Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 

 

 

Poezi/Prozë - BUQETË POETIKE NGA MIRADIJE GASHI

BUQETË POETIKE NGA MIRADIJE GASHI

Shkruan:

Shaban CAKOLLI

 


Shaban Cakolli

 

Arti  në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe dhunti  natyrore e shpirtërore; në poezi, melodi, pikturë, artistët gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë me kuptime e mesazhe domethënëse të fjalës; sepse  ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, e cila më pas lëkund shpirtin e artistit,që atë botë shpirtërore të e hedh në letër,në opinjon.. Definicioni i artit është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë,gëzimit,hidhërimit apo sfidave të jetës së së vërtetë njerëzore. ”…Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës. 

Vepra poetike, artistike për poetin nuk është punë ekipore, por ajo është e lidhur me personalitetin e artistit, si krijim,  dhe është fryt i shpirtit poetik. Frymëzimi poetik në shpirtin e poetit si vepër bëhet i fuqishëm  kur poeti  ka mjeshtri poetike të i jep frymë vargut,vargu i tij të jep mesazh të fuqishëm,i cili bëhet armë e fortë në duar të lexuesit..E tillë është poetja Miradije Gashi,e cila herët nisi rrugën e saj poetike edhe pse koha e saj e nje artisteje ishte e veshtire,poezia  e saj,poezi sfide në të gjitha labirinthet e jetës.Ishte një kohë e cenzurimit të fjalës së shkruar,koha tjetër e mungesës së atdheut,mallit ,dhembjes,por Miradije Gashi nuk ju përkul asnjërës nga kohët,sfidave,stuhirave,por qëndroi së shkëmb,e palëkundur nga bota shpirtërore duke na ofruar art të  çiltër ,të begatë,me vlera e mesazhe të qarta.

Miradije Gashi u lind në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmën (Akademinë Pedagogjike) si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, ku mori titullin: "Arsimtare e grupit klasor".

Menjëherë pas diplomimit zuri punë në Shkollën fillore "Emin Duraku" në Arllat.

Qëlloi që pikërisht në këtë kohë fryn e shfryn furtunat e pushtimit dhe ajo, bashkë me shumë kolegë të tjerë, u vu në shënjestër të sundimtarëve serbë, duke e larguar nga veprimtaria edukatovo-arsimore.

Ajo tashti filloi studimet në Degën e Pedagogjisë të Universitetit të Prishtinës, duke i përfunduar me sukses. Ndërkohë u bë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës.

Po atë vit Miradija u angazhua edhe në Kryesinë e Forumit të Intelektualëve të Kosovës.

Veprimtaria e saj atdhedashëse, në vitin 1991 u bë sërish shkak i pamundësisë për punë në arsim. Madje, disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga pushteti serb edhe pas lirimit nga burgu.

Duke mos e pushuar aktivitetin lidhur me shkollën shqipe, ajo ndalohet nga policia serbe në Komaran, i konfiskohet materiali arsimor dhe merret në pyetje e keqtrajtohet pamëshirë në polici.

Mu në këtë kohë ajo merr ftesën që sërish të paraqitet në organet e sigurimit në Mitrovicë.

Meqë torturat në organet e hetuesisë serbe ishin si të thuash racion dhe duke qenë nën vëzhgim e përcjellje të vazhdueshme, ajo, në janar të vitit 1994 u detyrua të emigronte në Gjermani.

Sigurisht që edhe në emigrim ajo do ta vazhdojë veprimtarinë e saj arsimore, fillimisht në qytetet e Schwarzwaldit, përkatësisht në "Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve" (VHS), në Villingen-Schwenningen. Atje ajo mbajti kurse dhe ligjëroi gjuhën shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe për të tjerët të cilët interesoheshin për gjuhën tonë.

Miradije Gashi, krahas veprimtarisë arsimore, u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare duke botuar poezi në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po njëkohësisht edhe duke trajtuar tema të ndryshme nga fushë e pedagogjisë. Më se një herë në paraqitjet e saj ajo kishte përdorur edhe pseudonimin “Fanesha”.

Miradija aktualisht jeton dhe vepron në Stuttgart, ku mban mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.

Është prezantuar me poezi në disa antologji, si: Busulla e shpirtit, Trinomi i Lirisë, Një shekull drite etj.

Ky është vëllimi i parë i saj me lirika si libër me vete.

Ka dhe një korpus krijimesh në dorëshkrim.


 


 

SALI ÇEKAJ

“Demokratët" plot Liri e kanë gojën

Dhe flasin me bujë për fitore,

E populli ëndërron,

Ëndërron ende Lirinë.

Veç të rënët heshtin

Dhe në heshtje asaj i bëjnë roje.


 

Ndoshta Liria s'gjendet asagjëkundi

E ndoshta diku thellë në tokë fle,

Është në amanetin e atyre që ranë,

Është në zemrën e dëshmorit 

S A L I Ç E K A J.PESHA E FJALËS



 

MIRADIJE GASHI

 

LETËR NËNËS

Të dua nënë, të dua...sa askënd tjetër

Ndaj sonte dua të ta shkruaj një letër.

