Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

Ballina

Letërsi

Filozofi

Histori

Opinione

Intervista

Citate

Kritikë

 

INTERVISTË ME VEPRIMTAREN, MËSUESEN, GAZETAREN, LEKTOREN, MAGJISTREN E GJUHËS SHQIPE DHE MËSUESEN E SHKOLLËS “SHQIPONJA“ NGA BRUCHSAL-i, ZONJËN VJOLLCË ISLAMI KOLIQI

Intervistoi:
Ramiz  DËRMAKU
 


Ramiz Dërmaku


Mërgimi është një vend i huaj - "Pa derë e pa derman!"

Vjollca me burrin dhe fëmijët

 
Vjollcë Islami Koliqi është një veprimtare, atdhetare, aktiviste, një humaniste, një edukatore një Magjistre-e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, një intelektuale, një gazetare, një lektore (momentalisht mësuese) në shkollën shqipe ”SHQIPONJA” në Bruchsal, komunë e Karlsruhe-s, në Gjermani. Ajo, me seriozitetin më të madh, po edukon gjeneratat e reja të cilat po rriten në Diasporë; po ua mëson gjuhën, historinë, traditat, doket, zakonet, kulturën, po ua shton dashurinë ndaj prindërve dhe Atdheut, si dhe po i mbron fëmijët e mërgimtarëve tanë nga asimilimi. Kjo mësuese po bën atë që dikur bënin Rilindasit tanë. Ajo gjatë bisedës më tha: “Kjo është ajo që e brengos secilin mësimdhënës në Diasporë. Kjo është frika jonë dhe kjo do të duhej të ishte detyra patriotike dhe kombëtare e udhëheqësve tanë. Ata nuk mund të bëjnë vetëdijësimin e nivelit njerëzor në Diasporë, por mund të na japin mbështetjen dhe mbrojtjen shtetërore për të vazhduar më tutje me vullnet e dëshirë.

Nëse nuk i kemi rrënjët e ku t'i marrim krahët!

Pra, ndjekja e mësimeve në gjuhën amtare sjell rezultate edhe te gjuha gjermane. Këtë e kanë dëshmuar prindërit e këtyre fëmijëve. A nuk është mrekulli kjo! Nëse në fillim nuk dinin të shqiptonin tingujt si duhej, tani ata lexojnë te librat e gjuhës, nëse në fillim belbëzonin fjalët, sot këta fëmijë përpiqen të shpjegojnë për atë që lexojnë. Nuk mund të sjell te lexuesi këtë ndjenjë të memecit, e pastaj të atij që rrëfen tregimin, sepse po nuk qe këtu nuk do ta kuptojë! Tani këta recitojnë vargje për festat e ndryshme kombëtare, këta bëjnë teatër në gjuhën shqipe, këta, madje, përpiqen të shkruajnë vargje vetë në gjuhën shqipe. Mendoj, ata fëmijë që janë të frymëzuar deri në atë masë sa të shkruajnë në gjuhën e nënës, nuk janë fëmijë që do të harrojnë lehtë kush janë! Të tillët mbrumen me kombëtaren, mbrumen me amtaren dhe nuk shqiten lehtë nga trungu, të tillët nuk kanë probleme as me identitet!

Pra, kjo punë është e lodhshme kur nuk ke përkrahje nga ata që synojnë "të ruajnë" rrënjët në Perëndim, kurse e këndshme kur sheh përparimin dhe ecjen tutje të fëmijëve - nxënësve tu. Në të ardhmen do të doja sa më shumë shkolla shqipe, sa më shumë vetëdijësim dhe sa më shumë nxënës - fëmijë shqiptarë nëpër shkolla. Do të doja të kishin rrënjë për t'i marrë krahët dhe për të mos e humbur trungun e tyre. Pra, të mos bëhemi indianë e të humbim trungun tonë, por shqiptarë me rrënjë e me krahë!"
 

Nxënësit e Shkollës Shqiponja

Ramiz Dermaku: Biografia juaj ?

V.Islami Koliqi: Lindur dhe rritur në Prishtinë (13.11.1969). Shkollimi, deri te Magjistratura, po në Prishtinë. Paralelisht me studimet pasuniversitare edhe puna nëpër media: gazetare dhe lektore. E diplomuar me titullin Magjistër e Gjuhës Shqipe dhe shumë pak e aspak përvojë me mësimdhënie. Këtë përvojë do ta mësoj më vonë, në një vend tjetër, në një kohë tjetër! Kam bërë ecejake nëpër jetë, sikur edhe shoqet dhe shokët e mi. Asgjë më shumë! Vetëm përjetimi i situatave në të cilat hepoheshim dhe na servoheshin ishte ndryshe.

Ramiz Dermaku:: Keni lindur në kryeqytetin e Kosovës - Prishtinë. Kur ishit në moshën 11,12 vjeçare, për shkak të gjendjes së vështirë politike dhe asaj ekonomike, në të cilën jetonin, studionin, banonin nxënësit e studentët shqiptarë, mungesa e kuadrit shqiptar, mungesa e literaturës në gjuhën shqipe etj., në Universitetin e Prishtinës më 11, 26 dhe 30 mars e 1 prill, të vitit 1981, në Prishtinë dhe tërë Kosovën shpërthyen demonstratat. Ç'ju kujtohet nga ajo kohë?

V.Islami Koliqi: Kur thashë më lart bëra ecejaket nëpër jetë, kisha për qëllim pikërisht këto kohë të kaluara nëpër rrugë. Më kujtohet ajo ngjarje që më ka mbetur në kujtesë. E di se ishim në shkollë dhe e vendosëm të dilnim në demonstrata. E bëmë rrugën deri atje pa e ditur se ku po shkonim dhe ç'do të na gjente. Nuk e di në ç'vend ka qenë, por më kujtohet kur policia, atëherë ishte e përzier shqiptarë e serbë, na ndoqën deri te Shkolla e Mesme Teknike. E di se një student (ende ia mbaj mend fytyrën, që e kishte paksa të vrarë lie) më tërhiqte për dore për të më larguar nga masa që sa nuk po më shkilte.  Këtë mbaj mend nga ajo kohë.

Ramiz Dermaku:   Vini nga një familje qytetare, por përkushtuar për lirinë dhe çështjen kombëtare?

V. Islami Koliqi: Po, prindërit gjithmonë na thoshin:"Nëse doni të bëni diçka për atdheun, atëherë punoni e heshtni, se lavdatat u takojnë egoistëve!" Ata kishin të drejtë. Sepse, edhe sot ka shumë njerëz që më shumë flasin se punojnë! Patriotizëm më të madh sesa shkollimi i fëmijëve nuk ka, e prindërit tanë nuk kursyen asgjë për shkollim. Mirëpo, edhe prania jonë aty ku ishin të gjithë të tjerët! Më kujtohen demonstratat e viteve '90-ta e tutje. Nëna na thoshte: "Ç'jeni mbyllur në shtëpi! Fëmijët e tjerë janë nëpër rrugë e ju në shtëpi!" Por, të tjerët kanë bërë edhe më shumë se ne...

Ramiz Dermaku:  Pas kryerjes së Fakultetit, ju vazhduat studimet pasuniversitare në Prishtinë?

V. Islami Koliqi: Ishte viti 1992 kur regjistrova studimet. Më kujtohet si sot. Në këtë vit filluan largimet e shqiptarëve nga puna, në mesin e tyre edhe babai im. Kur na tha se e kishin larguar u nemita! Ai ishte burimi prej nga do të financohesha! Më tha të mos mërzitesha, sepse do ta gjente zgjidhjen për mua. Nuk ishte lehtë në atë kohë të bëje studime. Kriza ekonomike, pasiguria qytetare, vullkani i mbledhur shekuj me radhë i shqiptarëve ndaj serbëve sa nuk po shpërthente e të tjera si këto na kishin bërë të pasigurt neve ambiciozëve, të eturve për të studiuar, po thjesht edhe optimistëve.

Ramiz Dermaku:  Ju një kohë punuat gazetare dhe lektore në disa media, ku punuat ?

V. Islami Koliqi: Për të ndihmuar babanë të më paguante studimet fillova të punoja në një shoqatë islamike, quhej "Bashkimi Paqësor" në Prishtinë. Aty punonin profesorë dhe ish të burgosur politikë. Vezir Ukaj, një ish i burgosur politik, më mësoi shenjat e korrekturës dhe pastaj u bëra bashkëlektore me prof. Isa Bajçincën te një libër që nxori kjo Shoqatë. Pastaj, ishte 1995-a kur për të parën herë filloi mbledhja e materialit për të botuar gazetën për të cilën ju sot punoni "Bota Sot". Aty fillova si lektore. Milazim Krasniqi, për të cilin kam respekt të veçantë, më tha të provoja dhe gazetarinë, sepse do të isha e suksesshme. Dhe, kështu fillova nga "Bota Sot" me gazetari. Ishin pastaj ca revista të tjera, si te "Gazeta Shqiptare" punoja lektore, te "Ekskluzive" gazetare, te revista "Rrezja" që të dyja, pra edhe gazetare, edhe lektore, provova dhe në radio "Radio Prishtina 1", radio e formuar nga nostalgjikët e ish- Radio Prishtinës, Mustafë Statovci (një njeri shumë i mirë), Fatmir Podrimja, Rabishe Muhaxhiri, Teuta Tmava etj., dhe te "Kosovarja" nja 7 vjet të mira. Edhe këtu punoja gazetare dhe lektore. (Ishin edhe disa revista të tjera, si ajo e Fakultetit të Mjekësisë, por shumicës, më vjen keq, ua kam harruar emrat). Por, kam bërë lekturën edhe të shumë librave të tjerë, të zhanreve të ndryshme etj.

