimit klasik, e ka historinë e funksionimit të shtetësisë së saj, ka edhe kushtetutën e shpallur dhe miratuar nga deputetët shqiptar më 7 shtator 1990 në Kaçanik.

Pse nuk ndodhi njohja ndërkombëtare e Republikës së Kosovës para 17 shkurtit 2008!?

Nuk ndodhi më heret për arsye se presidenti historik, arkitetkti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte i gatshëm të pranonte kompromiset e dhimbshme e as ndryshimin e përmbajtjes së elementeve shtetërore që solli 17 shkurti; duke filluar nga simbolet antikombëtare, përmajtjen multietnike të shtetit e deri të një kushtetutë e hartuar jo mbi vullnetin dhe nevojat e popullit, por në bazë të një pakoje që avancon pakicat (serbe) në dëm të popullatës shumicë (shqiptare) në vend.
Atë që e solli 17 shkurti 2008, është në kundërshtim të plotë më vullnetin plebishitar të popullit të Kosovës të shprehur në referendumin popullor të 26-30 shtator 1991.
Rikonfirmim i referendumit gjithëpopullor, 2 korrikut e 7 shtatorit 1990, ishte lufta çlirimtare, gjaku i derdhur për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit të Kosovës.
Ikja nga këto data, është ikje nga themelet e shtetit të Kosovës.
Republika e Kosovës pas 17 shkurtit 2008, erdhi si rezultat i një lidershipi të papërgjegjëshëm, që pranoj të tjetërsohet vullneti i popullatës shumicë të Kosovës për hatër të atyre ndërkombëtarëve që nuk e duan një shtet të dytë shqiptar në Ballkan.
Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se Kosova « multietnike », jo vetëm që nuk është vullnet i popullatës shumicë, është shkelje e gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, mohim i sakrificave të panumërta të popullit shqiptar të Kosovës ndër dekada e shekuj.

Levizja e lirë për kosovarët, e drejtë e privuar nga Brukseli

Edhe pse Kosova është i vetmi vend në rajon me prezencën më të madhe ndërkombëtare, shtetasit kosovar kanë mbetur të vetmit të getoizuar në rajon, pa të drejtën e levizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian!
Kushtet dhe kriteret e njëpasnjëshme të vëna padrejtësisht ndaj qeverive të Kosovës për liberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian, na kushtuan me humbje territori, thyerje shpresash për qytetarët dhe mungese të përspektivës zhvillimore të vendit.
Akoma më të paparashikueshëm liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar e bënë dialogu me Serbinë, i kushtëzuar me gjithçka dhe çdo gjë që e favorizon dhe fuqizon shtetin serb karrshi shtetit të Kosovës
Pra, edhe në këtë përvjetor të 12-të të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, po vazhdon getoizimi i padrejtë i shtetasve kosovar dhe privilegjet për shtetin serb nga bashkësia ndërkombëtare.
12 vjet pas njohjes së shtetit tonë nga bashkësia ndërkombëtare, është e kundërta e asaj çka kanë pritur e dëshiruar qytetarët e Kosovës: mungesë sovraniteti, mungesë territori, mungesë lirie, mungesë zhvillimi ekonomik, mungesë demokracie dhe barazie qytetare në vendin tonë.
Si do që të jetë, Kosova ka nevojë për një qeveri që realizon Republikën e 2 Korrikut dhe Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, për të hapë rrugën e realizimit të idealit të shumë brezave për një shtet të përbashkët shqiptar në Ballkan.
Urimi më i mirë në 12 vjetorin e njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë, do të ishte që Kosova të jetë e liruar nga strukturat kriminale në veri, si dhe e liruar nga uzurpatorët e shtetit në brendi të vendit, përkatësisht nga kusarët politik të « Cosa Nostra »-s apo mafias kosovare të shekullit 21 në të dyja nivelet e qeverisjes, si kusht i domosdoshëm për rritën dhe zhvillimin e shtetit tonë-Republikës së Kosovës.