Eh, sa herë loti, për ty rrugën m'preu

Akull m'u bë zemra e shpirtin seçma theu!

Eh, nënë e dashur, nëna ime e mirë

Kujtimin largësia çdo ditë ma thërmon,

Veç zemra për ty nënë, e di, s'më gënjen

Ti je si një Yll që n'qiellin tim ndriçon.

Ç'fat ishte ky vallë që larg teje jam...?!

Sa e lumtur do t'isha, po të kisha pranë.

Gjuha e zemrës s'do t'më ngatërrohej aq

E pesha e dhembjes do t'humbte në çast.

Por një re sot, çudi, pranë m'u afrua

Dhe shikimin seç ma mjegulloi n'sy,

Lot, mall e dhembje seç më janë ngatërrua

Por n'zemër, ah, n'zemrën time mërgimtare

TI JE PËR MUA, PRANVERA MË E MADHE



 

UDHË JETE

I shihni këto rrugë

Me shumë udhëkryqe

E shumë drejtime...?

Në to ka gjurmë njerëzish

Që rendin e s'ndalojnë,

Ca ikin majtas,

E ca djathtas ikin.

Janë udhët e jetës

Që kurrë nuk pushojnë.



 

MBRËMË

Mbrëmë, ti nuk më pe

Kur unë qava,

As lotët në faqe kur më ranë.

Eh, ç'dhembje 

Më pikoi në zemër

Mbrëmë dikur vonë!

Dhe forcë dot nuk gjej

Të të rrëfej, më beso!

Por shpirti im e di

Se ç'dhembje unë kisha

Mbrëmë në gji!



 

MË KUJTOHET

 

Më kujtohet një ditë dimri

Helmeta e sllavit në orë mësimi,

Ishte e rëndë, e rëndë ajo ditë

Ishte vetë tmerri që panë sytë.


 

Në sytë e fëmijëve nuk kishte ngjarë

Në pranga të vihet një mësues me ditar!

Eh, ç'ditë e kobshme e ç'tmerr...!

Mesjetë Bizanti sërish te ne erdh'!


 

Dhe dielli atë ditë i humbi rrezet

Se Liria atë ditë u lidhë me zingjir,

Ndërsa dita u ngrys më herët

As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.


 

Poezi kushtuar motres
 

VDES NË KËMBË

Në ndodhtë të të takoj

Një ditë...

Nuk do të të njoh

Më beso

... E as s'do të të buzëqesh

Dhe me sy s'do të të shikoj

As të të flas nuk mundem

E as të të dëgjoj.

... ...

Nuk do të të buzëqesh

Sepse zemra nuk më bën

As s'do të të shikoj

Se drita më iku nga sytë.

Nuk do të të flas

Se fjalët më ngrinë n'gojë

E as s'do të të dëgjoj

Se zëri më shterroi.

Ndaj mos më kujto të lutem!

Sepse për ty kam vdekur

Përgjithmonë!

Përgjithmonë!


 

MË DUAJ…

Më duaj si poeti – vargun

Më duaj si drita – agun

Më duaj si fusha – lumin

Më duaj si fëmija – gjumin

Më duaj si zogu – këngën

Më duaj si syri – ëndrrën.

Më duaj…!


 

QESHJA N’ZEMËR MBILLET

 

Ç’po ndodh vallë, nuk di as vetë

Sot rrallë shoh dikë të qeshë!

Dikush qesh vetëm me sy

E dikush qeshjen e ka lojë

Dikush as të qeshë nuk di

S’qesh me zemër, po me gojë.

Dikush s’qesh, po veç zgërdhihet

Dikush qan a qesh, nuk dihet.

Rrallëkush ndodh me zemër t’qeshë

Sikur qeshje s’ka mes nesh.

Sikur bota thotë tek sillet:

-Qeshja n’zemër duhet t’mbillet!


 

NDOSHTA DIKUR

Ndoshta dikur

Ëndërroje të ishe diku në Europë.

E sot, çudi…!

Ndërruan kohë

E ndërruan mote.

Të ikësh do prej këtu

Sa më parë.

Ç’dëshirë e përzirë

Me ëndrra e mall!

Po ç’është ky fat i çuditshëm vallë?!

Është malli, or vëlla, malli

Që në zemër të djeg

E t’bën që të kthehesh

Atje ku ke lind!



 

NË VEND TË HUAJ

 

Në vend të huaj

Edhe mendimet rrjedhin në heshtje

I heshtur je dhe vetë ti

Por qetësi,

Qetësi s’gjen askund

Më beso!

Edhe engjëll po t’ishe

A t’ishe vetë njeri

Kristal i mbyllur do t’mbetesh

Në zemër i ndrydhur!

Në shpirt i shtrydhur!

Si një leckë e pavlerë!


 

MËRGIMTARËT

 

Vijnë me shpresë

Kthehen me shpresë

Presin me shpresë

Durojnë me shpresë

Jetojnë me shpresë

Vdesin me shpresë.

Shpresojnë gjithë jetën e vet

Mërgimtarët e shkretë!!!

 

 


Filozofi
 
dhe
letërsi

 

histori
tradita
vështrime
debat

 


citate
intervista
letra hapura
botime reja

 

 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .