
Prindërit e Rrustem Gecit
Ese nga Rrustem Geci
PUNËMËDHENJTË E ROGANËS
Nëse dimë ta
shkruajmë në letër jetën dhe
historinë tonë, populli ynë kurrë më
s´mund të kërcënohet nga fqinjët
pushtues, dhe as nga fuqitë e mëdha.
Ne kurrë s´bën t´i ndahemi aleatit
tonë shpirtëror dhe strategjik
SHBA-së, dhe shteteve që na u
gjendën në ditët më të vështira.
Historia, letërsia, arti dhe shkenca
shqiptare, në shkrimet e tyre bartin
tërë të kaluarën, të tashmen dhe të
ardhmen e popullit tonë. Në Roganë
pylli kurrë s´e ka fshehur diellin.
Këtë e dëshmojnë koha dhe
historia!..
Rogana është e moçme
sa fjalët e gjuhës shqipe; tokë,
ajër, bukë, ujë, diell, nënë, vëlla,
motër, dashuri, liri dhe atdhe. Duke
bërë këtë shkrim për jetën dhe
veprimtarinë e prindërve të mi,
Limon Gecit dhe Naxhije Gecit, jo
rrallë dora më dridhej, dhe zemra më
kullonte gjak, nga ato kujtime plotë
vuajtje, mundime dhe beteja. Jeta
nën sundimin serb, ishte jetë e të
shtypurit, jetë e të burgosurit,
jetë e krenarisë së plagosur.
Veprimtaria e Limon Gecit, po edhe e
patriotëve të tjerë të fshatit,
ishte me ndikim. Babai im kishte
mësuar shumë nga Zymer Rrudhani, një
ish ushtar në oborrin e Sulltanit
turk. Zymeri ishte edhe luftëtar
edhe i ditur.
Popujt e vegjël s´
shuhen nga lufta, por nga heshtja,
kam lexuar diku. Abetarja është
gjithçka në jetën tonë. Udha drej
lirisë nuk bëhet pa gjak, kështu i
pat thënë gjyshi prindit tim, në një
mëngjes tek po pinin kafenë. Luftat
pa të shkruara janë lufta të
harruara. Naxhije, shkronjat ma kanë
marr gjumin. E ndiej veten të
palumtur nga plagët, nga dhimbjet,
nga detyrat e pakryera. Natën kur të
gjithë flejnë, i thoshte nënës, unë
bëj luftën time, luftën e pasosur të
kraharorit. Kjo luftë i thoshte
nënës sime babai, nuk di s´e ku na
shpie. Kur vajta në Shkodër të bleja
Abetaret për fëmijët, libërshitësi i
Shkodrës më pat thënë; Shtatë
shkronja në Abetare janë vetimë dhe
kushtrim, ndërsa shkronjat e
tjera,bashkëtingëlloret janë
bubullima të tërësisë.
Nuk ishte e lehtë
rrëfente im At, ta bëje dorën
grusht, ose t´ia ngresh këmbëzën
qarkut të pushkës kundër armikut.
Rreth 30 mijë kilometra katror të
tokës shqiptare ende i kemi qiell të
copëtuar dhe të ndarë. Limon Geci
ishte një njeri me formim kombëtar.
Pemët që i kemi në kopsht thoshte im
At, kurrë s´flejnë, ato s´i lë të
bëjnë gjumë rrënja, uji i
thellësive, erërat, agimet plotë
diell, dhe shirat.
Njerëzit punëmëdhenj
prindërit e mi i përkrahnin shumë.
Kjo tokë e përjetshme thoshte im At,
është fati ynë. Kësaj toke duhet t´i
dalim zot. Në luftën për liri
shprehej im At, është e tmerrshme,
kur historia i rrëmben armët për
vete. Atë çast, shkopin ma të rëndë
që mund ta pëson një popull mund ta
ketë nga historia e armatosur, nga
raporti i forcave të kohës, dhe nga
marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Që
të mos na ndalin hovin prangat e
duarve dhe muret e mendjes, duhet të
bëjmë më shumë arsim, zhvillim
ekonomik, dhe të lëvizim përpara.
Kosova kurrë s´ka qenë pa burra të
mençur, dhe trima kryengritës. Limon
Geci dhe Naxhije Geci ishin një
shembull bashkëshortësh të dashuruar
në epikë e tokës së tyre.
Patrioti dhe
veprimtari, Limon Geci lindi më 03.
04. 1911, në Roganë të Dardanës.
Limon Geci shkollë fillore nuk kreu,
por e ndjeki një kurs për
shkrim-këndim, dhe Matematikë. Kjo
pak shkollë prindit tim i ndihmoi
shumë në jetën e tij. Falë atij pak
shkollimi, Limoni Geci e mësoi
shkrim leximin, matematikën, dhe
historinë, dhe u aftësua ta lexojë e
kuptojë për së mbari shkollën e
jetës. Rogana dhe historia
kryengritëse e Roganës qenë frymëzim
për qytetari, dhe veprimtari
patriotike. Im At, dhe ime Mëmë,
ishin të dashuruar të tokës së tyre.
Babit tim i pëlqente shumë stina e
mbjelljeve, ndërsa mamit stina e
bukur e pjekjeve.
Naxhije Geci, (
bashkëshortja e Limonit ) u lindu,
me 25. O3. 1917, në fshatin
Breznicë, të Krahinës të Mollës së
Kuqe, Naxhija ishte intelegjente.
Ajo pa ditë shkrim-lexim, i kishte
mësuar nga fëmijët e saj 9 poezi të
rilindasve, dhe i recitonte bukur në
pauza punësh, ( veçmas kur thurte me
krrabëz ) dhe nëpër dasma grash.
Naxhije Geci këndonte shumë bukur.
Ajo kishte krijuar edhe disa poezi
të saj, por unë e kujtoj këtë poezi;
O zog që këndon në pemë / Udhën mos
e humb kah shtëpia / sigurisht edhe
t´i ke motra e vëllëzër / që të
duan dhe janë të përmalluar!..
Në ato vite të
pushtimit të egër serb, Serbia ia
kishte vu thonjtë në fyt Kosovës ,
dhe donte ta mbyste me burgje,
varfëri, analfabetizëm dhe
gjakmarrje. Lufta për të mbijetuar
herë-herë, ishte e pashpresë. Por, i
mbijetuari i ka çastet e tij
heroike. Në ato vite të rënda nën
pushtim jo njëherë, por disa herë,
në këmbë kam udhëtuar,
Roganë-Prishtinë-Gjakovë, dhe
Gjakovë-Prishtinë-Roganë, për të
siguruar, kripë, shtof dhe libra. Ne
e dinim thoshte im At, s´e dielli
nuk digjet, as ajri, as qielli, as
toka. Ne duhet të lëvizim vetë
përpara, dhe t´ia shtojmë detyrat
vetes. Vetëm i shkolluar, dhe me
arsim të mirëfilltë, hap pas hapi,
betejë pas beteje, Kosova do bëhet
me ëndërrën ma të bukur të saj.
Liria jonë shprehej
Limon Geci, nuk është larg, dhe as
s´mund të jetë larg, por, kalimin
duhet ta bëjmë nëpër udhë të
vështira, nëpër ngushtica betejash.
Njohja e historisë, thoshte im At,
është mësim i domosdoshëm, mjësim i
së ardhmes. Prindërit e mi, Naxhija,
dhe Limoni, ishin prindër të
zgjuar. Ata i lindën shtatë fëmijë,
5 djem dhe 2 vajza; Shabanin,
Bajramin, Kadriun, Hajrien, Hysnien,
Rrustemin dhe Azemin. Limon Geci
ishte patriot i flakët, arsimdashës
i dëshmuar, dhe njeri me autoritet
në fashat. Djali i tij Shaban Geci,
ishte profesor letërsie, mjek, dhe
doktor i shkencave të mjekësisë.
Limoni në Roganë, ishte i afërt me
të gjithë fshatarët. Në kohën e
Rinisë së tij, ai bashkëvepronte me
Balë Gecin, Hamdi Behën, Metush
Krasniqin, Mon Qehajën, Shefki e
Haki Kallabën, Rasim Rrudhanin dhe
kryengritës nga fshatrat përrreth.
Limon Gecit nuk i
pëlqenin mitet e rreme, dhe
mashtrimet që i bënte armiku
popullit. Ai ishte i drejtpërdrejtë.
Betejat kundër telallëve të
pushtetit, im At i fshikullonte.
Limon Geci dhe Metush Krasniqi
njiheshin shumë mirë. Metushi e
kishte një motër te Gecët e Roganës,
po edhe Gecët, vëllai i Limonit,
Ahmet, e kishte vajzën për nipin e
Metushit, Ramiz Krasniqin, mësues
historie. Im At dhe Metush Krasniqi
pajtoheshin për një lëvizje këndër
pushtimit serb. Brezi ynë shprehej
Metush Krasniqi, ( rrëfim i Limon
Gecit ) ka fuqinë e këngës, dhe çdo
i aftë që di të këndojë, është i
aftë të bëjë çlirimtarin. Patrioti
Metush Krasniqi, edhepse ishte shumë
më ri se babai im, ai nderohej dhe
respektohej, për idetë dhe
aktivitetet e tij çlirimtare.
Në Aksionin famëkeq
të armëve, popullata shqiptare në
Kosovë, po edhe ajo në Roganë u rraf
dhe u ndëshkua me shkopin e
xhelatit, nga Udbashët e Rankoviqit.
Gjëma e aksionit të armëve në
Roganë, por, edhe gjithandej Kosovës
ishte tmerruese. UDB-ja po
ndëshkonte me shkop në dorë
krenarinë e burrave të Roganës, dhe
krenarinë e popullit për liri. Kemi
shumë detyra për të bërë thoshte
Metush Krasniqi. Plotë burgjet janë
me ne. Kosova na thërret t´i dalim
zot këtij vendi, etj e tjerë. Im At
i mbante në mend ato ngjarje të
përjetuara në kurrizin e tij.
Ngrirja e nënës së Metush Krasniqit
në borë ( në kohën e Aksionit të
armëve ) dhe e një gruaje tjetër me
të, e kishte zemëruar së tepërmi
popullatën shqiptare. Metushi ishte
i mençur, ne do të luftojmë, dhe do
të fitojmë, por, jo në çastin kur do
armiku.
Në një mbrëmje
dimëri, në një debat familjar
mamaja ime i bëri një pyetje të
fortë babait; O Limon, kështu e
thërriste ajo babain, a bëhet
historia e lirë ndonjëherë, që të
vjen edhe ajo në katundin tonë dhe
të shoh për së afërmi, s´e çka po
vuan ky populli ynë. Motra ime e
madhe Hajria ju hodh në krah mamasë
dhe e përqafoi fortë për atë debat
të fortë me babanë. Naxhije, u
përgjigj babai, historia është këtu,
por fëmijët tanë atë duhet ta
gëzojnë e ta shkruajnë. Që ti
arrijmë qëllimet tona, u shpreh im
At, është e domosdoshme mëkambja
ekonomike, arsimimi i popullatës,
dhe lufta e pakompromis kundër
armikut.
Veprimtari Limon Geci
kryesisht merrej me bujqësi dhe
tregëti. Ekonomikisht qëndronte
mirë. Im At, kryesisht merrej me
tregëti, dhe jo rrallë shkonte në
Shkup, Shkodër dhe Tiranë. Në çdo
vajtje-ardhje Limon Geci sillte në
shtëpi për 3 djemtë e tij, dhe 3
djemtë e vëllait të tij, libra nga
historia, gjeografia, matematika,
dhe monografi nga lashtësia. Kam
qenë në klasen e katërt të fillores,
kur babai im e merrte bashkë me
farën e të mbjellave, në duçi, edhe
librin e Barlecit, “Skënderbeu”. Ai
lexonte në çdo pushim të lavrës, dhe
jetonte hyjnueshëm me kohën e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë
jetë, ofshante babai, ka shumë
pyetje, por, si të merren
përgjigjja.
Eshtë interesant të
thuhet se, Limon Geci, në arkivin e
Ushtrisë Jugosllave, në dosjen e
tij, figuronte i vrarë si ballist,
nga forcat serbe të sigurimit. Me
këtë dënim të fshehtë, Limon Geci,
jetoi 3o vjet, “ si ballist” i vrarë
nga sigurimi serb. Njëzet vjet pa
vdekë, babait tim, këtë ia kumtoi
një shok i tij i fëminisë, Bejtë
Teneqexhiu, nga fshati Roganë. Bejta
i kishte tregue, se Shërbimi sekret
i Ushtrisë Jugosllave, ishte
interesuar shumë për Limon Gecin,
duke u thënë oficerëve rezervë në
Roganë, se Limon Geci, është i
vrarë, nga forcat e sigurimit, dhe
mos u habitni, nëse atë së shpejti
e vrasim.
Bejtë Teneqexhiu
kishte reaguar menjëherë, po dhe të
tjerët, se Limon Geci është njeriu
simbol në fshat. Majori i sigurimit
kishte heshtur për një çast, dhe
duke e parë reagimin e tyre, u
kishte thënë, ndoshta do e shtymë
vrasjen e tij. Sepse dënimi i
Limonit me dënim kapital, ka të bëjë
me të kaluarën e familjes Geci. Të
gjithë ishin shtangur nga habia i
kishte thënë Bejta, reagimi ynë qe i
ashpër, dhe kundërshtues. Oficeri
heshti, dhe tha se ka mundësi që ta
shtyjmë vrasjen e Limonit.
Shërbimi i UDB-së, u
gjente punë spiunëve. E mbaj mend,
se në çdo festë kombëtare, shtëpia
jonë, ishte e rrethuar, dhe në
vëzhgim të përhershëm nga spiunët e
fshatit, dhe të qendrës. Më duhet të
them se shtëpia jonë ishte plotë
libra, revista dhe gazeta, që ishte
gjë e rrallë në atë kohë. Vëllai im
Shaban Geci, studjonte
Allbanalogjinë në Beograd, dhe për
nevoja të studimeve, Ambasada e
Shqipërisë në Beograd, u kishte
dhënë libra, nga se ai studionte
letërsinë shqipe.
Më duhet ta them se,
shtëpia jonë mbrëmjeve ishte si
shkollë. Meqenëse ne ishim 7
fëmijë, plus dhe 8 fëmijët të
xhahxhait, bëheshim 15-të, dhe jo
rrallë, bënim gara me njëri tjerin,
cili po lexon ma shumë libra, dhe
cili po reciton dhe këndon ma bukur.
Motrat e mia Hysnia dhe dhe Hajria,
po dhe kushërira jonë Makfirja,
këndonin jashtëzakonisht bukur. Ato
shpërndanin këngë patriotike, nëpër
dasma, dhe “promovime” nusesh.
Edhepse dukjet ishin të vogla,
Kosova lëvizte përpara. Në shkollë
kishte atmosferë garash. Nxënësit e
shkëlqyeshëm respektoheshin shumë
nga fshatarët. Këtë terr shprehej
babai im, ne vetë duhet ta mbysim.
Nëna ime Naxhije
Geci, kishte plotë elan për punë,
dhe nuk ia shkonte kush as në punët
e kuzhinës, as në punët e fushës,
dhe ishte një krah i fortë për
bababin. Në atë kohe gruri korrej me
drapër. Jeta e Limon Geci, ishte e
veçantë. Ai ishte rritur jetim, pa
njërin prind. Limon Gecit, babait
tim, prindi ju kishte vra ushtar në
Suboticë, në Luftën e parë botërore.
Ndërsa, tre vëllëzërit e gjyshit të
tij, Rrustem Geci , dhe Azem Geci,
qenë pushkatuar ma vonë nga Rexhimi
i Krajlit, njëri në Burgun e
Prishtinës, dhe Azemi në pusi nga
Çetnikët serb të Krajlit, ndërsa
Ramë Geci, mbeti përjetë i pagjetur
i familjes sonë.
Duhet të theksoj s´e
Azem Geci, bashkë me Murat Kryeziun,
ishin Organizator të kryengritjeve,
për Anamoravën e Hogoshtit, dhe të
Karadakut. Azem Geci, dhe Murat
Kryeziu, njiheshin mirë me Bajram
Currin. Ata u njohën në Luftën e
Shkupit. Nga Rogana në atë luftë,
mbetën të vrarë 18 luftëtarë. Në
Shkup, Azemi dhe Murati marrin
detyra të reja, nga vet Bajram
Curri. Rogana në historinë e saj 100
vjeçare, Lirisë së Kosovës i dha 75
luftëtarë betejash. Në Masakren e
serbëve në Gjilan, nga Rogana u
pushkatuan 25 burra, kryengritës të
lirisë.
Im At në moshën 3
vjeçare mbetet pa prindin e tij,
Bajramin. Sipas rrëfimeve të tij ai
nuk e mbante në mend prindin e vet.
Hanife Geci, ( një nënë luaneshë )
diti t´i rris fëmijët e saj, Limonin
dhe Metushin, duke mos lënë të
thahet pema e gjakut të burrit të
saj. Nëna Nifë siç i thoshim ne
gjyshes sonë, 15 vjet i qëndroi
pretendentëve të fshatit, derisa u
burrëruan, Limoni dhe Metushi.
Dramat familjare të plagëve të
luftës, janë të pashpirt. Ato
gërryejnë dhe groposin pjesët më të
lumtura të jetës. Rruga drejt
historia nuk ecën pa gjak. Popujt e
vegjël thoshte babai im, nuk shuhen
nga lufta, por nga heshtja dhe
mosbërja gjë.
Rogana në vitin 2015
ka rreth 3 mijë banor, 210 biznese,
shkollën nëntë vjeçare, dhe shkollën
e mesme, me rreth 1 mijë nxënës, dhe
70 mësues, arsimtarë dhe profesorë,
që dijesojnë nxënësit e tyre. Për 70
vjet të punës të shkollës shqipe në
Roganë, Rogana është shembull për të
mirë në Anamoravën e Hogoshtit, të
Vitisë dhe të Gjilanit. Rogana deri
në 2015-ten, arsimit, shkencës dhe
letërsisë shqipe në Kosovë i ka
dhënë, 6 doktor shkencash, 15
mgjistra, 13 shhkrimtarë dhe poetë,
kompozitor, piktor, regjisor, dhe
mbi 100 profesorë të profesioneve të
ndryshme. Rogana në vitin 2015,
shquhet për Klubin e Alpinistëve dhe
të Atletikës. Klub ky i cili Roganën
dhe Kosovën e nderoi në garat e
Kosovës, në garat Ballkanike dhe ato
ndërkombëtare, me çmim kampioni, dhe
me çmime medalesh. Ardhja e Abetares
nga Tirana e Shkodra në Roganë,
ishte një ngjarje e madhe tregonte
im At, po dhe bashkëkohanikët e tij.
Fara e Abetares ishte bima e dijeve
të këtij fshati qytet. Po e përsëris
se në Roganë, pylli kurrë s´e ka
fshehur diellin! Eseja vazhdon...
Rustem Geci –
Dortmund, 2015
|
|
|