Gjatë
gjithë ekzistencës populli ka ngritur
malet e pasurive të veta shpirtërore.
Këngët janë si katet e pyjeve që i
veshin këto male. Secili kat ka dëndësinë
e tij të këngëve. Shikoni majën çame
të rrahur nga erërat e mëdha të
kohrave. (Shqipëria është e mbushur
me maja të tilla). Atje ka drurë që u
kanë rezistuar shakullimave, këngët e
moçme për bëmat e Pirros dhe Skënderbeut
, legjendat dhe baladat e fuqishme që
zenë vend nderi në fondin e artë të
poezisë sonë popullore. Dëndësia në
këtë lartësi nuk është e madhe
sepse përjetësia kërkon hapsirë.
Pyjet e dendura fillojnë poshtë majës.
Ahishtat, pishnajat përzihen me
mjegullat. Këto nuk janë mjegulla po
tymi i luftrave epike dhe historike. Në
këto pyje baresin heronjtë kombëtarë
dhe krahinorë. Pastaj vijnë
pyjet e dëndura të mbushura me
firarët e maleve, me pyjet e brengave
dhe të nizamëve. Një tis i hollë i
argjentë i mbulon këngët e dashurisë
dhe të dasmave. Ato janë në një
pllajë tërë diell ku ka kroje dhe lëndina.
Po ndodh
që edhe lulet e këtyre lëndinave
t’i spërkatë gjaku. Më poshtë, në
ultësirat e ditëve tona kanë mbirë këngët
e një malli të çuditshëm për varret
e të parëve, për shtëpitë gërmadha,
të shoqëruara të gjitha me ofshama që
drithërojnë atmosferën e sa e sa
festivaleve. Një pyllnajë që rritet përditë.
Pyjet dhe këngët kanë jetën
e vet. Siç ka drurë qindravjeçarë
ka edhe këngë qindravjeçare. Siç ka
pyje që degradohen dhe në vend të
tyre mbijnë të rinj, ka edhe këngë që
vdesin dhe vendin e tyre e zënë të
ra. Eqerem Çabej thotë: “Poezia
popullore është një organizëm i
gjallë ... Ajo bën jetën e saj
organike, shkon pas frymës së kohës
dhe ndërron bashkë me të. “Më
poshtë: ” Këngë të moçme zhduken,
të vjetra krijohen, shpesh herë këto
përzihen dhe shkrihen me njera tjetrën“.
( E.Çabej “Për gjenezën e literaturës
shqipe”)
Kushdo që dëshiron të udhëtojë
nëpër hapësirat e pamata të
folklorit të Çamërisë, duhet të
marrë për udhërrëfyes Fatos Mero
Rrapajn dhe duhet të ketë me vete biblën
e tij voluminoze: “Këngë popullore
nga Çamëria” Garant për këtë bëhet
Ismail Kadare, që e ka shoqëruar këtë
bibël me një përcjellje, ku e quan:
“Një enciklopedi poetike, të plotë
e të gjerë”.
Interesimi i menjëhershëm që
ngjalli në opinion dhe hutimi i
Institutit të Folklorit, i kushtohet si
lëndës së re, gati të panjohur,
ashtu dhe vlerave të mëdha artistike që
mbart kjo trashëgimi e paçmuar
popullore. Mendja të shkon menjëherë
tek “Bleta shqiptare” e Thimi
Mitkos, babait të folkloristikës sonë,
që gjeti tek Fatosi një nga pasuesit më
të zellshëm të këtyre
dekadave të fundit. Do të duhej
shumë vend për të folur për
peripecitë mbi 40 vjeçare të këtij
mbledhësi të apasionuar, për endjet
plot durim, vullnet e këmbëngulje në
të
gjitha trevat ku janë shpërndarë
sot mbartësit çamë
të shpërngulur nga dherat e
tyre. Kjo e bën edhe më domethënëse
misionin e tij të madh për të shpëtuar
këto vlera nga rreziku i humbjes shkallë
shkallë në kushtet e një shpërndarjeje
të tillë heterogjene. Gjithashtu,
gjithshka që jeton e konservuar në
kujtesën e të moshuarve bën një
firasje të pallogaritshme
gjatë kalimit në brezin tjetër.
Momenti që gjeti folkloristi ynë i
zellshëm për këtë qe vendimtar.
Përmbledhja, është vetëm një
pjesë e arkivit të hartuesit të saj.
Hojet e këtij arkivi janë të mbushura
me qindra mijëra vargje, faqe proze e
materiale gjuhësore, historike e
etnografike, të qëmtuar me kujdesin
prej shkencëtari në të gjithë
territorin e Shqipërisë. Nga pasuria
autentike, nga larmia e shumëanshme
tematike e gjinore, libri në fjalë është
deri më sot thesari më i plotë i
artit oral çam.Të mos harrojmë se
edhe Mitkoja, edhe Spiro Dineja, me ndërgjegje
ose pa ndërgjegje kanë futur në
materialet e mbledhura prej tyre këngë
popullore çame. Edhe ato nuk janë pak,
po me dhjetra.
Si
hyri kënga çame në “Bletën
shqiptare” dhe në “Valët e
detit“? Shumë thjeshtë. Në parathënien
e librit të tij Spiro Dineja thotë:
“...atë kohë, ndodheshin edhe shumë
shqipëtarë në Egjypt, ngado të
shkoje do të piqje shqipëtarë.
Karakollët e Kajros qenë plotë gegë
e toskë. Këngët e vallet nuk
reshtnin... prandaj gjeta kohë të
mbledh nga të dy anët (dialektet)”.
Çamët nuk mungonin kursesi këtu, qoftë
si nizamë, qoftë si kurtbellinj. Ky
fenomen në folkloristikën
tonë mendojmë se ka një rëndësi
të posaçme studimore për motërzimet
ndërkrahinore. Mbartësit e këtyre
krahinave jetonin vite të tëra sëbashku
në shërbimin ushtarak osman. Shpirti
shqiptar, muza shqiptare, aty, në
vetminë e shkretëtirave, duket se
vinte në provë përjetësinë dhe madhështinë
e vet. Këngët e krahinave
të ndryshme ushqenin njera tjetrën,
merrnin dhe jepnin. E kundërta ndodhte
me këngët e reja që krijoheshin aty,
ato të brengave, të nizamllëkut,
kurbetit, etj. Me kthimin në atdhe ato
fillonin një jetë të veçuar
krahinore, gjersa shndërroheshin në
motërzime të motiveve bazë. Këto motërzime
janë si barometra që matin presionet e
lëvizjeve të gjera shoqërore, halleve
dhe brengave që përfshinin krahina të
tëra. Në rastin konkret motërzimet çame,
flasin për atë se sa të lidhura kanë
qenë këto treva me fatet e kombit në
të gjitha etapat e historisë sonë.
Tani
le të hipim përsëri në majën e këtij
mali imagjinar të populluar me pyjet e
këngëve çame, tek këngët dhe
legjendat për Pirron dhe Skënderbeun.
Sa të vjetra janë? Vargjet e bardha
dhjetërrokëshe të hedhin larg dhe kjo
të ngazëllen. Mendo se këto janë
ngritur mbi trungjet e lashta, kur kjo
metrikë praktikohej në eposet. Elementët
bizantinë janë të dukshme. Po ashtu
edhe ato zakonore vendase që mbijetojnë
edhe sot.
Fjala e vjetër “ipè” për
shiponjë haset dëndur tek këto këngë.
Epirin (nga epeiros- gr.vjetër) çamët
e quajnë tek këto këngë Iperi dhe
veten iperotë. (Vetëm më vonë fillon
të vihet në përdorim fjala çamërjot).
Ç’lidhje mund të ketë për këngëtarin
e dikurshëm rrënja “ipè” (shqipe)
me Iperì (Shqipëri)?
Të jetë vetëm rastësi apo një
kalk analog i periudhave kur nis formimi
i kombit, duke i ndërruar kuptimin
termit antik të imponuar nga jashtë?
Epiteti ”Burri” që i bashkëngjitet
emrit të Pirros, sipas dëshmive, dikur
zëvendësonte në Çamëri e gjetkë
vet emrin e tij. Thuhej Burri dhe nënkuptohej
Pirroja. A nuk është një fakt ky se
kujtimi i tij ka mbijetuar në kujtesën
e popullit? Po kujtesa më e mirë është
kënga dhe legjenda. Sigurisht, kur
ndodh që figura e tij merr ngjyrim të
theksuar historik, kënga ka huajtur nga
historiografia. Kjo është në dëm të
vjetërsisë sepse është një shtresëzim
i mëvonshëm. Gjithashtu edhe gjuha është
e mbartësve të mëvonshëm të saj, një
fatkeqësi kjo e kushtëzuar nga koha
kur janë mbledhur. Një gjë është e
sigurt, që këto legjenda nuk janë
më pak të vjetra se ato të Urës
së Nartës dhe të Dhoqinës, me të
cilat kanë ngjashmëri stilistikore apo
metrike. Tek kënga “Krujë trime
n’atë vetull mali” flitet edhe për
jehonën e fitoreve të Skënderbeut në
Iperì:
Iperiotët
valle kanë hjedhur
dhe
çdo natë zjarre kanë dhezur
Tek
Barleti do të gjesh të përshkruar gëzimin
popullor pas fitoreve, që shndërrohej
në një festë të vërtetë. Ai merret shpesh me këtë fakt në veprën e
tij të njohur për Skënderbeun. Kënga
në fjalë dëshmon vërtetësinë e
Barletit dhe, për analogji, hershmërinë
e vet.
Mbi tërë hapsirën e motiveve të
këtij libri ngrihen lart dy ndjenja dhe
veti sublime të shqiptarit:
atdhedashuria dhe shpirti liridashës.
Shpesh të dyja këto ndjenja nënkutojnë
njera tjetrën dhe shndërrohen në një
lejmotiv :
U
shkrinë për liri,
për
flamurin kuq e zi
Pasqyrimi në këngë i luftrave
dhe i luftëtarëve të panumërt të kësaj
treve është bërë në kompleksitet me
kontraditat, planet, diplomacinë dinake
dhe intrigat e diplomacive, pa lënë mënjanë
as qëllimet dhe pikësynimet e hapura
apo të fshehta politike dhe ekonomike të
tyre.
Që
në Prevez’ e Janinë,
shqiptarët
luftë po bijnë,
Kordha
jonë vringëllet,
me
të dia anët pret,
s’pjesim
krale e sulltanë,
se
kemi hall për vatanë,
edhe
pa buk’do të rrojmë,
me
të shtatë do lëftojmë,
vendin
tonë s’e lëshojmë.
Tema për mbrojtjen e trojeve nga
intervencioni i huaj është shumë e përhapur
në këngën çame. Më 1807 trupa të
Napoleon Bonapartit pushtojnë Prevezën.
Kapedani Hasan Çapari me pesëqind
vullnetarë u sul për çlirimin e
qytetit:
Napolonit
s’ju përule,
galëtë(francezët)
të gjallë i zure.
Një
shekull më vonë, më 1911, po në
bregdetin çam, përpiqet të zbarkojë
edhe Entelia (Italia), po çamët, edhe
pse pa “topa e xhepane“ qëndrojnë
si trima dhe s’lejojnë kënd t’i bëjë
“Urë” dhe “raje”. Duke thënë
“Urë” këngëtari popullor kishte
parasysh rëndësinë e pozitës së
trojeve të veta për brendësinë e
gadishullit ballkanik. Shqiptari
gjithmonë mbrojtjen e tij e ka vënë
edhe në funksion të mbrojtjes së
popujve fqinj. Tek kënga në fjalë,
rapsodi, duke parë pamundësinë për të
ndjekur armikun në det, i drejtohet me
sfidën e tij:
Del
steresë moj dhe ti,
ta
shohç shqipon si për si
Në shumë këngë bëhet fjalë
për mbrojtjen nga luftëtarët çamë të
Volës, Petrovicës, Njihuarit,
Filipjadhës, përleshjen trup me trup në
Gribovë, për qëndresën heroike
shqiptare në Bezhan të Janinës, Mali
i Bezhanit indetifikohet me vet mbrojtësit:
O
Bezhan, i zi Bezhan,
gjashtë
muaj n’istikam,
i
pakart i pa duhan,
buk’
edhe fai s’të dhanë,
po
lufton në këmbë e mban.
Një mal që për muaj me radhë
nuk
ka kartë për të dredhur
një cigare!
Dhe fakti që s’ka duhan duket
më i rëndë se fakti që nuk ka bukë,
(zë vendin e dytë në radhitje ) sepse
dhimbja shpirtërore për fatin e
atdheut e kapërxen
çdo dhimbje tjetër. Mali këmbëngul
të rrezistojë ashtu siç rrezistojnë
malet. Një epos i vërtetë qëndrese
ky!
Vargu i heronjëve popullorë është
i gjatë. Marko Boçari, Ali Farmaqi,
Bubulina, Zejnel Hasa, Maksut Veliu,
Tahir Meta, Sabri Preveza, Spiro Çakëlla,
Alush Taka, Muharrem Rushiti, të
ndjekur këta nga firarët e maleve apo
kaçakët si Lul Manka, Met Shoti, Zeqo
Kipa, Mehmet Hyseni, Lul Çapari, pa përmendur
bilbilenjtë labë apo Shemo
Gjirokastritin
për të cilët muza çame s’u
kursye edhe për faktin se trualli i saj
ishte shpesh teatri i veprimeve të
tyre. E marrë në rendin kronologjik, kënga
çame derdh një galeri të tërë
personazhes që nga Ali Pashë Tepelena
e këtej. Vet Aliu portretizohet edhe me
ngjyrimin legjendar edhe historik, pa
fshehur të vërtetën mbi figurën
komplekse të tij. Tek “Hanko kur bëre
Alinë” ngjyrimi është legjendar:
Vallë
ti, moj, i dhe sisë,
që
të dolli yll me dritë?
Apo
mos ta kanë rritë
tij
ato zërat e malit
edhe
ujët e spitharit?
Në këngën tjetër “Medet për
Vezir Alinë” sundon qortimi i hidhur
i vënë në gojën e Marko Boçarit:
Medet
për Vezir Alinë
që
s’dëgjoi Boçarinë
të
mblidhej me Bushatllinë
për
të bërë Shqipërinë.
Marko
Boçari i tha:
-Dëgjomë,
Ali pasha,
po
s’u bëmë me ata,
Shqipëri
për ne nuk ka,
do
grihemi lakëra ,
do
këndojë quqeja”.
Ky është ndoshta një nga
motivet më të hershëm, që bën fjalë
për domosdoshmërinë e uniteit kombëtar,
për të cilën s’mund ta ndërmernin
vezirët dhe baballarët po puna e madhe
e rilindësve tanë. Ky unitet shtrohet
me forcë sidomos në këngët e periudhës
së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,
periudhë në të cilën Çamëria njohu
shumë veprimtarë. Ata e zgjidhën
drejt çështjen e bashkimit të kombit
dhe njësisë së territoreve që
viheshin në rrezik. Në dobi të këtij
bashkimi ose më mirë nën presionin
direkt të këtij ideali ishte lufta për
prishjen e hasmërive dhe pajtimin e
gjaqeve që ndërmerrnin atdhetarë si
Ibrahim Parga, nën parrullën “Çdo
hasm ta bëjmë vëlla”, apo Lul
Repani që ka parasysh ndarjet fetare
“S’e vret vëllai vëllanë,/ gjithë
jemi shqiptarë”.
Në këngët që i bëjnë jehonë
luftës së përbashkët të shqiptarëve
dhe grekëve kundër të njëjtit armik
ndjehet respekti i veçantë për
popullin fqi. Vet Marko Boçari, i
brumosur si luftëtar pranë Aliut u bë
një nga heronjtë më legjendarë të
revolucionit grek, një nga
internacionalistët më të mëdhenj që
e konsideronte luftën e popullit fqi si
luftën e popullit të vet:
Ngreu,
o Marko trimëria,
të
dërgon kartë Greqia
-
Eja, o Marko Shqipëria,
se
na zu frymën Turqia.
Katër vargje sa për një
monument. Historia shkroi faqe të
lavdishme për këtë “Çamërjot”,
figura e tij frymëzoi shumë shkrimtarë
e piktorë gjenialë të shekullit të
kaluar në Europë. Tufa e këngëve çame
për të janë lulet e vendlindjes së
tij, të identitetit të tij, ato që
s’vyshken kurrë në panteonin e
popujve. Dhe Markoja nuk është i vetëm,
por njëri
nga ajo plejadë heronjsh si
Xhavella, Bubulina, etj. Një nga
shembujt më domethënës të një qëndrimi
të gjerë dhe gati deri në një
konceptim ideal të fqinjësisë është
kënga “Ballkize, moj kapedane”.
Ballkizja dhe motra tjetër Gjulia janë
bija të patriotit Musa Demi. Të dyja
partizane. Ballkizja në repartet e
Elasit grek dhe Gjylja në një nga
brigadat tona partizane. Dy motra në dy
ushtri kundër të njëjtit armik.
Lidhjen e Ballkizes me partizanët grekë
rapsodi e ngre si një vëllazërim
popujsh:
Bashkë
me fqinjët tanë,
lidhur
si vëllau me vllanë,
grekër
dhe shqiptarë,
për
të lëftuar dushmanë.
Rapsodi është i ndërgjegjshëm
dhe i zhveshur nga çdo
paragjykim kur bën konkluzionin e aktit
të saj:
E
dhe jetën për lirinë,
për
miqësinë me fqinjë,
zbukurove
historinë.
Në këngët për shpërnguljen
me forcë të çamërve nga trojet e
tyre në asnjë rast nuk ngatërrohet
populli grek me masakrat e gjeneralit
fashist Napoleon Zerva. Do thënë që
ky është kapitulli më i dhimbshëm në
poemën popullore çame. Ai zë fill më
herët, qëkurse bëheshin përpjekje
dhe shpërnguleshin për në Turqi po me
forcë masa të tëra nën pretekstin se
ishin turq. Ngatërrimi i fesë me
kombin në kurriz të fatit të popullit
tonë
është i njohur. Në një këngë
thuhet:
Çish
të ikim nga shtëpia?
Çish
t’i lëm gjushrit në varre,
me
kurmet pa tretur fare?
Çdo koment do ta varfëronte
efektin tronditës të këtyre vargjeve.
Tani mendoni një anije të mbushur me
familje çame që lundron përmes Egjeut
drejt Turqisë së panjohur, e largët për
ta. Sipër tyre fluturojnë zogj, që kënga
mund t’i pyesë sipas traditës për
atdheun që ngeli pas. Mirëpo kraharori
i zogjve është tepër i brishtë për
të mbajtur peshën e madhe të dhimbjes
dhe mallit të tyre. Anieja e zgjat
distancën nga atdheu, kur ja, zënë e
duken avionët në qiell. Këta po,
vendos t’i pyesë muza e plagosur:
Uluni,
o ju ballona
t’u
pjesë për shtëpitë tona
dhe
përgjigja :
Na
habere nuku kemi,
se
ka ato vende s’jemi
Shpresë e kotë. Asnjë nuk i qëllonte të ulej në atdheun
e tyre të mjeruar. Ja një motërzim
tjetër:
Shkon
ballona në heva,
pijet
motra për vëlla.
-Ne
kah ato vende s’jemi,
ka
vëllai yt habere s’kemi.
Zdrigju
ti ballon mbërdhe,
-
Do zdrigjem në Pllatare,
të
pi një filxhan kahave.
Tabloja tjetër, po aq e
dhimbshme, e ndjekjes drejt kufirit
shtetëror shqiptar me djepet në krahë
dhe me tymin e ullinjve të tyre të
djegur në mushkri, është regjistruar
me të gjitha pejzat e muzës popullore:
Çamët
duke ikur
e
duke luftuar
ngarkuar
me plaçka
dhe
foshnjat në duar,
hedhin
sitë prapa:
shtëpitë
përvëluar,
ka
gjulet e topit
ullinjtë
të copëtuar.
Çamëri
e shkretë
shumë
u përvëlove
çdo
pëllëmbë tokë,
me
gjak e mbëlove.
Në shumë këngë, rapsodi çam,
si të ishte ndonjë studiues sociolog,
burimin e fatkeqësisë e gjen tek
fashizmi, që është stimuluesi më i
egër i nacionalizmit:
Si
kulshedrat në Greqi
u
vendos fashizmi i zi.
Këto kulçedra ju sulën në
radhë të parë Çamërisë, popullsisë
së saj fatkeqe:
E
pa dinjaja me si,
ç’bë
Zerva në Çamëri.
mbilli
njerzit në shtëpi,
i
therri si bagëti.
Dhe
grave
që ishin me barrë,
me
thikë në bark u ranë,
ua
nxorrën jenët gjallë,
dhe
ata me thikë i vranë
Mirëpo poetin popullor nuk e lë
të qetë ndërgjegja për gjithshka
ndodhi në të kaluarën. Ai bën
bilancin e historisë së tij dhe për këtë
do të jetë sa më objektiv, të jetë
“shahist” tek e vërteta. Ai e nis
gjykimin ng argumenti i kundërt:
Çamëri,
o zëmëra ime,
...a
mos vall pate gabime?
Përgjigja vjen menjëherë, pa
pikë hezitimi:
-As
gabime, as të metë,
dëshmon
historia vet.
Duke bërë një eskursion në
pyjet e këngëve popullore çame të
mbushen mushkritë me ozonin e tyre të
pastër dhe aromën e veçantë. Hapësira
ndjesore e tyre është e pakufishme, e
përmasave universale. Ky libër, që
mbushet me rrëkera gati të padukshme
ritualesh, lodra fëmijësh, nina nana,
këngë argëtimi e dashurie, rite e
valle dasmash, vaje, këngë humoristike
e satirike, për të kaluar
pastaj tek legjendat e baladat, tek këngët
për ngjarje të njohura e të panjohura
historike, për heronj të mëdhenj kombëtarë,
për luftëtarë e martirë, tërë kjo
plotëri tematike e gjinore, shpalos
vizionin e gjerë të Çamërisë në të
gjithë ekzistencën mijravjeçare të
saj. Në këto këngë janë regjistruar
si në një
sizmiograf të ndjeshëm që nga
tërmetet e mëdha, siç janë vithisjet
e perandorive, e gjer tek dridhjet e
jelekëve të vajzave të shkaktuara nga
vështrimet e djemve. Duke ndjerë në
to temperamentin dhe konstitucionin
shpirtëror të popullsisë çame, pozitën
nevralgjike dhe hobetë e kohërave që
u vërvitën parreshtur mbi fatin e saj,
nuk do të duket aspak i habitshëm
gjithë ky vitalitet dhe kjo begati
poetike. Në thelb, tërë struktura e
poezisë çame është e pandashme me
poezinë popullore në përgjithësi,
kurse në vaçanti ajo ka marrëdhënie
e pleksje me këngën labe.
Plasticitetit të prerë e të fuqishëm
lab, që edhe kënga çame e ka në
thelb, ajo i jep fytyrën e vet e tone më
të buta e më lirike, siç është vet
realiteti i Çamërisë. Afërsia
gjeografike, dendësia e komunikimit në
të kaluarën e kanë kushtëzuar këtë
ngjashmëri. rapsodi lab dhe ai çam,
kur kanë kënduar për të njëjtët
heronj dhe për të njëjtat ngjarje,
duket sikur planin botëkuptimor janë
marrë vesh me njeri tjetrin për qëndrimet
dhe vlerësimet që kanë bërë. Kjo
flet për atë ndjeshmëri të lartë
dhe kthjelltësi para çdo situate, sado
e ngatërruar qoftë.
Kënga çame duket se e nxjerr tërë
dufin që ka njeriu brenda. Ajo nuk mban
rezerva për hir të ndonjë etikete apo
kanuni të vjershërimit. I vetmi kanun
për të është që të mos i ndahet të
vërtetës. Ajo shënon vetëm ato hollësi
që i duhen përjetësisë. Sensi i
kursimit në vargje nuk e cënon tërësinë
e ngjarjes dhe të fenomenit që ka marrë
përsipër të na rrëfejë. Dhe rrëfimi
është sa i shtruar
aq dhe energjik, sa i besueshëm,
aq dhe realist. Kalimi nga elementet
realiste në ato legjendare bëhet me një
lehtësi të çuditshme. Lul Çapari është
person historik, që ka jetuar, por njëkohësisht
ai mbështillet shpesh me një mjegull
legjendarizmi. Kjo nuk ia humb vërtetësinë
figurës por plazmon në të gjithë përfytyrimin
që ka populli për jetën e kaçakëve
të mbushur me të papritura:
Lul
Agai ja hipi atit,
çajti
malet e Morfatit,
Lul
Agai ja hipi divit,
çajti
malet e Marglliçit.
ose:
Lul
Agai hipën shkallatë,
xhelati
trohis pallatë.
Në
këto këngë rrëfimi poetik kalon pa u
ndjerë nga tonet epike në ato lirike
dhe anasjelltas:
Foli
një zë kaha malit.
Të
ikij Lul Çapari,
Luli
mori një të rëpjetë,
ju
mbush sharkëza me vesë.
Aftësia për të hedhur tablo përgjithësuese
nuk i ka munguar kurrë folklorit. Kënga
çame, duke anuar nga një sens më
lirik, i ka më për zemër këto tablo
të mbushura me elemente të natyrës
dhe të jetës fshatarake. Natyra
mendojmë se ka gjetur vend në këngët
çame dhe ajo ka shtuar sensibilitetin
dhe e ka bërë më të afërt. Ajo është
një sfond që paralajmëron, është
atmosferë, si tek vargjet e mëposhtme:
Ne
ulliri në sohor,
frin
një erë e bin një borë,
shkon
një trim vetullahollë,
me
martinëzën në dorë
Kjo
dhe shumë të tjera të kujtojnë këngët
popullore arbëreshe dhe është e
kuptueshme se, nga brigjet çame, kanë
ikur masa të tëra arbëreshësh për në
Itali. Forca përgjithësuese e tablosë
nuk mbështetet në elemente të mëdha
në vetvete, përkundrazi, detajet më të
zakonshme, nëpërmjet një shkallëzimi
poetik, arrjnë të japin në më pak se
dhjetë vargje atë që do të duheshin
faqe të tëra. Ja një shembull:
Kur
dola në Mal të Zi,
klaj,
moj, klaj për Çamëri,
pashë
gratë nën ulli,
pashë
nuset pa stoli,
burrat
shkuan eksori ( internim) .
Kafshët
mbenë pa bari,
lehte
qëni në shtëpi,
bukë
nuk i hidh njeri.
E
thënë me një frymë, e vizatuar me një
përpikmëri të habitshme, ajo ka
brenda edhe shkretimin, edhe gjëmën,
edhe dhimbjen gjer në një lloj
shurdhimi të jetës. Por pas gjithë këtyre
vjnë dy vargje:
gratë
me dhën e me dhi,
gratë
venë në mulli
Pra,
nuk ka marrë fund çdo gjë, jeta
vazhdon në sajë të stoicizmit të
gruas.
Lirika çame është e ndezur, me
një imagjinatë dhe forcë abstraguese
të madhe, që të krijon gjendje
emocionale dhe situata shpirtërore të
vërteta. Vajza për rapsodin e kësaj
treve është “Nerënxë”, “ Thëllënxë”,
është “ Thellukë (lundër) e
bukurisë”, “Trëndafil në bokërrimë”.
Ajo nuk ta bën të lehtë fitoren që
do të arrish, ajo është “
xhinde”, është
Ngjala
që llomis në det,
ta
zësh me dorë të shket
Le
pastaj po t’i vardiset ndonjë i
moshuar, si do ta qesëndisë:
more
plaku faqezi,
mor
të zëntë gjarpëri,
u
s’kam mbeturë për ti,
se
jam vajzë farfuri.
Kur
bie vet brënda ndjenjës së bukur të
dashurisë, asaj i “digjet jeleku”
nga “ zjarret e gjirit”. Ajo është
besnike, tërë finesë, ajo duket sikur
ta fshinë shtëpinë me një dorë trëndelinë”,
kaq bukur është të jetosh me të.
Djali vizatohet me temperament, i gatshëm
të bëjë çdo sakrificë për të
vluarën e tij. Ai i dorëzohet tërësisht
ndjenjës. Kaq e fortë është kjo sa që
në ndonjë këngë duket sikur sundon përçatja
e tij, alogjizmi po në të vërtetë është
ndjenja e fuqishme që depërton në
shtresa të tilla të fantazisë, që e
afron atë me ëndrrën:
Këndova
sa u ça shkëmbi,
ndjeu
e bukura e u drodh vendi.
Ndjeu
e bukura përbrenda,
hapi
penxheret e ergjënda.
Fluturova
e hira brënda.
më
vu bukë e djathë e hëngra.
Më
shtroi stromën, rashë e fjeta,
kur
u ngreç ati s’e gjeta.
Dhe më poshtë:
Zura
udhën e stratoit,
poqa
Lejmonin në udhë,
-
O lejmon, a i zi lejmon,
mo
më pe të bukurën?
Këtu
drejt më shkoi prëmë,
ku
ta dija ta kesh zënë.
Kollauz
t’u kesh bënë,
në
dorë ta kesh dhënë.
Vizioni poetik është i befasishëm
të shumë krijime. Kënga “Abedin
Madanë e vranë” nis me një uverturë:
Gjem’i
zi e kali i bardhë,
hingëllit
nëpër pazarë,
kërkon
Abedin Madanë
Kjo tablo, me ankthin e rrufeshëm
që të përpin, nuk të shqitet nga
kujtesa, ashtu si skenat shekspiriane.
Intuita gjeniale e popullit i ka brenda
vetes tërë ligjësitë e artit për të
na dhënë pasazhe të tilla të papërsëritshme.
Ja dy vargje energjike që paralajmërojnë
dramë, me të cilat fillon një këngë
tjetër :
Ditën
që zuri bora,
mora
shallin edhe dolla.
Aftësia
e popullit për ta koncentruar esencën
e motivit në dy a tre vargje, bën që
ato grumbullojnë në vetvete energji të
mëdha poetike ashtu si bërthama e një
atomi. Një motre i vrasin të vëllanë
për hiçgjë dhe ajo ngjesh armët,
merr hakun dhe i drejtohet të vdekurit:
...po
të bij shok me vëllanë,
tok
ta pini duhanë!
Energjia
këtu gjeneron nëpërmjet nëntekstit
si një reaksion zinxhir. Ja dhe dy
vargje të tjera:
Na
dhanë rrobat e ngushta,
jemi
djem na zë angusa.
Këtu
nuk është vetëm shqetësimi për
rrobat e ngushta të nizamëve por për
njëmijë halle që burojnë prej kësaj,
për personalitetin dhe lirinë e
humbur, për rregullat e rënda të jetës
ushtarake osmane. Kjo angusë, kjo zënie
fryme është pastaj për tërë
atdheun, djemtë e të cilit i çonin
“ Në Jemen si qetë”.
Në asnjë këngë nuk mund të
gjesh qoftë edhe një mjet poetik që të
vihet si stoli apo qëllim më vete.
Vjershëtori anonim nuk kërkon t’i
imponohet kujt. Tek kjo përmbledhje nuk
gjen as formulimet e standartizuara të
bukurisë në femrën në përgjithësi
që gjetkë e has. Kur thotë për vajzën
se është vetullnakatosur, këngëtari
vizaton më shumë gjendjen e saj të
trazuar. Epitetet buzëlule, ballëdiell,
ballësulote, armëpishë, e shumë të
tjera, para se të shprehin kategorinë
e së bukurës, shprehin një veti, një
anë të karakterit. Pasuria e leksikut
çam me fjalët e rralla e plot tingëllim
ndihet në të gjitha këngët. Le të
shënojmë këtu disa fjalëformime me
ngjyrim poetik si leshbozhure, dhëmbëqelqe,
lumare, vajrëkimë, dhënëbukëpakëza
(njerka), dhënëbukëshumëza (nëna),
parahënë, rrungalë,
mespurtekergjenda, bythpuloshi (gishti i
vogël, thikënëngunëza (e pabesa)
etj. Apo nuanca kuptimore si buka e
lumit, që nënkupton grykëderdhjen me
llum të tij. Ndoshta më shumë se për
çdo fushë tjetër populli e ka ngritur
furrën e fjalëve të reja për të
ushqyer poezinë e tij.
Nuk
mund të mos përmend këtu disa thërmia
të papërsëritëshme të këtij
folklori, për të dhënë sadopak diçka
nga madhështia e tij:
Ç’u
mplaksh e këmba më mbet,
djalërinë
kush ma jep?
Ta
blej një milë e dyzetë,
dhe
vetëm për një sebep,
për
Mirushen që s’më flet
po
shkon si pampor në det.
***
Këta
ujt’e rrëzave
si
misht e thëllëzave,
këta
ujt’e maleve,
si
djathët e staneve,
gjumë
i ëmbël i Pargës,
portokallja
e Nartës.
***
U
dolla, dielli leu,
dolli
nepërka nga dheu.
Besëqenia
më gënjeu.
Gënje
moj qëne, gënje,
në
të zënça me hile
në
vathë të bletëve...
***
shkon
furtuna ndënë koshtë,
me
qelq farfuri në dorë
e
potis vasilikonë.
Shkon
furtuna dikue klarë,
çish
kërkon? Kërkon beharë,
kërkon
prill, e kërkon majë
djalënë
për veten e saj.
***
Kur
të bën pruf-pruf fustani,
si
në det kur shkon tufani;
kur
të bën pruf-pruf shamia,
si
në det kur shkon gjemia.
***
Sulltani
hordhitë i pruri,
digju
ti, Janinë nuri!
***
Këto
kusuret tona,
s’kanë
të sosur akoma,
lëshojnë
gjethe të njoma.
Shkoni,
moj të liga, shkoni,
shkoni
mbi mua, kaptoni,
se
jam i mësuar, i gjori.
***
Ne
ulliri në sohor,
frin
një erë e bin një borë,
shkon
një trim vetullahollë
me
martinëzën në dorë.
***
Fati
im i gremisur,
vallë
ç’ditë është nisur.
A
mos e ka zënë gjumi,
apo
e ka marrë lumi;
a
mos e ka zënë ledhi,
a
vallë mos i dhëmb mezi.
...Qysh
i vogël kam bredhur në lëndinat e këngëve
çame. Mblidhja farat e fjalëve të
rralla, toponimet, vargjet brilante që
i ruaja si petalet e luleve, dengje
lirikash të shkurtëra me të cilat
mbushja blloqet, fjalët e urta. Këto
ishin arkivi im i parë sëbashku më këngët
popullore arbëreshe që i ktheja me
durim në shqipen e sotme dhe habitesha
se sa ngjanin me ato të krahinës sime.
Pastaj u fut brënda meje De Rada dhe
Mitrush Kuteli. me
hambarin e pashoq të leksikut të
tij, me të cilin krijoja fjalorin tim.
Dhe çuditërisht, gjithmonë, kënga
popullore çame, ajo arbëreshe, poezia
e De Radës dhe shqipja e përkryer e
Kutelit, përziheshin për të mbrujtur
kulaçin e vërtetë të poetikës që
ëndërroja të kisha.
Shkruar 1986
Futet në shtyp në revistën “Nëntori”
dhe hiqet nga shtypi me porosi të KQ
të PPSH.
agimmato@yahoo.it
www.agimmato.blogspot.com
|
|
|
|