Vjollca Islami Koliqi me prindërit e nxënësve të shkollës shqipe

Ramiz Dermaku:: Ju pak më parë deklaruat:Gjatë karrierës suaj keni kaluar nëpër shumë sfida, keni bërë një "luftë" me situatën dhe një përpjekje për të arritur në jetë, për të dalë nga kornizat, për të dalë nga klishetë. Zonja magjistre na tregoni disa nga sfidat në të cilat kaluat ju dhe populli shqiptar ?

V. Islami Koliqi: E tërë kjo që ju thashë më lart ishte një luftë dhe një përpjekje. Në Perëndim, kur dikush mbaron shkollimin e di se e pret edhe vendi i punës, e neve çfarë na priste! Na prisnin ditë më të vështira. Askush nuk e dinte kur do të plaste lufta dhe a do të jetonim të nesërmen. Gjithçka ishte e pasigurt. Jeta politike dhe ekonomike kishin detyruar shumë të rinj të lëshonin vendin. Ikja e tyre faktikisht kishte filluar shumë herët, qyshkur na i sillnin djemtë - ushtarët të vrarë nëpër arkivole. Ata që ishin të asaj gjenerate '71, '72, '73 e që nuk i ishin përgjigjur thirrjes për ushtrinë jugosllave kërkoheshin dhe nuk u linin vend familjarëve. Pra, ishte një valë e madhe e ikjes së të rinjve. Këtë fat pati dhe vëllai im, i cili u detyrua të ikte për në Kroaci. Po as atje nuk e pati më mirë. E përfshiu lufta. E zuri dhe lufta e Bosnjës. Kur folëm me të na tha se Zoti deshi ta ruajë që të luftonte dhe për Kosovën. Deshi Zoti shpëtoi edhe nga lufta e Kosovës dhe ai sot jeton akoma në Kroaci. Pra, ky është vetëm një rrëfim i shkurtër, po ato nëna, ato motra që kanë përjetuar edhe më shumë, që kanë hequr të zitë e ullirit, që i kanë parë të dashurit e tyre të vrarë, të masakruar. Më rrëqethet trupi vetëm po t'i mendoj. Ose, kur demonstronim në sheshin e qytetit; apo te mensa e studentëve; pjesëmarrja nëpër demonstratat e qyteteve të tjera të Kosovës; apo atëherë kur isha anëtare e Forumit Rinor të LDK-së dhe kur në një nga protestat e organizuara nga ne u vra një person në Pejë dhe ne u desh të shkonim atje e të merrnim pjesë në varrimin e tij, etj. si këto! Kjo ishte njëra anë e luftës, tjetra ishte me mentalitetin, me njerëzit tanë... Unë, deshi Zoti arrita atë që desha, shkollimin, punën, karrierën dhe njerëzit e mirë dhe të dashur rreth meje. Kam patur fatin të njoh shumë njerëz të mirë. Kam njohur Nafije Latifin, një engjëll. Nehat Islamin, Rabishe Muhaxhirin, Mustafë Statovcin, Ibrahim Rexhepin, Ibrahim Osmanin, të ndjerin Shefki Morinën e shumë e shumë të tjerë, që fatkeqësisht nuk mund t'i permende.

Ramiz Dermaku:: Ku ishit gjatë luftës së fundit në Kosovë?

V.Islami Koliqi: Ne gjatë luftës vendosëm të mos dilnim, të rrinim në shtëpi, edhe pse kishte shumë rreziqe. Bëmë një zhvendosje të vogël, thamë të strehoheshim te halla ime, e pastaj, kur të qetësohej paksa situata, të ktheheshim në shtëpi. Mirëpo, te lagjja e hallës hyn paramilitarët dhe romët. Aty pashë tmerrin me sy, por aty pashë edhe mrekullin e Zotit. Pleqtë tanë thonë "Ia ka shkru Zoti me rrnu!" Vërtet, vëllezërit e mi më shpëtuan, fal Zotit!, ishte një tmerr. Ata dukeshin si të çmendur, nuk dinin çfarë të na bënin, të na vrisnin, të na plaçkisnin apo të na lëshonin. Ne patëm "ymër me rrnu!" edhe sot jetojmë. Kemi ndejur në Bllacë, ajo zona neutrale në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, nja katër ditë e katër net. Shtroj e kishim tokën dhe mbuloj qiellin. Kurrë nuk e harroj. Binte shi pa pushim, të ftohtit të thante; zjarri nuk ndizej nga shiu, nxirrte vetëm një tym të zi; fëmijët, të sëmurët dhe pleqtë vdisnin nga të ftohtit. O Zot! Derisa nuk ndërhyn me zor shqiptarët e Maqedonisë për të na dhënë ushqim dhe mbuloj. Kush flinte vdiste në gjumë. Më besoni ose jo nënës sime iu thinjën flokët brenda natës. Në mëngjes aty-këtu i kishte mbetur një flokë i zi në kokë! Na hipën nëpër autobusë dhe askush nuk e dinte për ku po na çonin. Të nesërmen arritëm në stadiumin e Korçës. Ajo që më dhemb edhe sot ishte absurdi që na ndodhi atje. Në mesin e të gjithave, kulminacioni ishte kur në treg dëgjonim këngët e këngëtareve serbe. Sa herë jemi ngatërruar me ta. "Le ta bëjë greku Korçën si Milloshi Kosovën do t'ia jepja Korçën me të dy duart!", - kështu na përgjigjeshin. Por, sigurisht dhe fatmirësisht njerëzit e tillë janë të paktë. Mirëpo, sërish them, familje të tjera kanë përjetuar edhe më shumë...

Ramiz Dermaku:: Gjatë kohës sa ju gjindeshit në Prishtinë, ju e gjetët princin e jetës?

V. Islami Koliqi: Po. Resmiu (tani burri im) ishte larguar kohë më parë nga Kosova. Dhe, pas luftës erdhi në Kosovë, u fejuam dhe u martuam. Kjo ishte edhe arsyeja pse unë jam sot në Gjermani.

Ramiz Dermaku:: Si e gjetët mërgatën tonë në Gjermani, unitetin, organizimin e saj dhe si ju pritën mërgimtarët tanë?

V. Islami Koliqi: Fatkeqësisht, këtu nuk ka ndonjë organizim. Shqiptarët si individë janë të pashoqë, si grup nuk funksionon. Pa dashur të nënçmoj askë, pa dashur të fyej askë, nga ku kisha ardhur - këtu ishte një diçka e pakapshme për trurin tim. Unë e njihja një botë tjetër... U futa e papërgatitur në një botë krejtësisht të paimagjinuar nga unë, të panjohur për mua... Kur erdha këtu erdha me një ambicie të tepruar, me një vullnet, me një optimizëm! Askush nuk më përkrahu, përveç burrit tim! Fatkeqësisht, njeriu intelektual këtu zor kuptohet!

Ramiz Dermaku:  Tashmë  bëhen 10 vjet që jetoni në Gjermani. Këtu thoni zhvillohet një jetë tjetër, një "luftë" tjetër, sepse ajo adrenalina e punës, e mbijetesës nuk është më. Në mërgim është një qetësi dhe një paqe me vetveten! Sa e keni kryer këtë detyrë që ia keni dhënë vetes - njohjen e vetes tuaj dhe atë që të rrethon?

V. Islami Koliqi: Po, e vërtetë. Të them të drejtën, për mendimin tim gjermanët janë robotër! Është një popull "i kurdisur", janë njerëz që nuk ecin po vrapojnë, njerëz që duan përpikmërinë, njerëz që synimet e tyre janë materialja - se shpirtëroren ( me përjashtime) nuk e njohin. E kanë harruar qëmoti këtë ndjenjë! Kurse unë, vetja ime arrita dhe këtë ta njoh! Në Prishtinë vrapoja posht e lart për të punuar; synoja të regjistroja Arkeologjinë; e sfidoja veten time, kisha kaq shumë ide dhe... të gjitha i lash! Kurse, këtu tani kisha kohë të merresha me veten. E sprovova veten edhe nga një anë tjetër - të isha një grua, një shtëpiake, pastaj një nënë. Po mësoja të përgatisja ushqimet... Kjo kishte qenë një luftë e shkuar luftës. Sepse, arti nuk ishte vetëm te të bërit karrierë me, siç thoshte i ndjeri Zekeria Cana "me elegancë", pra të bërit karrierë me elegancë, po art ishte edhe të bëje një drekë pa gabime dhe ta servoje si duhej. Me shumë mund edhe këtë e arrita! Arrita ta njoh veten, sepse kisha kohë të mjaftueshme. Dhe, për një gjë nuk e kisha ditur - për durimin tim të madh! Sepse, t'i lërë njeriu të gjitha që ka ndërtuar deri në atë moment dhe të sakrifikojë me vetëdije dhe me vetëdëshirë gjithçka për t'u mbyllur me muret, e për të ikur nga e gjithë ajo parajsë (e kam fjalën për njerëzit e mi e të mirë) e të vish këtu ku nuk ke asgjë përveç të zgjedhurit tënd! Kjo ose është çmenduri, ose një durim shumë shumë i fortë. Këtë nuk e kisha ditur se e kam te vetja. Kur arrita ta njoh veten, fillova të mos i gjykoj ashpër të tjerët.

Para se ne t’ia shtronim pyetjen në vazhdim, mësuesja ndërhyn:

"Në muret e një kopshti në Gjermani, lexova këto fjalë të urta. Nuk kishte shënime për autorin, por unë do të përpiqem t'i përkthej ato.

"Kur fëmijët janë të vegjël - jepjuni Rrënjët, po u rritën jepjuni Krahë!
I madh është ai popull kur e kupton, e ndjen dhe u përmbahet këtyre thënieve, kurse të mëdhenj janë ata njerëz që e zbatojnë këtë në vendet e huaja ku janë! Po nuk ua dhe rrënjët fëmijëve ku t’i marrin krahët të fluturojnë!
Kjo është ajo që e brengos secilin mësimdhënës në Diasporë. Kjo është frika jonë dhe kjo do të duhej të ishte detyra patriotike dhe kombëtare e udhëheqësve tanë. Ata nuk mund të bëjnë vetëdijësimin e nivelit njerëzor në Diasporë, por mund të na japin mbështetjen dhe mbrojtjen shtetërore për të vazhduar më tutje me vullnet e dëshirë. Nëse nuk i kemi rrënjët e ku t'i marrim krahët! Pra, ndjekja e mësimeve në gjuhën amtare sjell rezultate edhe te gjuha gjermane. Këtë e kanë dëshmuar prindërit e këtyre fëmijëve. A nuk është mrekulli kjo! Nëse në fillim nuk dinin të shqiptonin tingujt si duhej, tani ata lexojnë te librat e gjuhës, nëse në fillim belbëzonin fjalët, sot këta fëmijë përpiqen të shpjegojnë për atë që lexojnë. Nuk mund të sjell te lexuesi këtë ndjenjë të memecit, e pastaj të atij që rrëfen tregimin, sepse po nuk qe këtu nuk do ta kuptojë! Tani këta recitojnë vargje për festat e ndryshme kombëtare, këta bëjnë teatër në gjuhën shqipe, këta, madje përpiqen të shkruajnë vargje vetë në gjuhën shqipe. Mendoj, ata fëmijë që janë të frymëzuar deri në atë masë sa të shkruajnë në gjuhën e nënës, nuk janë fëmijë që do të harrojnë lehtë kush janë! Të tillët mbrumen me kombëtaren, mbrumen me amtaren dhe nuk shqiten lehtë nga trungu, të tillët nuk kanë probleme as me identitet!
Pra, kjo punë është e lodhshme kur nuk ke përkrahje nga ata që synojnë të "ruajnë" rrënjët në Perëndim, kurse e këndshme kur sheh përparimin dhe ecjen tutje të fëmijëve - nxënësve tu. Në të ardhmen do të doja që të hapen sa më shumë shkolla shqipe, sa më shumë vetëdijësim dhe sa më shumë nxënës - fëmijë shqiptarë nëpër shkolla. Do të doja të kishin rrënjë për t'i marrë krahët dhe për të mos e humbur trungun e tyre. Pra, të mos bëhemi indianë e të humbim trungun tonë, por shqiptarë me rrënjë e me krahë!

Ramiz Dermaku:: Keni bërë përpjekje titanike, të cilat lidhen me shpresën, me dëshirën për të bërë gjënë më të mirë dhe më perfekte në jetë, edukimin e dy fëmijëve, apo siç po i quani ju engjëjve që t'i dhuroi Perëndia, sa ia keni arritur qëllimit ?

V. Islami Koliqi: Pyetje shumë me vend dhe shumë e rëndë, me një përgjigje kaq të madhe e të gjerë! Po përpiqem ta thjeshtësoj. Të edukosh fëmijët e të gjithëve është më e lehtë se fëmijët e tu! Nuk është e lehtë për neve që jemi në Perëndim! Pa askë të familjes dhe mbi të gjitha pa gjyshë e pa gjyshe! Për fëmijët një gjyshë ose gjyshe do të ishte sikur një libër me përralla që kurrë nuk shteron. E në ato përralla sa shumë mesazhe, sa shumë edukatë dhe sa shumë mësime. Fëmijët këtu janë në kontakt me gjuhë të ndryshme. Gjermanishtja është gjuhë zyrtare, por këtu ka edhe shumë gjuhë të tjera. Prandaj, fëmijët tanë mundohemi t'i edukojmë në frymën kombëtare. Mundohemi t'i lidhim për Kosovën dhe për çdo gjë që ka të bëj me atje. U flasim vetëm shqip dhe u tregojmë se nëse nuk e njohin gjuhën e tyre nuk do të mund të mësojnë asnjë gjuhë tjetër. Kam parë mjaft dhe dëgjuar. Më kujtohet kur isha në Francë. Një grua, ishte refugjate atje, ende nuk e dinte gjuhën vetë mirë, me fëmijët fliste frëngjisht. Njëra nga vajzat sa herë fliste e korrigjonte dhe qeshte. Kur i thashë t'u fliste në gjuhën shqipe jo më tha se duhet ta mësojnë frëngjishten! Po të njëjtat fjalë i gjeta këtu! Sa keq, sa mjerim! Ajo që do të harrohet do të jetë pikërisht gjuha e nënës, por kurrë, kurrë asnjëherë gjuha e vendit ku jeton! Me atë gjuhë je në kontakt në çdo hap, në kopsht, në rrugë, në shkollë, rrethi, shoqëria e si po u harroka kjo gjuhë!? Po mburrem ndoshta, por kur shkojmë në Kosovë fëmijët tanë nuk e flasin as edhe një fjalë të vetme gjermane. Luajnë pa problem me fëmijët e tjerë. Ndoshta mund të dallohen paksa nga theksi gjerman, sepse këtu po rriten, po jo nga fjalët, jo se nuk dinë të flasin. Sa herë na kanë uruar familjarët tanë për këtë. Fëmijët tanë nuk ndjehen të huaj në Kosovë aspak. E di se ka shumë punë, po shpresoj te ndihma e Zotit se mundin nuk do të na e hedhë posht.

Ramiz Dermaku:  Mërgimi është një vend i huaj, "pa derë e pa derman", kur për një moment njeriu humb arsyen dhe i thua vetes ç'bëra kështu!? Lash gjithçka për t'u katandisur në mjerim, në rrugë pa rrugë! Shpresa, ajo që nuk mbyll asnjë derë. Shpresa, ajo që të thotë - mos u ngut, prit edhe pak - durim! E durimi shpërblehet, jo nga robi, po nga Zoti! Ajo Gjithçka që ke në vendin tënd tani po u shpërbleka në dy vende: te fëmijët e tu dhe te fëmijët e tjerë. Deklaruat se do të sakrifikoje edhe veten për të arritur sukses dikush tjetër, dikush që për ju është vetë jeta - fëmijët e tu? Këtu nuk le anash as fëmijët e të tjerëve - nxënësit e tu!

V. Islami Koliqi: Po, është e vërtetë, do ta bëja atë që do ta bënte secila nënë! Madje, unë e kam bërë. Sepse, edhe unë kam pasur mundësinë të punoj këtu, të studioj diçka. Kam dashur dhe dua të rri afër fëmijëve të mi. Ata kanë nevojë për mua, te shkolla, te detyrat, ose kur zgënjehen kanë nevojë t'i dëgjosh, t'i përkrahësh apo t'i qortosh... Nuk mund t'ua kthej shpinën lehtë... Për çudi, nuk më dhimbset vetja për këtë sakrifikim të ëmbël, sepse e bëj për ata që i dua më së shumti në jetë, e tërë ajo përvojë jetësore, gjithë ato historira të lexuara apo të dëgjuara tani nuk do të mbeten në pluhurin e harresës, nuk do të mbyllen në arkivën e trurit, por do të shpërndahen tutje, do të barten tek arkiva të tjerë. E tërë ajo karrierë të bër në vendin tim, tani po e zbatoj te fëmijët e mi! Madje, do të jenë më të përmbledhura, do të jenë më të përpunuara - rrëfenjëzat e përshtatura për moshën e tyre. Mbase, do t'u duhen në jetë, kush e di! Por, këtë nuk po e kursej as te nxënësit e mi. Sepse, edhe ata kanë nëvojë për këto rrëfenjëza. Do të doja, shumë do të doja që njerëzit që jetojnë në këtë qytet ku jam dhe unë, sepse këtu ka mjaft familje shqiptarësh, të më kuptonin drejt, se vërtet do të jepja gjithçka vetëm t'i dëgjoj fëmijët e tyre të flasin shqip! E di, nuk mund ta largosh gjuhën gjermane se këta po rriten me këtë gjuhë, jetojnë me këtë gjuhë, mirëpo, të paktën t'ia dinë vlerën edhe shqipes dhe të mos thonë "nuk e kam ndërmend ta studioj gjuhën shqipe!", ose "pse a mos po zen naj vend të punës a!". Kjo është e dhimbshme!

Ramiz Dermaku: Akoma pa u stabilizuar mirë në Gjermani, ju filluat përpjekjet për hapjen e shkollës plotësuese shqipe, çka ju shtyri?

V. Islami Koliqi: E thashë edhe diku më lart, se disa nga prindërit, të cilët edhe sot më kanë qëndruar besnikë, i sjellin fëmijët në shkollën shqipe, ishin të interesuar për hapjen e shkollës shqipe. Ata ishin dhe janë në gjendje gjithçka të bëjnë për fëmijët e tyre. Pas tri vjetësh u jetësua ideja, hapja e shkollës shqipe. U mblodhëm, biseduam dhe ramë dakord të bënim listën, që u përbë prej 35 fëmijësh, për të filluar mësimin. Në zyrat e qytetit ku jetojmë na pritën mirë. Na e dhanë lejen të punonim në objekt të shkollës. Mirëpo, nuk erdhën 35 nxënës, po 25. Pas gati gjysmë viti filluan t'i tërhiqnin fëmijët. Arsyeja ishte gjuha shqipe po u pengon te gjuha gjermane! Por, unë kam thënë, nëse më lejojnë rregullat, edhe një fëmijë po të mbetet do ta mbaj mësimin. Fëmijët nuk kanë faj pse prindërit janë të lodhur nga puna, apo nuk e kanë momentin e duhur për të sjellë fëmijën në shkollë. Prandaj, këta prindër që ende janë aktivë për ta edhe unë do të bëj të pamundurën.

Ramiz Dermaku:  Z.Vjollcë, me gjithë orvatjet tuaja dhe të disa prindërve për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në Shkollën plotësuese shqipe, ju nuk ia arritët qëllimit. Ku është shkaku?! Që nga dita e parë kur ju filluat punën më nxënës, siç deklaroi bashkëshorti juaj, ju keni qenë e zhgënjyer dhe e prekur emocionalisht për shkak se një pjesë e madhe e fëmijëve të mërgimtarëve tanë nuk vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Pse ndodh kjo?

V. Islami Koliqi: Po në Perëndim dolën shtresa të ndryshme njerëzish. Disa të shkolluar e disa më pak të shkolluar. Dhe, fatkeqësisht, nuk ia dinë vlerën shkollës! Kjo është arsyeja, asgjë tjetër! Se ndryshe si mund ta ndalojë ai baba, apo ajo nënë me vetëdëshirë fëmijën e vet të mos e mësojë gjuhën e vetë!? Si mund ta asimilojnë fëmijën e tyre kështu!? Me vetëdëshirë!? Këtë e bën ai që nuk ka nivel të lartë shkollimi. Të sqarojmë diçka. Ka prindër që nuk i sjellin fëmijët në shkollën shqipe, po të paktën në shtëpi flasin shqip, u lexojnë libra shqip, janë në kontakt me gjuhën. Ata nuk mund të futen në këtë kategori! Pastaj, ju dhe të gjithë ne fort mirë i dimë të gjitha vuajtjet e popullit tonë. Po asnjëherë nuk u asimiluam, asnjëherë nuk u ndamë nga trungu, asnjëherë nuk thamë lëre se gjuhën do ta mësoj më vonë! E, pikërisht tani do të kemi asimilimin, nëse nuk kemi kujdes. Sa herë më ka rënë të dëgjoj nga prindërit, apo thjesht njerëzit për problemet që kanë me fëmijët e rritur. Sepse, ata nuk e dinë kush janë. Gjermanë nuk janë kështu u kanë thënë në shtëpi, shqiptarë nuk e ndjejnë veten, sepse nuk e njohin veten! E çfarë janë pra! Këtë pyetje ua bëj edhe unë prindërve: a i kanë pyetur ndonjëherë fëmijët tuaj se çfarë e ndjejnë veten, ose ku ndihen më mirë? Apo, çfarë identiteti kanë? Tani më shumë se kurrë duhet të bëjmë përpjekje qoftë edhe të kushtëzuar për t'i sjellë fëmijët në shkollë.

Ramiz Dermaku:: Zonja Vjollcë Islami Koliqi, a jeni e kënaqur me punën që po bëjnë institucionet e shtetit të Kosovës - sidomos Ministri i Diasporës, z. Ibrahim Makolli, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë -MASHT?

V. Islami Koliqi: Po filloi dikush të merret më çështjen e Arsimit në Diasporë i duhet kohë e gjatë për t'ia gjetur fillin! Ka kaq shumë grupacione këtu, saqë z. Makolli nuk di kujt t'i besojë! Ai vonë është zgjedhur në këtë post e para, e dyta ai vepron sipas informacioneve që i merr, e treta varet kush ia servon dhe si ia servon ato informacione! MAShT-i na i ka siguruar librat. Përshtaten apo jo janë të vetmet me të cilat punojmë dhe të cilat, mua personalisht, më kanë nxjerr nga "kriza", sepse tani kam diçka konkrete në dorë, të cilën ia jap nxënësit. Kurse, sa për ministrat kush e di edhe sa do të ndërrohen derisa të mendohet seriozisht për ne, që jemi pjesa më funksionale, më patriotike dhe më e lëna anash!

Ramiz Dermaku:  Ju keni marrë pjesë edhe në Kuize të Diturisë, pastaj funksionon grupi i valleve, recitatorëve (që e kanë prezantuar kulturën dhe traditat tona në kremtet tona si dhe ato gjermane), çka do të thotë kjo për ju ?

V.Islami Koliqi: Kjo do të thotë shumë. Mburrem kur dal me nxënësit në skenë. Po, kemi marrë pjesë në Kuizin e Diturisë me ciklin e ulët në Mannheim, para 4 vjetësh. Do t'ju rrëfej një ngjarje. Paramendoni nxënës të vegjël me moshë, kanë vetëm dy vjet që ndjekin mësimet në shkollën shqipe, kështu ishin nxënësit e mi, me të cilët merrja pjesë në Kuiz. Dhe, gjatë leximit të pyetjeve, në tekst kishin përdorur barbarizma. Dhe, nxënëset e mia vijnë tek unë e më pyesin çfarë të bëjmë. Unë u thashë le të veprojnë si të duan ato. Shkojnë te organizatori, nuk dua t'ia përmend emrin, për shkak të parimeve të mia, jo për shkak të tij, dhe i thonë kemi fjalët shqipe, pse keni përdorur fjalë serbe. Ai ishte shumë arrogant dhe i pasjellshëm me vajzat, i dëboi keq. Po, gabimet nuk i përmirësoi. Ja pse unë krenohem me nxënësit, sepse janë të mirë, e të zellshëm. Nuk janë shumë (tani janë 15), por këta që janë e duan gjuhën amtare.

Ramiz Dermaku:  Në arkivën e vetë mësuesja Vjollcë ruante me kujdes kupa, mirënjohje, dhurata, të fituara nga garat... ?

V. Islami Koliqi: Po i ruaj me xhelozi! Sepse është mundi i fëmijëve të mi, nxënësve të mi. Më shumë se këto ruaj diçka shumë shpirtërore të tyren - poezitë e para të bëra në gjuhën shqipe.

Ramiz Dermaku:: Në fund, zonja magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në emrin tim dhe të gazetës kombëtare "Bota sot" juve, familjes suaj, nxënësve tuaj dhe mbarë popullit shqiptar, kudo që ndodhen, jua urojmë festat, duke ju dëshiruar shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe suksese në punën tuaj?

V. Islami Koliqi: Ju falënderoj për intervistën!

Ramiz Dermaku: Cila do të ishte porosia juaj për prindërit, të cilët nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe.

V. Islami Koliqi: Mos ua shkulni rrënjët fëmijëve tuaj; mos ua preni krahët, se edhe këta duan të mësojnë shqip për kaltërsitë e vendit të tyre! Dhe, mos harroni me shekuj e me shekuj nuk arritën të na asimilonin, nuk arritën të na zhduknin, pse e bëjnë këtë tani me vetëdëshirë!


 


Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat


citate
intervista
letra hapura
botime reja



Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .