Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 
 

 

 

Histori Përvjetor

   

 LUFTËTARI QË PËRTËRIU HISTORINË E GALICËS
 
Shkruan:
Bedri TAHIRI

Bedriu

 

 

E dua aq shumë popullin tim saqë mund të jem nacionalist.

(Kamy)

    Drenica, që nga antikiteti, kur njihej me emrin Klopatnik, qe vatër e rezistencës dhe e luftërave çlirimtare. Këtu, për asnjë çast,  nuk u shua Flakadani i lirisë, i cili ndriçoi edhe mbarë shqiptarinë. Dhe, strumbullar i gjithë kësaj madhështie qëndron Galica. E djeshmja dhe e sotmja. Që nga luftërat antiturke e deri tek lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimat dhe veprimtarët e Galicës zunë vende nderi në Altarin e Pavdekësisë. Padyshim, aty do ta këtë vendin dhe do të prehet i qetë edhe Ismail Fetah Haziri (1953- 2007).

ISMAJL HAZIRI

Në nderim të komandant Adem Jasharit


 

    Fëmijëria

    Ismail Haziri u lind më 24 mars 1953 në Galicën e Drenicës heroike. Ishte djali i parë i babë Fetahut e nënë Sofijes. Rridhte nga një familje e një truall që denbabaden e pati zanat pushkën çlirimtare. Galica e tij kishte bërë emër në histori. Azem Galica nderoi historinë tonë dhe i dha vulë përpjekjeve tona për çlirim dhe bashkim kombëtar.

    Për të qenë, edhe trungu i tij familjar e kishte traditë trimërinë. I gjyshi, Haziri, ishte vrarë në betejën e Arbërisë së Vogël të Azem Bejtë Galicës, më 15 korrik 1924, As i ati, Fetahu, nuk qe burrë që mund t’ia hante qeni shkopin. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore u dallua nëpër luftëra e beteja të ndryshme. Që kur bandat çetnike u vërsulën mbi trojet shqiptare, gjegjësisht mbi shqiptarёt dhe myslimanët e shkretë të Pazarit të Ri, Sanxhakut e Rozhajes, Fetah Haziri u gjend në ato anë, për t’u dalë në ndihmë. Ishte i mobilizuar në radhët e forcave të ruajtjes së kufirit dhe të rendit për disa vjet rresht. Edhe pas përfundimit të luftës, pas rënies së Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës, ai ngeli në male më së gjashtë muaj ditë. Kur u bë amnistia e përgjithshme, lajmërohet në Skënderaj, por u mashtrua keq. Të pabesët e arrestojnë dhe plot tri vjet e gjysmë i vuan në burgun famëkeq të Nishit...

      As më vonë nuk pa ditë të bardhë dhe gjithmonë ishte halë në sy për pushtetin e kohës zezonë...

Në këtë frymë atdhetarie u formua edhe djaloshi i ri, i cili më vonë, edhe vetë  do të ecën asaj  rruge të lavdishme.

Ismaili, që nga bankat shkollore, u përballë me “kujdesin” e shtuar të organeve shtetërore antipopullore. Kështu dora e zgjatur e tyre arriti edhe në Cele të Sllovenisë, ku ai kishte vajtur për të mbaruar shërbimin në ushtrinë jugosllave. Pasi ishte rreshtuar në Policinë Ushtarake, me sugjerimet që u erdhën nga pushtetarët vendorë, ai kthehet në ushtar të thjeshtë dhe përherë do të mbahet nën mbikëqyrjen më të rreptë hetimore. Ama, as ai kurrë nuk do t’u shkojë për qejfi e nuk do gjunjëzohet. Përkundrazi, më shumë do të qëndrojë nëpër burgje se sa në kazermë.

    Në grupet ilegale

    Gjatë viteve 1991/92, në Kosovë, krahas aktiviteteve të tjera, u formuan edhe celulat e para të grupeve ilegale atdhetare, me qëllim të përshpejtimit të çlirimit të trojeve të robëruara shqiptare, gjegjësisht të Bashkimit Kombëtar. Dhe, që nga fillimi, aty u gjend edhe djaloshi galicas, Ismail Haziri.

    “Ishim në Mitrovicë me qerre kuajsh, kur baci (Ismaili- vërejtja e autorit të shkrimit) me shokë më ngarkuan disa gjëra të mbuluara dhe më porositën t’i dërgoja deri në Lubovec, në shtëpinë e Enver Halitit. Unë veprova siç më thanë dhe tek më vonë kuptova se sa e rëndësishme kishte qenë ajo punë,- rrëfen sot i vëllai, Muharremi.

    Se ai, që herët ishte lidhur me ilegalen dhe me grupet militante, dëshmon arrestimi dhe burgosja e tij më 1995 dhe më 1997, ngjarje që i kam parë me sytë e mi nga afër dhe të cilat, siç u vërtetua më vonë në gjyq kishin të bënin pikërisht me veprimtarinë e tij atdhetare.

    Ditën që komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, dhe kushtrimin: Liri a vdekje!, edhe djemtë galicas dhanë betimin para varrit të Azem Galicës dhe formuan bërthamën e tyre luftarake, e cila do të tregohet e suksesshme gjatë gjithë luftës sonë çlirimtare. Edhe pse paksa i moshuar, kur u paraqit nevoja për armatim, Ismaili u lajmërua vullnetar dhe i priu grupit të galicasve drejt Alpeve Shqiptare. Kështu, më 1 korik 1998, Ismail Haziri, Adem R. Ademi, Emin Sahiti, Bekim Sahiti, Brahim Haziri, Fidaim Ademi dhe Zenel Shabani ia mësynë kufirit të mallkuar shqiptaro-shqiptar. Atje, në Tropojën heroike të Bajram Currit qëndruan plot dy javë dhe, pasi u stërvitën dhe u armatosën mirë e mirë, u nisën këndej.

    Dhe, në të kthyer, më 17 korrik 1998, tek Rrasa e Zogut, në Grykë të Padeshit, kolona e gjatë prej luftëtarësh vullnetarë ra në pritat serbe. Edhe këtu Ismaili, i fundit u nda nga dëshmori i Galicës, nga Adem Ramadan Ademi, i cili me gjakun e vet të pastër shkriu gurët e kufirit ndarës dhe u bë simbol i Bashkimit tonë Kombëtar. Siç kanë shpjeguar më vonë luftëtarët e Junikut, ky luftëtar i njohur me nofkën PLAKU kishte treguar heroizëm të vërtetë gjatë atij depërtimi kufitar, duke bërë kërdi me mitralozin e tij mbi barbarët serbë.

    Nga beteja në betejë

Edhe më vonë, si zëvendës komandant Togu, në Batalionin III të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Ismail Haziri u tregua i suksesshëm nëpër beteja të ndryshme, deri në çlirimin e vendit. Këtë e dëshmojnë sot bashkëluftëtarët e tij.    Galica, e gjendur midis dy zonave të rëndësishme e shumë të nxehta luftarake, Zonës Operative të Drenicës dhe Zonës Operative të Shalës, u përballë me ofensiva të shumta serbe, andaj edhe përjetoi edhe beteja të panumërta. Ne do të ndalemi vetëm tek disa prej tyre...

    Pushkët e luftëtarëve galicas së pari u provuan në dy aksione të suksesshme: në betejën tek Mariçanët e Klinës, kur u vajtën në ndihmë luftëtarëve të Prekazit të Epërm dhe në Vojtesh, duke u ndihmuar luftëtarëve të Lubovecit.

    Ofensiava e 22, 23 dhe 24 shtatorit të vitit 1998, e njohur me emrin e koduar ushtarak “Operacioni QYQAVICA”, e cila konsiderohet si më të vështirat për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, qe kobtare edhe për Galicën,  edhe për luftëtarët e saj. Ato ditë, në maje të Qyqavicës plakë, tek “Pusat e thive”, barbaria serbe shfreu dufin mbi stërnipat e Azem Galicës. Ditën e premte, të 25 shtatorit 1998, i përcollëm për në atë botë: Shashivar Ademin, Fatmir Ademin, Gani Ademin, Burim Ademin, Bajram Sahitin, Agim Ademin, Hetem Halilin, Bujar Halilin, Bekim Halilin, Nazmi Halilin, Nexhat Halilin, Hajredin Lahun...

    Edhe më vonë, kur soldateska serbe mendoi se e hoqi qafësh forcën tonë çlirimtare, luftëtarët e Galicës, si gjithë të tjerët, anë e kënd trojeve shqiptare, dolën më të fortë e më të organizuar. Gjatë ofensivës tjetër serbe të fillimvitit 1999, e cila nisi në Artakoll, me synim për të depërtuar në Drenicë, trimat tanë zunë pozicionet që nga shtëpia e Ilaz Kollës e deri në Vojtesh. Dhe, për çdo ditë luftime, kacafytje e beteja. Dhe, kurdoherë në ballë të tyre edhe Ismajl Haziri. Ata, për ditë të tëra u qëndruan sulmeve me tanke e topa të ushtrisë dhe paramilitarëve serbo- çetnikë. Edhe kur ata depërtuan në Galicë dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, edhe Pllakën e Azem Galicës e bënë copë e grimë, luftëtarët tanë nuk i lanë të qetë. Tashmë, ata, bashkë me trimat e Ashlanit, udhëhequr nga sypatremburi Bekim Shyti, mbronin Sukën e Galicës dhe për çdo ditë ndërronin plumbat me gjakatarët. Mjafton të përmendet dita e 8 majit 1999, kur një grup prej njëzet e një paramilitarësh serbë morën guxim dhe nga Balinci mësynë drejt istikameve tona. Dhe, kur arrijnë  në Qafëmalin midis Lugut të Behramit dhe Sordovit, breshëria e grykëhollave çlirimtare të galicasve ua ndalin hovin. Dy prej tyre, njëri ishte rus, ngelën në vend e të tjerët, të plagosur e të shastisur, i shpëtoi tanku zingjiror...

Duke qenë edhe vetë në mesin e luftëtarëve, çdo veprim të tyre luftarak e kam spikatur në ditarin që e mbajta besnikërisht gjatë luftës e që e botova fill pas çlirimit me titull “Agu i lirisë”, andaj kësaj here nuk po e ngarkoj më tepër këtë shkrim.

    Ndarje e dhimbshme

Kontributi i tij vazhdoi edhe në paqe, në sendërtimin e fryteve të luftës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Mirëpo, shtatin e tij që nuk e zuri dot plumbi i dushmanit e përkuli sëmundja tinëzare. Dhe, më  20 nëntor 2007, në moshën pesëdhjetë e katër vjeçare, na e la shëndenë. E kemi mjaft të vështirë të pajtohemi me realitetin e hidhur, me ndarjen fizike prej tij, në çastin më vendimtar të historisë sonë, në momentin kur ëndrra e tij dhe e luftëtarëve të lirisë po kurorëzohet me pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht me Bashkimin Kombëtar. Kështu u tha në varrimin e tij në Galicë, ku morën pjesë qindra bashkëfshatarë, bashkëluftëtarë, miq e familjarë, në mesin e të cilëve e shumë kolegë të tij, ushtarë e oficerë të TMK-së.

Megjithatë, luftëtarët e lirisë nuk vdesin kurrë. Vepra e tyre rron për jetë të jetëve. Ajo është udhërrëfyese për brezat e ardhmërisë. I tillë ishte edhe Ismajli ynë.

F:\Galica\IMG_9664.JPG

                       Lapidari i Ismail Hazirit në Galicë


 

Lavdi Ismajl Hazirit dhe të gjithë dëshmorëve e luftëtarëve të lirës, të cilët, me luftën dhe gjakun e tyre, sollën Ditën e Bardhë, sollën LIRINË!


 

Shënim:

         Duke u bazuar në nenin 13 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Nr. 03/L-040 dhe nenin 67”g” të Statutit të Komunës dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sistemimin e Adresave të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-071, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku, me vendimin Nr. 322/ 13, të datës 11. 03. 2013, formoi Komisionin për propozim të emërtimit të rrugëve dhe shesheve të Komunës së Vushtrrisë, me kryetar, kryesuesin e Kuvendit, z. Habib Mustafa. Dhe, omisioni, krahas emrave të tjerë, në mbledhjene e fundit, më 10. 07. 2013, pasi mori edhe pëlqimin e Kuvendit Komunal, vendosi që rruga nr. 116 në Vushtrri të emërohet “ISMAIL GALICA”.


Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat

citate
intervista
letra hapura
botime reja

 

 
 
 

 
 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .