Kryetari i Këshillit Studentor të
Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), Redan Bushati, flet në Prishtina
Press për këtë strukturë studentore si dhe për problemet më të
mprehta që shqetësojnë jetën akademike në Universitetin e Shkodrës.
Në këtë intervistë të realizuar nga Ermira Babamusta, z. Bushati flet
edhe në tërësi për reformat e nevojshme në arsimin shqiptar, si dhe
tregon shkaqet e gjendjes së tij të rënduar. Gjithashtu, Bushati jep
edhe ilaçin, i cili mund të zhvillojë arsimin modern shqiptarë: ulja e
vlerave në krye të institucionit të arsimit të lartë.
Për më tepër ndiqeni intervistën e
plotë me z. Redan Bushati.

Cili
është misioni dhe roli i K.S.U.SH-së?
Këshilli
Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) është një organizëm
i pavarur i studentëve të Universitetit «Luigj Gurakuqi» të Shkodrës,
i cili nuk zhvillon veprimtari politike dhe ekonomike. Kjo strukturë
studentore promovon pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinon përfaqësimin
e tyre në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.
Ky
këshill studentësh shpreh mendime dhe propozime për të gjitha
problemet me interes të përgjithshëm në jetën akademike të këtij
universiteti. Në mënyrë të konkretizuar do të shtoja se: roli i kësaj
strukture studentore, që përfaqëson institucionalisht rreth 12 000
studentë që ndjekin studimet në USH-në «L.Gurakuqi», është përfaqësimi
dinjitoz i vlerave më të mira akademike dhe intelektuale. Misioni i
K.S.U.SH-së gjen veten në objektivat tanë: rritjen e kapaciteteve mësimnxënëse
dhe mësimdhënëse, si dhe në përmirësimin e imazhit të rënduar
universitar.
Në
cilat aspekte të arsimit si dhe jetës së studentëve ka ndikuar më
shumë K.S.U.SH?
Së
bashku me përfaqësuesit e tjerë të këtij këshilli jemi përpjekur të
arrijmë marrëdhënie të ndërsjellta me studentët dhe stafet
pedagogjike. Kemi arritur, disa herë, të bashkojmë në mjedise të
ndryshme akademike dhe sociale, studentët me pedagogët, duke arritur
drejt shkëmbimit njerëzor të marrëdhënieve student-pedagog, e duke
krijuar kësisoj kushtet në përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve
mes tyre.
Duke
filluar nga shërbimet informuese për studentët: njoftimet për
regjistrime, njoftimet për provime, njoftimet për bursa, njoftimet për
kuota pranimi, njoftimet në vazhdimësi për procesin mësimor, njoftime
për konferenca, simpoziume, tryeza të hapura, takime të gjera mes
studentëve etj. dhe duke mbërritur deri tek organizimet dhe fushatat e mëdha
në ndihmë të komunitetit, janë përpjekjet tona të vazhdueshme që
kemi realizuar gjatë veprimtarisë sonë.
Cilat
hapa duhen marrë për ta zhvilluar arsimin shqiptar në nivele bashkëkohore?
Duhet
të kuptojmë qartë, njëherë e përgjithmonë, se ndryshimi i ngjyrave
qeverisëse në drejtimin e institucioneve të shtetit, si rrjedhojë edhe
të institucionit të arsimit të lartë në vend, nuk duhet të jetë
kurrsesi ndryshim i platformave zhvilluese dhe i linjës së reformave të
nisura, kur ato janë në shërbim të përmirësimit të arsimit në
vend. Arsimi, vatra e shpresës së ardhme të një vendi, është më
shumë se e pashpresë, kur bie fjala për vendin tonë. Gjendja nuk është
aspak e lehtë për t'u përmirësuar. Por, jo e papërmirësueshme.
Mundet ta bëjmë arsimin europian, mundet ta zhvillojmë atë, mundet ta
fusim në shinat moderne, por ama veçse me njerëz të aftë për t'i dhënë
drejtimin punëve, në këtë institucion me përgjegjësi të madhe. Përkundër
çdo mohimi shprese qëndrojnë përballë vlerat. Janë pikërisht këto
të fundit, të cilat nëse mbizotërojnë në arsimin shqiptar, atëherë
vendi ynë mund të ndjekë ritmin dhe standartet e fort kërkuara
europiane. Atëherë edhe arsimi ynë do të njohin modernitetin e tij. Arsim
modern nuk mund të ketë kurrë me mohsa, por vetëm me strehsa.
Pra, hapi i parë emergjent është ulja në pozicionin e
ministrit të arsimit të një njeriu me vlera intelektuale, akademike,
kulturore etj. Pas ardhjes së të supozuarit
në
këtë post, të tjerat vijnë pas tij. Por, bashkë me të duhet të
krijohet edhe profili i një institucioni të paprekshëm nga debati
politik dhe interesat e tij të ditës. E fundit fare, për ta kuptuar
edhe se si mund dhe duhet të jetë arsimi shqiptar, më lejoni t'ju them
se: me
teneqexhi dhe teseruka partish, largmendsh nuk mund të ketë zhvillim
arsimi në Shqipëri. Ai mund të zhvillohet vetëm kur në krye të tij të
renditen vlerat reale të shoqërisë sonë.
Cilat
janë nevojat e studentëve të Universitetit të Shkodrës për vitin
2012?
Ashtu
si bashkëkombësit e tjerë, kolegë të tyre, edhe studentët e
Universitetit të Shkodrës kërkojnë po të njëjtat gjëra në thelbin
e tyre: infrastrukturë moderne me hapësira të nevojshme për zhvillimin
e procesit mësimor; rritje të kapaciteteve prodhuese dhe mësimdhënëse;
respektim të orareve të procesit mësimor, sekretarive mësimore dhe në
tërësi respektim të orarit të punës nga pedagogët, shefat e
departamenteve, dekanët (ka prej atyre që me vështirësi gjejnë edhe
zyrën e tyre) etj. Këto janë kërkesat dhe nevojat e studentëve tanë,
për të cilat ka nevojë jeta akademike, por nga të cilat nuk presim përmirësim
në masën 100% të tyre, por së paku të njohin hapat e përmirësimit
ndaj këtyre kërkesave të studentëve.
Diçka
mbi veprimtarinë e Këshillit Studentor.
Nga
aktivitetet sociale vlen të përmenden disa prej tyre, si: kontributi në
Shtëpinë e Fëmijës Shkodër 6-14 vjeç, dhurimi i gjakut për nevojat
ekzistenciale të talasemikëve, ndihma për pleq e plaka në nevojë
humane, ndihma financiare dhe materiale për banorët e zonave të prekura
nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës, pastrimi i plazhit të Velipojës
turistike dhe mahnitëse për nga vlerat e dhuntitë natyrore, pastrimi i
mbeturinave përgjatë Liqenit të Shkodrës apo edhe në lagjen
periferike ''Iliria'' të qytetit tonë etj.
Nga
aktivitetet tërësisht dhe thellësisht akademike e me nivel të lartë përfaqësimi
qytetar-intelektual vlen të theksohen organizimet tona në Bibliotekën
Universitare Shkencore, në sallat moderne të konferencave në Grand
Hotel Europa dhe Colosseo Hotel apo edhe në Hotel Tirana apo Sheraton. Ndërsa
nga bashkëpunimet dhe lidhjet në partneritet reciprok veçojmë mes tyre
ato me IOM, GTZ, OSBE, QSHDNJ, EUIC Shkodër etj. Nëpërmes bashkëpunimeve
të ndërsjellta apo vetëfinancimit të aktiviteteve akademike, ne kemi
arritur të krijojmë një profil qartësisht grup studentësh europian, që
kërkojnë për vete dhe jetën e tyre akademike kushte më të pranueshme
në transmetimin e dijeve, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe
shembuj të meritokracisë së vjeljes së rezultatave, shumëherë të
munguara përreth nesh.
Cilat
organizime ju kanë sjallur më tepër kënaqësi?
Për
nga emocionet përcjellëse e fryma humane: ndihma që dhamë dhe dita që
kaluam me femijët jetimë të qytetit të Shkodrës mbetet më e
realizuara, më e bukura dhe e veçanta.
Për
nga vlerat akademike, ''Plagët tona'' dhe ''Sfida dhe horizonte në
praktikën e këshillimit'' mbesin simpoziumet më përfaqësuese nga
niveli intelektual përfshirës dhe shtjellues. Në këtë përmendje të
shkurtër të klimaksitetit të aktiviteteve tona, nuk mundet kurrsesi që
të mos vëmë në dukje edhe bashkëpunimet e frytshme të herëpashershme
me Qendren e Informimit të BE-së në Shkodër.
Ju
faleminderit për intervistën.
Ju
falem nderit juve.
Intervistoi:
Ermira BABAMUSTA
|